leoni

Enver Hoxha

Në Burgun e Suboticës, më 11 prill 1985, dita kur vdiq Enver Hoxha

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Ishte ora 13.00 e pas ditës së 11 prillit të vitit 1985,  kur Radio-Beogradi në emisionin e përditshëm javor,  të quajtur “karavan”,  kishte ndërprerë për pak çaste programin, dhe kishte  dhënë lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës.

Agim Leci ishte ngritur rrufshëm nga krevati në katin e dytë, po ashtu ishte ngritur edhe Sllavko Miletiqi.

-Bal, kështu më thërriste Agimi, paska vdekur xhaxhi, e dëgjove?

-Ka qenë e pritur Agim, Ishte i sëmurë rëndë.  Kemi dhembje ne dhe të gjithë shqiptarët, por nuk  kemi çfarë të bëjmë.

Ndërkohë ishte afruar, Miletiqi dhe të dyve na kishte shprehur ngushëllime.

Edhe hungarezi Mihal Basci, na kishte shprehur ngushëllime.

Kapiteni Dragan, bëhej sikur flinte dhe nuk ishte ngritur nga krevati.

-Kur e zuri gjumi këtë pederin ne sapo u shtrimë, kishte thënë Sllavko Miletiqi, me qëllim që ta provokonte. Në intervalin kohor  prej orës 13.00 deri në orën 15.00 lejohej shtrirja por edhe fjetja në shtat dhe shumica e të burgosurve flinin, meqë na zgjonin në orën 5.00 të mëngjesit.

-Pse po e nget, iu kisha drejtuar Miletiqit, paksa me zë qortues, meqë e dija se ai nuk do të më hidhërohej në asnjë mënyrë.

-Më fal profo por po ta dije si unë se kush është kjo shtazë me fytyrë njeriu,  nuk do të më qortoje. Mendoj se këtë qëllimisht e kanë futur këtu për të na provokuar.

-As edhe gjumin, që ma siguron rregullorja e burgut nuk po më lini rehat ta bëj, kishte thënë kapiteni Dragan dhe kishte vazhduar. Paska vdekur një armik i Jugosllavisë, nuk u bë nami. E di sesa dhembje kanë profa dhe Agimi, por nuk  të kuptoj ty, Sllavko as këta magjarët e butë që po shprehin ngushëllime. Kur ka vdekur prijësi ynë i madh, Josip Broz Tito, pesë vjet më parë, Enver Hoxha ka thënë se vdiq armiku më i madh i Shqipërisë dhe i socializmit. A nuk është ashtu profo, m’u kishte drejtuar Kapiteni Dragan.

-Nuk po flisnin për ty, ti këqyr punon tënde, askush nuk po të gërget për këtë rast, ia ktheva.

-Ky Dragan pederi e ka me mua, por e bën me hile, si gjithnjë, thotë Sllavkoja dhe i drejtohet:

-Dëgjo pede, ka vdekur njeriu më i drejtë dhe më trim, që nuk iu ka përkulur askujt, madje Amerikës, as Rusisë.

-Vajto pra, bërtit piskat, çirre fytyrën, në dash edhe vrite veten  se të paska vdekur më i dashuri, ia kishte kthyer tërë mllef, Dragani, por nuk ishte ngritur nga krevati.

-Përse po bërtet kaq fort, m… i ndyrë, apo  e bën për të dëgjuar “muria” sesa patriot je ti,  që dhunon vajza të mitura.

Dragani ishe ngritur nga krevati, kishte filluar të përgatiste rrobat dhe na kishte bërë me dije se do të kërkonte të largohej nga dhoma, meqë, sipas tij iu kishte bërë e padurueshme,  nga presioni që po ushtrohej nga ne të tre, por veçmas nga Sllavkoja.

-Nuk do të nxirresh kaq lehtë, pede, meqë nuk je burrë, fillimisht  do të hysh atje, kishte bërë me dorë nga VC-ja që ndodhej në këndin e dhomës, përballë derës.

-Shko në të satemë ti dhe Enver Hoxha i  kishte thënë ters.

-Mos më shaj more bir bushtre se t i thyej turinjtë kishte thënë dhe i kishte rënë grusht aq fort në gjoks sa ia kishte zënë frymën.

Në moment ishte hapur dega e dhomës nga gardiani kujdestar, magjari Llasllo, dhe dy gardianë të tjerë, të cilët kishin përgjuar bisedën dhe shamatën.

Të gjithë ktheni shpinën dhe rreshtohuni me duar për muri!,  kishte urdhëruar  gardiani.

Në raste të tilla të burgosurit duhej të ngrehnin  duart lart, mbështetur për muri dhe të zgjeronin këmbët anash,  në pozitë që të mund të kontrolloheshin nga gardianët mos kishin ndonjë gjësend, nga frika për ndonjë kurdisje, me qëllim për t i rrëmbyer gardianët dhe për të ikur nga burgu,

-Çka po ndodh këtu, m’ kishte drejtuar gardiani, duke më prekur shpinën me pendrekun që e mbante në dorë.

-Gjëra që ndodhin. U dha lajmi se vdiq Enver Hoxha dhe kjo mjaftoi për shamatë.

-Për shamatë, apo për rrahje?

-Përfundoi  vetëm me një grusht, sepse ky kapiteni ma shau nënën dhe Enver Hoxhën kishte ndërhyrë Sllavkoja.

-Nuk të pyeta ty, mos leh, ia kishte kthyer gardiani Llasllo.

-Nuk ke të drejtë të më krahasosh me qenin, i thotë Milietiqi.

-Je më i keq se qeni ia kishte kthyer, kapiteni Dragan.

-Për ty jam tigër, jam luan…

-Pse po i drejtoheni vazhdimisht profesorit, e jo neve që po bëjmë shamatë, kishte ndërhyrë Agim Leci.

-Praj ti, di unë kë pyes nuk mbeta të të pyes ty, more vesh!. Gardiani ishte rezervuar dhe Agimit nuk i kishte thënë mos leh. Kjo linte për të kuptuar se ai do ta ndëshkonte Miletiqin.

Agimi nuk ishte përgjigjur, ndërsa gardiani më kishte urdhëruar të kthehesha më fytyrë nga ai dhe të shpjegoja se çka kishte ndodhur.

Me kohë e kisha vërejtur se të gjithë gardianët hungarezë kishin simpati ndaj meje, në radhë të parë si njeri i arsimuar dhe që nuk shkaktoja asnjë problem, Të gjithë e dinin se kisha edhe simpatinë e drejtorit të burgut, edhe pse ajo nuk deklarohej hapur.

Kisha shpjeguar rrjedhën e ngjarjeve, i vetëdijshëm se ata kishin përgjuar dhe nuk kisha edhe çka të fshihja.

-Kapiten, a është e vërtetë kjo që po thotë ky shoku yt i dhomës.

-Nuk e kam shok një armik të Jugosllavisë dhe nuk i shpreh ngushëllime për vdekjen e Enver Hoxhës. Po ju e dini mirë se ky është “pogllavica” këtu, ndërsa i manipulon Agimin dhe Miletiqin.

Të gjithë ju gardianët por edhe vetë drejtori i burgut keni simpati për këtë “profon” sikur e quani dhe është pikërisht kjo, të cilën nuk po arrij ta kuptoj.

-Kjo nuk të përket ty.

-Më përket posi jo, i di unë të drejtat e mia në burg, të cilat ju i shkelni për ditë.

-Cilat të drejt për shembull, iu kishte drejtuar gardiani.

-Pse nuk ma siguroni gjumin e ditës, por lejoni të më zgjojnë dhe të më godasin pse nuk kërkoj ngushëllime për vdekjen e Enver Hoxhës?.

-Pse nuk je ankuar, ne këtu nuk kemi kamerë dhe as u përgjojmë se çka po ndodh.

-Po kujt ka mbetur t i ankohesh këtu, ku shqiptarët edhe brenda burgut e bëjnë ligjin?

-Unë ta bëj ligjin ty, dhunues i vajzave të mitura, mos i përziej shqiptarët, unë të godita, jo këta.

-Ligji jam unë këtu e jo ti, Miletiq, iu kishte drejtuar me mllef, gardiani Llasllo i gatshëm për ta ndëshkuar. Pasi e kishte urdhëruar të kthehej  me fytyrë nga ai e kishte goditur dy herë me gjoks dhe i kishte thënë, ky është ligji për ty sa për fillim.

Edhe pse goditja kishte qenë e fortë, dukej se trupi i boksierit Sllavko as e kishte hetuar. Ishte mësuar me goditjet e gardianëve.

-Edhe dhjetë grushte të tilla nuk bëjnë sa një goditje imja, gardian.

-Sa një goditje e boksierit të kategorisë Velter, do të  thuash.

-Pikërisht ashtu.

Unë dua të largohem nga kjo dhomë dhe më mirë të më dërgoni ne qeli, sesa në dhomë me ndonjë shqiptar.

-Në të gjitha dhomat ka të burgosur shqiptarë, madje edhe qelitë janë përplot, jo veç këtu, në Vojvodinë  por kudo në burgjet e Jugosllavisë, kishte thënë Agim Leci. Gardiani Llasllo nuk i kishte dhënë rëndësi konstatimit të Agimit, ndërsa Kapiteni Dragan i sigurt se do ta largonin nga dhoma, ia kishte kthyer.

-Do të ndërtojmë edhe qindra burgje të tjera për ju, por Republikën kurrë nuk do t ua japim.

-Kush të pyet ty për Republikën, kapiten që ke dhunuar vajza të mitura, ti je një horr, jo njeri ia kishte kthyer,  Agim Leci, i penduar pse nuk e kishte grushtuar.

-Mjaftë më, merr rrobat tua dhe dil në korridor, kishte urdhëruar “kapitenin”, gardiani kujdestar, Llasllo.

Ahmet Qeriqi

prill 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …