leoni

Vuk Drashkoviq

Rrëfimit të Vuk Drashkoviqit, i mungon e dhëna kryesore lidhur me shkakun e vrasjes së të rinjve serbë, në Pejë, më 14 dhjetor 1998

Më 14 dhjetor të vitit 1998, në Gorozhup te Likenet e Hasit, forcat ushtarake serbe kishin vrarë në pritë, 42 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin, Mujë Krasniqi. Sulmi vrastar mbi studentët  serbë, disa orë më vonë,   kishte për qëllim ta dezorientonte opinionin ndërkombëtar, duke publikuar lajmin  se vrasjen e 6 të rinjve serbë, në Pejë  e kishin kryer pjesëtarët e UÇK-së, për hakmarrje lidhur me vrasjen e 42 pjesëtarëve të saj në pikën kufitare të Kosovës me Shqipërinë, në Gorozhup të Hasit, kufi të cilën e mbante nën kontroll ushtria e Millosheviqit me mijëra pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë.

Në shkrimin e Drashkoviqit,  është edhe një fakt me interes që flet për vrasje të tilla, gjithnjë të pandriçuara. Ai thotë se  Legija  si skuadër vdekjeje,  vrau edhe shumë shqiptarë besnikë të Serbisë në mbarë Kosovën, dhe se këto likuidime janë bërë me qëllim që t’i atribuohen guerilës shqiptare dhe në Serbi për të ndezur pasionet e urrejtjes, hakmarrjes së verbër dhe histerisë së luftës?

Dihet fakti se politikani dhe shkrimtari serb, Vuk Drashkoviq, gjatë luftës në Kosovë kishte qenë  edhe pjesë e Qeverisë së Serbisë së Millosheviqit, mirëpo ai pas nënshkrimit të kapitullimit, të Serbisë  në Kumanovë,  më 10 qershor të vitit 1999, u radhit në mesin e kundërshtarëve më militantë. Edhe më herët para fillimi të luftës në Kosovë, Drashkoviq kishte mbajtur protesta kundër regjimit, por gjatë luftës, iu kishte bashkuar Millosheviqit.

Nacionalisti serb, Drashkoviq, në vitet 90-të të shekullit të kaluar,  kishte bërë thirrje që shqiptarët e Kosovës  të dëboheshin përtej Bjeshkëve të Nëmura. Më vonë, sidomos pas kapitullimit të Serbisë, ai u radhit në mesin e opozitarëve më militantë, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Serbisë së asaj kohe, Sllobodan Millosheviq, shërbimet sekrete të të cilit kishin bërë përpjekje edhe ta likuidonin, sikur kishin likuiduar shumë kundërshtarë  të tjerë.

 

Edhe pse nuk ka prezantuar dëshmi faktike, Drashkoviq hedh dyshime se Serbia e Millosheviqit ka vrarë shumë shqiptarë besnikë të Serbisë në mbarë Kosovën.  Se cilët kanë qenë këta shqiptarë besnikë, ai nuk ka afruar të dhëna, të cilat mbase edhe  nuk i disponon, por është plotësisht e saktë e dhëna  se regjimi serb i vriste edhe disa nga  ata që bashkëpunonin me forcat e Millosheviqit, me qëllim që t’ ua adresonte luftëtarëve të UÇK-së. Dihen raste kur është likuiduar një familje e tërë e një kryefamiljari,  i cili vetëm si i dyshuar ishte ndaluar për disa ditë nga UÇK-ja, dhe pasi ishte liruar, kishte bërë përpjekje, që me krejt familjen të largohej nga vendi. Serbët e kishin rrethuar në shtëpinë e tij, në fshatin NN i kishin likuiduar  të gjithë e më në fund ua  kishin djegur edhe kufomat.

Fakti se Serbia ka vrarë edhe bashkëpunëtorë shqiptarë, nuk është i panjohur. Dihet se agjenturat serbe ishin të pranishme dhe të organizuar mirë  në Kosovë, edhe në dy tri vitet e pas luftës. Ato vrasje nuk janë ndriçuar kurrë dhe tani po bëhen përpjekje t’ ia përshkruajnë kreut të luftës së UÇK-së, në procesin gjyqësor, që po zhvillohet kundër tyre,  në Gjykatën Speciale në Hagë.

 

Nuk dihet nëse këto të dhëna,  po i shfrytëzojnë avokatët e tyre, para trupit gjykues në Hagë, kundër krerëve të UÇK-së.

Rast i njëjtë ka ndodhur edhe me vrasjen e 14 serbëve në fshatin Grackë e Vjetër,  të Lypjanit më 14 korrik të vitit 1999, vrasje për të cilën, Veton Surroi akuzonte edhe sot akuzon luftëtarët e UÇK-së duke i etiketuar si fashistë, pa paraqitur as edhe një fakt.

Në mesin e të vrarëve, kishte edhe policë serbë nga Gracka, Kraishta e fshatra të tjera, që kishin marrë pjesë në masakrimin e shqiptarëve në Hallaq, Kraishtë, Ribar i Vogël, Sllovi, Reçak e kudo ku kishin arritur. Vrasja ishte bërë me qëllim që t’ ia  adresuar faktorit ndërkombëtar dhe  për ta krijuar bindjen se gjoja shqiptarët po hakmerreshin mbi civilë serbë, duke fshehur faktin se në atë mes kishte milicë e kriminelë pa uniforma. Ishte Veton Surroi, ai i cili gishtin e dyshimit e  kishte orientuar te UÇK-ja, duke e akuzuar për revanshizëm fashist të UÇK-së.  Duke qenë se pretendimet e Surroit u morën si të sakta nga Administrata e UNMIK-ut, një reagim i  Radios-Kosova e Lirë, i botuar edhe në Kosovapress, kundër paragjykimeve  të Veton Surroit, ishte bërë shkas i suspendimit të drejtorit të Agjencisë Kosovapres, me presion të UNMIK-ut mbi Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Me apo pa qëllim të caktuar, sidomos në Koha Ditore, Bota Sot e disa medie të tjera, në Kosovë, asokohe po  krijohej dhe po dominonte bindja se çdo vrasje enigmatike kryhej nga UÇK-ja, edhe pse ajo ishte demobilizuar, ndërsa hakmarrja e mundshme e ndonjë individi, edhe nëse ka qenë pjesë e UÇK-së, nuk mund t i përshkruhet asaj sepse ishte demobilizuar. Nuk janë pas as ish luftëtarët, madje edhe pjesëtarë të TMK-së  që janë likuiduar në prita, dhe me sa kemi të dhëna nuk dihet të jetë ndriçuar qoftë edhe një rast i vetëm.

 

Vrasja e serbëve në Grackën e Vjetër të Lypjanit, nga shërbimi sekret serb, sipas projektuesve kishte dy qëllime. Të likuidonte disa nga pjesëtarët e vet, të cilët kishin marrë pjesë në krime kundër popullatës civile  shqiptare, në mënyrë që të mos mund të dëshmonin nëpër gjykatat e UNMIK-ut dhe në ato të Kosovës,  dhe të  përdorej si fakt se forcat ndërkombëtare të instaluara në Kosovë, nuk ishin në gjende ta mbronin popullatën serbe, pas largimit të ushtrisë dhe policisë së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, i cili aktualisht, asokohe e  kishte pushtetin në Serbi. (RKL)

Pavarësisht se kush ka qenë dhe cili është sot, Vuk Drashkoviqi, disa nga të dhënat dhe faktet që i ka prezantuar në shkrimin e tij të botuar në  “Danas”, sidomos kur bën fjalë vrasjen e disa bashkëpunëtorëve shqiptarë nga regjimi i Millosheviqit, me qëllim për të shkaktuar përçarje e huti  brenda popullatës shqiptare, janë argumente të cilat duhet t’ i hetojnë avokatët e krerëve të UÇK-së, sepse  në këtë mënyrë hapet edhe kapitull që mund të hedh dritë sidomos në vrasjet e pasluftës, kur dimë se sa serbë kanë kryer vepra krimi e në mesin e tyre edhe të tillë që kanë bërë përpjekje të hedhin trotil në mesin e popullatës dhe që janë kapur e dënuar për vepra të tilla terroriste.

Ahmet Qeriqi

8. 4. 2023

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …