Labinot Gani Krasniqi (21.7.1979 – 6.6.2001)

Labinot Gani Krasniqi (21.7.1979 – 6.6.2001)

Labinot Krasniqi u lind më 21 korrik të vitit 1979 në fshatin Carrallukë të komunës së Malishevës, nga babai Ganiu dhe nëna Xhemilja. Ai kishte tre vëllezër dhe një motër: Sylejmanin, Eminin e Mehdinin dhe motrën Gjylën.
Labinoti u rrit pa praninë fizike të dashurisë së babait, Ganiut, pasi babai i tij në pranverën e vitit 1981, për shkak të veprimtarisë politike kombëtare arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burgim, 10 nga të cilat i ka mbajtur në burgun famëkeq të Beogradit dhe të Nishit. Në këtë kohë, Labinoti mbetet nën mbikëqyrjen e nënës dhe të gjyshit, Selmanit.
Babain e njohu në burgjet serbe ku më pastaj do të jetë vizitori më i rregullt. Labinoti ishte një djalosh që i donte të gjithë, por më së shumti e donte gjyshin.
Klasën e parë të shkollës fillore e filloi në vitin 1986 në shkollën fillore “Mustafa Bakia” në Carrallukë. Ishte nxënës i zgjuar dhe kishte të gjitha tiparet që i takonin një nxënësi shembullor.
Ai qysh në rininë e hershme qe edukuar në frymën e atdhedashurisë, kundër robërisë dhe pushtimit, i frymëzuar nga gjyshi por edhe nga babai,që po vuante dënimin në burgjet serbe. Vitet e 90-ta Labinotin e gjejnë fillorist, në kohën suprimimit të autonomisë së Kosovës. Ai bëhet organizator i shumë protestave së bashku me shokët dhe shoqet e shkollës. Për shkak të aktivitetit atdhetar policia serbe dhe disa shqipfolës të uniformuar, kërkuan që ai me përcjellës të lajmërohej në stacionin famëkeq të Kijevës të Malishevës me pretekstin se është nxënës i padisiplinuar dhe i cili nxit nxënësit e tjerë në organizimin e protestave. Këto informata policisë ia kishte dhënë drejtori i dhunshëm i shkollës fillore në Carrallukë. Mirëpo Labinoti nuk i ishte përgjigjur fare kërkesës së policisë.
Edhe përkundër kushteve të rënda materiale të familjes, Labinot Krasniqi i filloi mësimet në shkollën e mesme “Abdyl Frashëri” në Malishevë, ku me sukses përfundoi vitin e parë. Mirëpo gjatë kohës sa ndiqte mësimet në vitin e dytë të shkollës të mesme për shkak të aktivitetit të pandërprerë, bie në sy të organeve policore dhe për shkak maltretimeve dhe përndjekjeve të vazhdueshme, e ndërpren shkollimin.
Asokohe, si edhe shumë të rinjë të tjerë nga Kosova, do të kërkojë rrugëdalje në botën e jashtme ku fillimisht do të shkojë në Austri e më pas edhe në Gjermani, ku qëndron një vit.
Atje njoftohet me një vajzë nga Malisheva, Lendita Mazrekaj, me të cilen kishte vendosur ta lidhë fatin e jetës.
Në vitin 1996, Labinoti u kthye nga Gjermania, ndërsa në janar të vitit 1997, bën dasmë të madhe, meqë po atë ditë martohej edhe vëllau i tij i madh, Syla.
Pas tre muajsh martese në maj të vitit 1997 Labinoti shkon në Zvicër, te vëllai i tij Emini. Fillimi i luftës së UÇK-së në Kosovë nuk e lë të qetë shpirtin e tij kryengritës. Ai do të ndihmojë zgjerimin dhe forcimin e UÇK-së materialisht, ndërsa shoqja e tij e jetës Lindita dë të angazhohet drejtpërdrejt në luftën çlirimtare.
Pas përfundimit të luftës, Labinoti do të kthehet në Kosovë.
Rrëfimet e shokëve për luftën e UÇK-së dhe heroizmi i sixhaxhait dëshmor, Imer Krasniqi, i rënë në verë të vitit 1998, i kishin lënë përshtypje të thellë në shpirtin kryengritës.
Në vitin 2001, me fillimin e luftës çlirimtare në trojet shqiptare të Maqedonisë, në mesin e shumë djemve nga Kosova, në njesitet çlirimtare do të rreshtohet edhe Labinoti. Ai sistemohet në Brigadën 113 ”Ismet Jashari-Kumanova” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, përkrah djalit të xhaxhait të tij, Metit, i njohur si “komandant Malisheva”.
Në radhët e çlirimtarëve në trojet e ish – RJ të Maqedonisë kishte edhe shumë luftëtarë të tjerë nga Malisheva, të cilët kishin vendosur të luftonin për çlirimin e vendlindjes së komandantit të UÇK-së, Ismet Jashari-Kumanova.
Lufta e “komandant Kumanovës” dhe veprimtaria e tij e palodhshme për bashkimin kombëtar do të jenë udhërrëfyes të këtyre djelmoshave.
“Nënë, ditën e mirë. Unë po bëhem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e ti qëndro e fortë, dhe nëse bie, po jua lë amanet të mos më qajë askush. Do të jem shumë i lumtur nëse bie dëshmor për çlirimin e trojeve shqiptare”. Këto ishin fjalët që Labinoti ia kishte thënë nënës së tij në momentin kur ishte nisur për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së.
Nëna ishte ndier shumë krenare për fjalët e birit të saj andaj ia kishte kthyer:
“Rruga e mbarë o bir, mos ke merak unë nuk do të mërzitem fare. Më vjen mirë që edhe ti ke vendosur të luftosh për lirinë e trojeve shqiptare, si babai dhe vëllai yt. Por mos më korit lufto si burrat. Se pa gjak nuk ka liri.”.
Nënë e bir ishin përqafuar edhe një herë. Nëna i kishte dhënë bekimin dhe e kishte puthur në ballë luftëtarin e ri.
Emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare shkëlqeu në kraharorin e Labinotit, më 30 maj 2001.
Muharrem Hoti, bashkluftëtar i dëshmorit Labinot Krasniqi, thotë se Labinoti kishte treguar trimëri të pashoqe, disiplinë të lartë ushtarake dhe strategji prej një luftëtari të rryer. Në istikame të luftës ai u kishte thënë shokëve: – Shokë për hair na qoftë kjo dasmë e re, do ta kurorëzojmë me nusen-Lirinë, e cila do të vijë edhe për shqiptarët në Maqedoni.
Muharremi evokon kujtime edhe nga betejat në Likovë e Mateç, ku Labinoti dhe luftëtarët tjerë nga Malisheva kishin treguar trimëri të rrallë.
Në Mateç lufta kishte zgjatur rreth një javë, dhe përkundër numrit shumë më të madh të forcave sllavomaqedone të cilat ishin pajisur edhe me teknikë moderne lufte, trimat e UÇK-së kishin korrur fitore.
Në këtë betejë, e cila ishte zhvilluar më 2 qershor të vitit 2001 kishte rënë heroikisht, Visar Krasniqi nga fshati Drenoc i Malishevës, shoku i ngushtë i Labinotit. Në operacionin për çlirimin e plotë të Mateçit, më 6 qershor gjatë aksionit për të marrë Stacionin Policor në këtë fshat, nga shpërthimi i një mine të vendosur në këtë stacion bie në altarin e lirisë edhe Labinoti së bashku me dy luftëtarë të tjerë, Isanë nga fshati Hotël dhe Faikun nga Kumanova. Me nderime të larta ushtarake, në mbrëmjen e 6 qershorit do të varroset Labinoti dhe dy shokët e tij.
Labinoti u përjetësua ashtu sikurse përjetësohen trimat. Ai ndoqi rrugën që kishte trasuar baca i tij Imer Krasniqi, por edhe babai i tij, Ganiu, i cili kishte qenë njëri ndër komandantët e luftës së UÇK-së në Malishevë. Labinoti u bë krushk në vallen përjetësisë, së bashku me komandantin Ismet Jashari-Kumanova.
Por sikur e kanë traditë familjare atdhetare, pushka e Labinotit nuk pushoi. Vetëm dy javë pas rënies, atë e trashëgoi vëllau i tij, Mehdini. Në luftimet e mëvonshme në frontet e luftës çlirimtare në rrethinën e Kumanovës do të bie heroikisht edhe një dëshmor nga komuna e Malishevës. Ishte ky i riu, Hilmi Hoti.
Vëllezërit shqiptarë në Maqedoni dhe populli liridashës kudo në trojet shqiptare do të ruajë përgjithmonë kujtimin për heroizmin e Labinot Krasniqit e të dëshmorëve të tjerë, të cilët nga Kosova shkuan për ta larë me gjak tokën shqiptare nën Maqedoni.
Trupat e dëshmorëve pushojnë të qetë në “Varrezat e Dëshmorëve” në fshatin Hotël të komunës së Likovës. Ata pushojnë atje, ku edhe e derdhën gjakun për liri, në Iliridën shqiptare.
Labinoti ka lënë prindërit: Ganiun dhe Xhemilen, të cilët e përkujtojnë me mall, por edhe me krenari të ligjshme, Labin e tyre, i cili dikur në fëmijërinë e tij të hershme rrugëtonte tok me të ëmën dhe vëllezërit e tjerë për ta parë babain në burg, atje larg në Serbi, nga ku pasi e shihte, kthehej me mall e dhembje për babain, që kishte mbetur ngujuar, tej tutje, pas nëntëdhjetë e nëntë bjeshkëve. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …