Ylber HASANI: UNË BIRI YT MË I NDYRI 

Ylber HASANI: UNË BIRI YT MË I NDYRI 

Të qetha Kosovë
unë vogëlsia ime
të qetha nga vetvetja
unë berberi servil i kohës
Mora çantë dhe ika
unë damar i yti
mijëra kilometra për së gjati
rrënjët e tua zbuluar me diell
të zhurita unë biri yt më i ndyri
të zhurita
kur ty më së shumti të duhesha 

Po unë hesht
dhe djajtë përkëdhel
dhe djajtë i ushqej
u jap shpirt dhe shpresë
kur ta thithin gjakun
kur ta thithin lëngun e syve
unë heshta dhe hesht
edhe pse gojë kisha dhe kam
unë biri yt më i ndyri 

Po Kosovë
nga britmat e tua të vdekjes
në errësirën time
dëgjoj duartrokitje për mua
vdekja jote
elektorati im
në errësirën e shpirtit tim
unë syerrëti
biri yt më i ndyri 

Mora kitarë dhe u zgjebosa
së kënduari kur ti vajton
Mora modë dhe u ndyeva
gjer në pafundësi
së krekosuri
kur ti para syve
lakuriq qëndron
unë biri yt më i ndyri 

Unë dhe truri im i tharë
të bëmë përrallë
që ti me vete të tallesh
që ti vetes njëmijë herë në ditë
ia tregon
unë rinia jote
përralla e përrallës
biri yt më i ndyri 

Unë intelektualuci i pafytyrë
me fytyrë të parruar
deri në dymbdhjetë i gjumosur
unë dështaku i lindur
shkruaj ardhmërinë tënde
unë biri yt më i ndyri 

Unë i matufosuri
mat pulsin tënd
kur ti nga plagët dihat
diagnozë kalimtare
unë i sëmuri nga pafytyrësia
të bëjë çudi
unë biri yt më i ndyri 

Unë filozof i ri
pendël e gjarpërit
lëkurë e lëmuar e hienës
unë i sëmuri nga karrierizmi
dua nam për largpamësi
unë biri yt më i ndyri
gënjej vetën njëqind herë në ditë 

Unë si i çmendur endem
nga ekstaza në ekstazë
mjet im i vetëm i kënaqjes
unë dhe organi im gjenial
biri yt më i ndyri 

Unë ika larg teje
unë ika në legjendë të panamë
dhe atyre trojeve si i marrë
u çmenda pas rrudhave dyzetvjeçare
duke të harruar ty
dhe vajzat e tua fidane
unë biri yt më i ndyri 

Po Kosovë
unë biri yt më i ndyri
kërkoj dhe meritoj
dënim
nga zoti yt dhe imi
publikisht më dëno
por aman për dy gisht nder
që ke Kosovë
për dy varre trëndafilash
për dy sy që shpojnë errësirën
Mos ma merr Kosovën. 

1994

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …