Curr Asllan Aliçkaj (16.6.1973 - 5.4.1999)

Curr Asllan Aliçkaj (16.6.1973 – 5.4.1999)

Lindi më 16 qershor 1973 në fshatin Frashnjet (ish-Kosuriq) të Lugut të Baranit, komuna e Pejës. Prindërit Asllan dhe Fetushe Aliçkaj i patën shtatë fëmijë, tre djem e katër vajza. Curri ishte fëmija i dytë i tyre. Shkollën fillore e kreu në Gllogjan të Lugut të Baranit, ndërsa të mesmen në Baran.

Edukata familjare, historia e bujshme kombëtare shqiptare e mësuar gjatë shkollimit, veçanërisht historia e Lugut të Baranit të dëgjuar në gjiun e familjes e të farefisit, në rapsodi adash, te Curri ndikoi në kalit jen patriotike, duke i dhënë vullnet për inkuadrimin e tij në luftën çlirimtare.

Për shkak të veprimtarisë patriotike, Currit ia kishin torturuar edhe axhën, Et-hemin, i cili detyrohet ta lëshojë vendin e të mërgojë, sa për t’iu shmangur përndjekjeve, aq për kafshatë goje, për ta mbajtur familjen.

Por, me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, kthehet dhe kryen detyrën e sekretarit të shtabit lokal. Që nga viti 1997, në ilegalitet Curri ishte bashkëluftëtar e shok i ngushtë i Agim Zenelit e Sadri Berishës, tani që të dy dëshmorë të kombit. Kushtrimi e fillimi i luftës çlirimtare në Kosovë, si dhe heroizmi i treguar në Llaushë e Vojnik, Qirez e Likoshan, sidomos në Prekaz të Drenicës, vazhdoi menjëherë në Gllogjan. Curri pa një pa dy bëhet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht më 6 prill 1998 në shtabin e Jabllanicës, ende pa u formuar shtabi lokal i Kosuriqit. Si i tillë me tërë qenien iu përkushtua luftës dhe me vullnet të pashoq i kreu detyrat që iu ngarkuan.

Sipas nevojës së ngutshme, bashkë me shumë shokë lufte, gjatë majit-qershorit, disa herë Curri shkoi në Malësi të Veriut për furnizimin e shtabit me armë. Ishte një detyrë sa e nevojshme, aq e domosdoshme, por e rëndë, e zorshme dhe me rreziqe të mëdha, sepse duhej kaluar terrene të vështira në dy anët e kufirit shqiptar-shqiptar të kurdisur dhunshëm që nga viti 1912-13.

Në shtabin e vendlindjes ishte deri më 12 shtator 1998, prej ku kaloi përsëri në shtabin e Jabllanicës. Ndërkaq, me formimin e brigadës 135 “Agim Zeneli”, nën komandën e Lulzim Morinës, Curri u sistemua në njësitin e policisë ushtarake, ku kreu detyra me rëndësi, sidomos në vendlindje, Kamenicë, Buçan, Llugaxhi. Ai mori pjesë në të gjitha betejat e kësaj brigade: Vranoc, Kamenicë, Buçan, Llugaxhi, Qeskovë, Loxhë e kudo që pati nevojë.

Shoku dhe bashkëluftëtari i tij, eprori Faik Doda, rrefen se si të plagosurit e ZOD-it të shtrirë në Zhebel të Dushkajës, duhej dërguar përmes Zonës së përgjegjësisë së Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, regjionit të Burimit, përmes Rugovës në drejtim të Shqipërisë së andejme, me qëllim të shërimit të tyre në spitalin ushtarak të Tiranës.

Marshi i tillë udhëhiqej nga eprorët e UÇK-së Shkëlzen e Daut Haradinaj deri në Studenicë, pastaj në përcjellje të mëtejme nga grupi i eprorëve Halil Mehmetaj, Enver Gjoci, Faik Doda, Ali Haxhosaj, Ujkan Nikçi e Hysen Dreshaj dhe përkujdesjen mjekësore të Dr. Xhavit dhe Rifat Rabushajt e teknikëve Selman Rakovina e Arjeta Shabanaj. Rrugëtimi duhej bërë natën, për shkak të sigurisë. Currit, Arsim Ramës e dy tre ushtarëve të tjerë, u jepet detyra nga z/komandanti i Brigadës, Avdyl Zeneli, ta bëjnë vëzhgimin e terrenit prej kah duhej të tërhiqeshin të plagosurit e spitalit ushtarak të Zhebelit të Dushkajës në drejtim të Burimit (ish-Istogut), e prej andej, përmes Rugovës deri në Tiranë për shërim. Megjithatë, në Kotradiq të Lugut të Baranit, njësiti vëzhgues bie në pritë. Nga gjuajtja e dyanshme, andej e këndej lumit Lumbardh, në një përleshje të ashpër në mes të forcave shqiptare (në të majtë të lumit) dhe atyre serbe të pozicionuar në anën e djathtë të lumit, afër Kotradiqit, bie heroikisht Curr Aliçkaj, bashkë me Arsim Ramën nga fshati Rashkoc, duke siguruar përjetësinë e lavdishme dhe duke nderuar kombin. Kështu Curri ra heroikisht në mbrojtje të njësitit dhe të plagosurve më 5 prill 1999, ku edhe u varros.

Ai ujiti me gjak trollin e shenjtë të Kosovës dhe me eshtrat e tij bëri themelet e lirisë që po e gëzojmë.

Ruhet një dokument Leje-Dalje që dëshmon se, falë veprës heroike të grupit vëzhgues të Curr Aliçkajt e Arsim Ramës me shokë, 24 të plagosurit kanë arritur në Tiranë. Falë kësaj marshute, shumë të plagosur mbijetuan plagët e marra.

Curri ishte përherë i disponuar, i sinqertë, i dashur, trim, i patrembur, gjithnjë i buzëqeshur, me një bukuri të rrallë fizike. Ai i la dy djem si drita, të cilët krenohen me heroizmin e babait. Varrimi i dëshmorëve Curr Aliçkaj nga Frashnjeti e Arsim Ramës nga Rashkoci, u bë afër Kotradiqit, ku ranë heroikisht e ku iu ngrit edhe lapidari. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …