Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është cituar të ketë thënë se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në katër komunat në veri të Kosovës dhe se qeverisja e formuar pas atij procesi nuk do të ketë legjitimitet. I pyetur se si do të jetë situata për serbët në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit, Vuçiqi ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë, se më 6 prill, do të jetë “keq, sikurse nën okupim”, sepse qeverisja do të formohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti do ta drejtojë Mitrovicën e Veriut nga 24 prilli, dhe vetëm mendoni për ato autoritete dhe demokracinë e legjitimitetin, me 2 për qind të shqiptarëve që jetojnë aty. Do të jetë keq për serbët, sikurse nën okupim, ashtu do të jetë, prandaj njerëzit janë të shqetësuar. Çfarë mund të bëjnë ata? Çfarë duhet të bëj unë? A të dërgoj tanke? Nuk mund ta mposhti NATO-n, dhe nuk dua që ne të vdesim. Dua që gjërat të zgjidhen në paqe, të shkojnë drejt normalizimit”, ka thënë Vuçiq. Ai, po ashtu, i ka kritikuar shtetet e Perëndimit për “heshtjen” e tyre, për faktin që Kurti nuk ka dëshiruar të shtyjë zgjedhjet lokale, në të cilat serbët nuk do të marrin pjesë, pas dorëheqjeve kolektive nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.