Isuf Ismaili: Shprehje e shpirtit atdhedashës e të bashkimit shqiptar

Isuf Ismaili: Shprehje e shpirtit atdhedashës e të bashkimit shqiptar

“Grupi folklorik “Bilbili” nga Vlora ka qenë në disa qendra evropiane dhe në dy festivale folklorike botërore, por më besoni ky është festivali më i madh e më i bukur deri më tani, sepse këtu është festivali i shpirtit shqiptar, i zemrave tona e i bashkimit tonë kombëtar.” (Sejmen Gjokoli)

 “ ─ Unë them me një bindje të thellë se kur shqiptarët bëhen bashkë, kur mblidhen vëllazërisht, bëjnë vepra të shkëlqyera për kombin, për gjuhën, për kulturën e tyre, për trashëgiminë e tyre, janë të mrekullueshëm, janë të mëdhenj dhe bëjnë veprën e bashkimit të tyre, së paku shpirtërisht” (Sejmen Gjokoli)

“─  Uroj me gjithë shpirt, të kemi, sa më parë, një Shqipëri të bashkuar!” (Muharrem Ramaj)

Labëria e Kosova dhe lidhjet e natyrshme vëllazërore

Lidhjet tona të natyrshme me tokën etërve tanë lashtë, me të gjitha pjesët e atdheut, lidhjet e gjithë shqiptarëve të ndershëm e atdhedashës, kudo që janë, nga pjesët  e ndryshme shqiptare e në ngulimet e arbëreshe dhe përgjithësisht në diasporë, kanë qenë edhe në të kaluarën, por janë edhe tani lidhje të fuqishme vëllazërore të gjakut, gjuhës e shpirtit të shqiptarësisë sonë, të përbashkësisë sonë, të ndërtuar që kur të parët tanë janë formuar si veçanti e ndërgjegjes atdhetare, duke pasur për bazë zanafillën, anën gjuhësore e vetëdijen për formimin e njësisë së përbashkët, kulturën e shumë faktorë të tjerë. Prandaj shqiptarët kanë gjetur natyrshëm mbështetje te njëri – tjetri, duke u përmbledhur si tërësi. Kështu  janë ruajtur edhe tiparet më të shëndosha njerëzore dhe shpirti atdhetar, kultura e karakteri i shëndoshë shqiptar dhe qenësia jonë si popull e si komb deri në ditët tona. Kjo përbashkësi, kjo vetëdije dëshmohet edhe në luftërat kundër të huajve  grabitqarë, që vazhdimisht i lakmuan e i lakmojnë trojet tona.  Luftëra këto, ku është shquar ndihma dhe përkushtimi i përbashkët i bashkatdhetarëve tanë, i gjakut të derdhur për mbrojtjen e kësaj tërësie, por dëshmohet edhe me aktivitete, me një kulturë e në lidhje të pandërprerë të një përkatësie të shëndoshë shqiptare.  Kështu  fijet e damarët e që janë ushqyer me shpirtin e atdhedashurisë kanë krijuar palcën e shëndoshë shqiptare e cila na mbanë gjallë edhe tërësi e natyrshme etnike e kombëtare edhe si njerëz me edukatë të mirëfilltë shoqërore.

Dy pjesët e atdheut, të Shqipërisë së natyrshme dhe etnike, siç janë: Labëria dhe Kosova, historikisht kanë krijuar lidhjet e natyrshme vëllazërore të dëshmuara sa e sa herë me gjakun, sakrificat e jetën, veprën e heronjve dhe dëshmorëve që u flijuan për tërësinë e përbashkësisë sonë, tokësore e shpirtërore.

Të gjitha këto nuk mund të mos krijonin vazhdimësinë e lidhjeve kulturore në mes të këtyre trevave, të cilat janë shprehur edhe me aktivitete e veprimtari artistike, muzikore, por edhe me pritje e përcjellje e vëllazërore.

Të kësaj natyre janë edhe disa aktivitete e veprimtari që u mbajtën para pak ditësh në mërgatë, në Zvicër e në Francë, ku mërgimtarët tanë kryesisht nga Kosova kanë krijuar lidhje të reja kulturore e vëllazërore me bashkatdhetarët vlonjatë, pikërisht me grupin folklorik “BILBILI”  udhëheqës i të cilit është njohësi i shkëlqyer i folklorit, shumë nderuari Sejmen Gjokoli.

Isuf Ismaili: Shprehje e shpirtit atdhedashës e të bashkimit shqiptar

Koncerte muzikore dhe shprehje e bashkimit shqiptar

Miku im i nderuar, Shaip Deda, nga rrethi i Gjilanit të Kosovës, i mërguar në Francë, si një nga veprimtarët e hershëm shqiptar, është një nga ata njerëz të shkëlqyer atdhedashës, që u tregua i gatshëm jo vetëm t’i presë e t’i përcjellë vëllezërit nga Vlora, por edhe të japë ndihmesën e tij në të gjitha këto aktivitete, madje edhe në shtëpinë e tij i kishte ftuar mysafirët nga Vlora e mërgimtarët nga rrethi i Gjenevës dhe disa vendeve në Francë, përreth Gjenevës, si një nga qendrat e fuqishme në Zvicër.

Siç m’i ka dhënë disa njoftime ai, grupi folklorik shqiptar “HAREJA” nga Gjeneva kishte shkuar në Vlorë, vitin e kaluar dhe atje kishte kënduar një këngë në një festival folklorik, të cilin e  ka udhëhequr kryetari i grupit folklorik “BILBILI” nga Vlora,  Sejmen Gjokoli. Atje në mënyrën më vëllazërore udhëheqësi Sejmen Gjokoli, së bashku me anëtarët të tjerë të grupit i kishin pritur pjesëtarët e grupit “Hareja”. Pra, që atje, në Vlorën heroike u krijuan këto lidhje kaq të mira e vëllazërore, prandaj  shoqata  “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, grupi “Hareja” nga Gjeneva dhe shoqata kulturore  shqiptare “ILIRIA” në St, Julien en Genevois, në Francë  e ftuan grupin folklorik “Bilbili” të shkonte në Gjenevë dhe në disa vende në Francë, përreth Gjenevës.

Po kështu ka pohuar në fjalën e tij edhe udhëheqësi i  grupit folklorik ”Bilbili” shumë i nderuari Sejmen Gjokoli.

Ata kishin arritur në Gjenevë më datë 28 mars dhe janë pritur në aeroport nga pjesëtarët e grupeve dhe shoqatave kulturore e atdhetare shqiptare, të cilat i përmenda më sipër.

Natën e parë, vëllezërit nga Vlora dhe disa bashkatdhetarë të tjerë, u ftuan në Collonges sous Saleve (sallonet afër Salevës) në Francë, në shtëpinë e mikut tim shumë të nderuar Shaip Deda dhe shoqes së tij Luljeta Hoxha Deda, kryetare e shoqatës “ILIRIA” St. Julien en Genevois( San Zhulien, afër Gjenevës) ! Atje u shtrua një darkë për nder të mysafirëve, të përgatitur nga gratë fisnike të komunitetit shqiptar të asaj pjese mikpritëse të Gjenevës e rrethit të saj.

Në një atmosferë të tillë aq sa vëllazërore, po aq edhe shprehëse nga ana kulturore, s’ka se si të mos shprehej edhe hareja dhe harmonia e madhështia e këngës labe.

Të kujtojmë se edhe para disa vitesh, miku im Shaip Deda dhe shoqja e tij Luljeta Deda në emër të shoqatës “ILIRIA” dhe komitetit shqiptar të atjeshëm, të St. Julien, kishin organizuar një koncert sa kulturor, po aq edhe patriotik më, 29.9.2018 në sallën de l’Arande në St. Julien en Genevois, ku morën pjesë  vëllezërit arbëreshë, të udhëhequr nga profesor Michele Greco, nga Frasnita, por edhe këngëtarë, artistë e instrumentistë të shquar nga Republika e Shqipërisë. Kështu u krijuan nisma të shkëlqyera që kanë lënë jo vetëm përshtypje të mëdha kulturore, por edhe kanë lënë vazhdimësi të shprehjes atdhedashëse e dashurisë vëllazërore të pjesëve e rrënjëve tona përbashkëta shqiptare.

Edhe koncertet që u organizuan me grupin folklorik “BILBILI” të Vlorës janë të tilla.

Natën e dytë më, 29. 3. 2023 u organizua një koncert në Gjenevë në teatrin “Madelei”, ku kënduan vëllezërit nga Vlora, por edhe bashkatdhetarët tanë mërgimtarë nga grupi “Hareja” dhe nga ansambli “Gëzuar”

Pasi organizatorët uruan mirëseardhjen e vëllezërve nga Vlora, për t’i përshëndetur të pranishmit dhe për të shprehur ndjeshmërinë e dashurinë vëllazërore, doli në skenë, njohësi i shkëlqyer i folklorit Sejmen Gjokoli, njëkohësisht udhëheqës i grupit folklorik “ Bilbili”. E  s’ka se si të jetë më mirë, s’ ka se si të mos i ndiejë njeriu ynë emocionet atdhedashëse, nga fjalët e tij të mrekullueshme,  i cili ndër të tjera tha:

“Grupi folklorik “Bilbili” nga Vlora ka qenë në disa qendra evropiane dhe në dy festivale folklorike botërore, por më besoni ky është festivali më i madh e më i bukur deri më tani, sepse këtu është festivali i shpirtit shqiptar, i zemrave tona e i bashkimit tonë kombëtar.”

Më pas në skenë dolën këngëtarët nga Vlora të cilët, në një atmosferë  të gëzuar, të hareshme e mbresëlënëse  shfaqën gjithë përkushtimin e tyre  vëllazëror e atdhedashës. Ata me këngët karakteristike shumëzërëshe (polifonike), i dhanë zjarr shpirtit të zhuritur patriotik, sidomos të mërgimtarëve shqiptarë, te të cilët malli e dashuria për tokën e kulturën shqiptare duket në fytyrat e tyre, në fjalët e tyre, në gjestet e qëndrimet e tyre, në veprimet e tyre, në dhembjet, në sytë e lotët e tyre.

Këngët epike dhe karakteri i fortë shqiptar

Këngët tona epike, janë këngë të karakterit të fuqishëm shqiptar, janë histori e trimëri, janë burrëri e forcë, janë qëndresë e dashuri për tokën, për heronjtë e dëshmorët, për të gjithë luftëtarët, për të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në kujtesën historike shqiptare, për udhëheqësit e shkëlqyer e atdhedashës, që dhanë çdo gjë për Shqipërinë, siç qe edhe Ismail Qemali, komandanti i gardës shqiptare Isa Boletini, e komandanti legjendar i UÇK – së heroike Adem Jashari, për të cilët natyrshëm u kënduan këngë edhe nga grupi folklorik “Bilbili” edhe nga grupet e këngëtarëve mërgimtarë në Gjenevë, por edhe nga rapsodi i shquar verior Viktor Paloka, nga Vau i Dejës që mbanë titullin “Mjeshtër i Madh”, i cili qe në shoqëri me këngëtarët vlonjatë. Natyrisht në koncerte u kënduan edhe këngë lirike e të dashurisë së natyrshme njerëzore.

Kostumet e bukura labe me fustanellë  e qylafi (kapele, karakteristike si plisi a qeleshja) me majë si vetë malet e Labërisë, bënë përshtypje të veçantë në mesin e banorëve të Gjenevës, kur këngëtarët dolën për të shëtitur dhe ku kënduan bashkërisht.

Në ditën e trete u mbajt koncerti në Chateau d’ avully ne Brenthonne (Shaty d Avëly a Brëtën) në France! Ky koncert u organizua nga shoqata “ILIRIA” në St. Julien en Genevois!

Në këtë koncert qenë  disa veçanti, meqë ai u mbajt në kështjellë, ku vendi qe shumë i përshtatshëm, aq sa nuk pati nevojë as për mikrofona, në anën tjetër zëri i fuqishëm i këngëtarëve  krijoi një atmosferë të shkëlqyer artistike, pastaj në atë koncert më të shumtit qenë francezë, të cilët nuk e kishin dëgjuar asnjëherë muzikën shumëzërëshe labe, natyrshmëria dhe organizimi artistik e interpretimi i përbashkët, koordinimi dhe harmonia e së cilës, ua la një përshtypje e një kënaqësi të madhe.

Ata kishin menduar se mund të ishte një muzikë e ngjashme si muzika polifonike nga Korsika. Por e vërteta është, se muzika shumëzërëshe e Labërisë, por që i thuhet edhe polifonike, siç është bërë e zakonshme, është e veçantë, e papërsëritshme me një organizim të përkryer pa futur fare në punë veglat muzikore e njëkohësisht ngjet sikur përdoren edhe veglat muzikore.  Këtë veçanti, këtë harmoni, atë nivelin e përsosur artistik edhe francezët e kishin vënë re, fare qartë, ndaj edhe kishin ngelur shumë të kënaqur dhe kishin duartrokitur shumë gjatë.

Kuvendime e të dhëna përmes telefonit

Pastaj përshtypje lanë edhe meloditë me fyell të instrumentistit e këngëtarit të shquar mallakastriot Muharrem Ramaj, i cili me aftësitë e tij artistike krijon mrekullisht melodi të bukura baritore, frymëzuese e shprehëse të ndjenjave të pastra njerëzore. Ai ndër të tjera, përmes telefonit, shprehi respektin e falënderimet e veçanta për pritjen dhe organizimin që e bënë pjesëtarët e shoqatave e grupeve artistike e atdhetare në Gjenevë të Zvicrës e në San Julie të Francës. Në fund tha:

─  Uroj me gjithë shpirt, të kemi, sa më parë, një Shqipëri të bashkuar!

Po kështu edhe udhëheqësi i nderuar Sejmen Gjokoli, në bisedën telefonike që e bëmë, i përshkroi shumë detaje e përshtypje që i kishin  ngelur, siç tha ai, për gjithmonë në kujtesë.

─ Unë jam shumë i kënaqur, nga pritja vëllazërore që na e bënë shoqatat e grupet artistik e atdhetare në Gjenevë e San Julie. Edhe në Gjenevë në koncertin që e dhamë edhe në Francë në një kështjellë kur u bë koncerti, qeshë i befasuar, u kënaqa shumë. Ajo salla në kështjellë qe aq e mirë, sa na dukej, se pikërisht, për ne ishte ndërtuar. Në të dy sallat qenë të plotësuara të gjitha vendet. Por, kur na pritën në Gjenevë aq shumë bashkatdhetarë nga Kosova e viset të tjera shqiptare, qe diçka shumë mbresëlënëse dhe po kaq mbresëlënëse qenë edhe pritja në shtëpinë e mikut tonë Shaip Dedës. Shaipi me të shoqen Luljetën na pritën me aq ngrohtësi vëllazërore, sa dukej sikur njiheshim me ta që nga fëmijëria. Aty u bë pastaj edhe një si festival ushqimor (kulianarie), ku gratë shqiptare kishin përgatitur ushqime tradicionale, më pas kënga gjeti vendin e harmonisë së saj, kënduam edhe ne edhe grupet folklorike shqiptare të atjeshme. Po, kështu edhe natën e fundit të qëndrimit në Gjenevë, na pritën anëtarët e ansamblit ”Gëzuar”, ku në një atmosferë tepër vëllazërore u kënaqëm, kënduam e shprehëm vlerat tona si një popull e komb i bashkuar. Unë them me një bindje të thellë se kur shqiptarët bëhen bashkë, kur mblidhen vëllazërisht, bëjnë vepra të shkëlqyera për kombin, për gjuhën, për kulturën e tyre, për trashëgiminë e tyre, janë të mrekullueshëm, janë të mëdhenj dhe bëjnë veprën e bashkimit të tyre, së paku shpirtërisht.

Siç kanë pohuar edhe miqtë e mi Shaipi, Sejmeni, Muharremi etj., takime, aktivitete e veprimtari të tilla artistike e folklorike, miqësore e vëllazërore janë jo vetëm të mrekullueshme e me mbresa të pashuara, por shprehin botërisht edhe dashurinë e njësinë e shpirtit dhe rrënjëve të përbashkëta shqiptare, kështu shprehin edhe bashkimin aq të nevojshëm të të gjitha trevave shqiptare në një Shqipëri, siç thotë Heroi i Popullit Isa Boletini, “aty ku i thonë bukës bukë e ujit ujë.”

Anëtarët e grupit “Bilbili” dhe disa pjesëmarrës të tjerë

Anëtarët e grupit “Bilbili” dhe disa të tjerë që erdhën së bashku në turneun e Zvicrës qenë:

Sinan Gjoleka, Tajre Bozhani, Dëfrim Mustafaraj, Tajre Bozhani, Sadik Hodo, Adriatik Çenko, Valbona Nora, Trifon Malaj, Viktor Gjoka, Florika Kotska, Gjelosh Hodaj, Flamur Brahimi, instrumentist popullor me fyell, Muharrem Rama,këngëtarja Ludmilla Baballëku, rapsodi – këngëtar me çifteli Viktor Paloka, “Mjeshtër i Madh”

Drejtor i grupit Sejmen Gjokoli me titullin “Mjeshtër i Madh”

Tani po e japim edhe tekstin e një këngë që për herë të parë u këndua në Gjenevë.

FLLAKADAN PËR SHQIPËRINË

(Poezi për tekst kënge)

(Tekstin e shkroi : Sejmen Gjokoli)

1.

Moj Kosovë, simboli ynë,

Moj Kosovë.

2.

Të zjarrtë e ke historinë,

Moj Kosovë.

3.

Derdhe gjakun për lirinë,

Moj Kosovë,

4.

Fitove pavarësinë,

Moj Kosovë,

5.

Dëshmorët gjerdan të rrinë,

Moj Kosovë,

6.

Heronjtë si yje ndrijnë,

Moj Kosovë.

7.

Jasharajt si flakërimë,

Moj Kosovë.

8.

Fllakadan për Shqipërinë,

Moj Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …