Bedri Halimi: Thekse nga intervistat e disa ish të burgosurve shqiptarë në masakrën e Dubravës (2)

Thekse nga rrëfimet e SELIM LOKAJT, ku prezent ishte edhe UKË THAÇI

 …Atë natë para se me ndodhë masakra e organizuar rreth orës 2:15 së pari janë hedhur dy bomba dore në pavijonin që kanë bombarduar forcat e NATO-s dhe është dëgjuar një zë Shqip “O ku jeni bre Shqiptar” dhe kanë filluar të gjuajnë me revole një nga një dhe dëgjohej një zë “ACO” mbikëqyrësi: SHTA RADISH e pyet çka po punon SHTA RADISH dhe kurrë nuk e harroj kur e merr përgjigjen “PUCAMO NA KRAVE” ishte rreth orës 3.00 të mëngjesit dhe gjuajtjet me revole ishin jo të shpeshta por të rralla, krismat ishin nga afërsia,

…Të gjithë të armatosur dhe ishin në pjesën harkore të mureve dhe gjatë bisedave me kolegë kanë thënë “PUSHKATONI” mirëpo unë kam dëgjua vetëm një përgjigje në vazhdimësi që nuk e di se a ka qenë për të mirë apo për të keq, ai i cili e bënte organizimin e kishte gjithnjë këtë shprehje: ” DOBRO – DA; DOBRO – DA”.

 Tani kjo “DOBRO-DA” ishte një ankth për neve, vrisni të gjithë, mjaft u bë – mjaft nuk u bë. Dyshimi ishte se në këndin e sipërm të spitalit ishte një kamerë e fshehur duke incizuar nga pika më e lartë dhe neve na lindi ideja se ky është një fotografim i fundit një “Skenarë sikur në Srebrenicë”, mirëpo frika ishte edhe më e madhe. Kur erdhën disa pako me cigare Partner dhe ata i shqyen ato dhe jo me na dhënë nga një pako, por filluan ti gjuajnë nga lartë. Kur filluan ti gjuajnë në atë mënyrë, kamera doli në sipërfaqe me incizua krejt hapësirën, në mënyrë që ne kishe po kujdesemi për juve, mirëpo ne e krijuam atë bindjen që është momenti i fundit dhe do të kalojmë keq.

“Po të garantonte ndonjëri se do ta dinte, se ku e kemi varrin, do të ishte një lehtësi shumë e madhe për neve që po masakrohemi”.

Sa i përket te vrarëve me përgjegjësi ma të madhe e them se numri më i vogël i të vdekurve ka qenë 156, tani me siguri ju keni kureshtje të thoni pse jeni aq i sigurt që ka qenë ai numri i të vdekurve. Pas vrasjes ishte themeluar një këshill për evidentimin e të vrarëve dhe të plagosurve, iniciator kanë qenë disa djem nga Ferizaji, çdo njëri ishte i obliguar t’i informonte ata djem nëse dinin për ndonjë të vdekur apo të plagosur. Këtë e them me përgjegjësinë më të madhe, sepse e kam lajmëruar një shok që kam qenë se bashku me atë në dhomë, “Muhamet Shala” atë e kam gjetur në mes të kuzhinës dhe spitalit, në të vërtetë, unë nuk e kam gjetur, por një shok e ka gjetur, sepse kishte shkuar në kuzhinë me marrë diçka për të ngrënë, dhe atë e kishe godit plumbi i snajperkës, mbrapa në krahun e majtë dhe e ka humbur vetëdijen. Të nesërmen në mëngjes freskia dhe riski ja kishte kthyer vetëdijen e ai u mundu me u ngritë, por forcë nuk kishte, e kanë vërejtur nga dritarja dhe me kanë lajmëruar.

 Me thanë baca loke një i vdekur po mundohet me u ngritë dhe unë në dëgjim të parë nuk e kam analizua fjalën një i vdekur po mundohet mu ngritur, e zgjati kokën dhe e shohë, shkoj dhe i dalë nga prapa e ngriti dhe i dalë përpara, e shohë se e kishte bërë një ndryshim në mustaqe, edhe i them: Shala, a po me njef mua, sepse unë doja ta vërtetoja a ka vetëdije apo jo, ai u përgjigjë, ju jeni baca loke, qe kemi qëndruar ne Pejë. Nuk i shihja askund gjak por uniformen qe e ka pasur ishte shpuar, por kur ia zbuloj pjesën e kishte pasur plagën në brinjën e parë nën zemër edhe jam mundua me e tërhequr por e kanë lëshuar këmbët.

Ndërhyrje nga: Ukë Thaçi

Pra dëmin më të madh e kanë bërë në këtë formë në puseta (shakta) i thonin pusetave, dhe kur vinin veç e hapnin kapakun e pusetës dhe nëse kishte shumë të burgosur i gjuanin me granatë të madhe, nëse nuk kishte shumë të fshehur, veç lëshonin bomba dore e pastaj dëgjohej britmë e ulërimë nga të masakruarit.

Të burgosurit e dalluar që kanë bartur njerëz të plagosur prej fushës së tmerrit (fusha e sportit) kanë qenë: Njazia, Bilbili, Haqifi, Sherifi… ndoshta dikush mundet me thënë që shumë po i lavdëron, por vërtet kanë ndihmuar shumë, e tërhiqnin të plagosurin dhe ja bënte me dorë hajt gjuaj tash. Se si kanë shpëtuar unë habitem.

Ne i kemi quajtur grupi i studentëve të Prizrenit, askush nuk mund të lavdërohet se kanë ndihmuar më shumë se grupi i studentëve të Prizrenit që kanë bartur të plagosur, se këta djem janë shumë modestë, nuk flasin shumë për vetëveten, njëri nga këta djem e njihte Anglishten nuk e di cili (Bilbili e njef Anglishten-nderhyrje U.Thaçit) dhe nga bombardimet ishin shkoqur dritat e neonit dhe kishin rënë në barë, të pa dëmtuara edhe nëse nuk gaboj ata e morën iniciativën edhe me ato drita e kanë shkruar “HELP NATO”. Unë po pyes çka po shkruajnë, ata më thanë po shkruajmë” NDIHMË NATO”. Mirëpo të nesërmen kanë ardhur gardianët dhe e kanë parë këtë shkrim dhe e kane goditur me shqelma. Unë kam dëgjuar për Masakrën e Tivarit, por nuk kam besuar, por kur e përjetova vetë Masakrën në Dubrave thosha ku ti gjej ata njerëz dhe t’ju them që e vërtetë paska qenë ajo Masakër.

 (Ukë Thaçi, unë e dij që në burg Ukshinin e ka marrë nga pavijoni “B”, mbikqyrësi Branko Komatina, dhe e ka përcjellë deri te dera e hyrje-daljes jashtë)

Selimi: jo vetëm Ukshini por edhe dy të burgosur tjerë- Shkelzen Pepshi dhe Shkëlzeni është gjetur i vrarë në mes të forcave të UÇK-së dhe Serbëve në malet e Maznikut, të Komunës së Deçanit. Po të dy bashkë i kanë marrur në ora 9:30, ka qenë ditë e dielë, nuk i kanë larguar nga dera zyrtare por nga dera e hyrjes, nga portat e mëdha në atë pjesë kanë qenë njësiti i forcave serbe me Brankon. U përhap lajmi se Ukshin Hoti ka arritur ne Itali. E ka marrë shoqata Shen Exhidio, gjoja se dikush e ka dëgjuar ne një radio të fshehur në programin Evropa e Lirë.

 (B.H.Branko Komatina ka qenë mbikëqyrës i pavijonit “B” në Burgun e Dubravës?

 Ukë Thaçi, Po, ashtu ka qenë edhe në Pozharevc, mbikëqyrës i pavijonit 6, për të burgosurit Shqiptarë, atje kami qenë nën komandën e tij).

 Në pavijonin “C”, më kujtohet një gardian (më vonë e kam mësuar emrin e tij-MANCE) që ka qenë edhe në Pozharevc. Kur ka rënë granata e parë e NATO-s në pavijonin “C” (në Dubravë është fjala – vërjetja ime BH), të burgosurit që kanë qenë më poshtë, më herët i thojnë këtij Mances, a të shkojmë t’ju hapim dyert? MANCE thotë: “Po shkoni hapni dyert e Pavijonit “B” ” ku ishim ne 350 të burgosur, tani ne që ishim në pavijonin “B” prej aty në shkojmë i thyejmë dyert e pavijonit “C”, dyert shumë të thjeshta kanë qenë por deri sa kemi hyrë brenda ka qenë vështirë, sepse ato i kishte dëmtuar granata e NATO-s, ende pa rënë pluhuri në tokë. Ishim me Bilbil Durakun kemi shkuar atje. Pra ky MANCE që ka thënë shkoni hapni dyert e të burgosurve, pastaj janë grindur gardianet ne mes veti pse kishte lejuar këtë gjë!

 

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …