Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetjake të komunave nga vitet paraprake ka thënë kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke i bërë thirrje ministrit të Financave, Hekuran Murati, që të mos bllokojë, dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetjake të Prishtinës. Partitë opozitare kanë theksuar se nuk do të ketë normalitet në Kuvend nëse tentohet të cenohet pavarësia e komunave. Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se është hera e parë që një qeveri po përpiqet në mënyrë kundërkushtetuese t’i tjetërsojë të hyrat vetjake të komunave. Si kryetar i kryeqytetit u kam kërkuar me shkrim kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Financave, që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë. Janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të kryeqytetit për këtë vit të cilat qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade”, ka thënë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.