leoni

Nasip Kaçi: Eqrem Çabej, figurë e shquar e gjuhës shqipe dhe gjuhësisë së re shqiptare II

       Me interes është edhe rruga e metoda e ndjekur nga profesor Çabej në studimet  e tij diakronike. Si në studimet  etimologjike, ashtu dhe në ato për fonetikën, gramatikën dhe dialektologjinë historike, ai është mbështetur në parimin që, duke u nisur  nga faza e dokumentuar e shqipes dhe duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme, të ngjitemi shkallë-shkallë në fazat më të hershme të saj. Pra, baza e metodës së tij hulumtuese është krahasimi i brendshëm, duke u nisur nga e njohura për të zbuluar të panjohurën. Për t’ia arritur sa më mirë këtij qëllimi, ai është mbështetur edhe në krahasimin me gjuhët e tjera indoevropiane, por krahasimin e jashtëm ai e ka shfrytëzuar si një mjet plotësues.

       Një tjetër veçori e metodës së tij hulumtuese, sidomos në studimet etimologjike, ka qënë zbatimi me sukses i parimit të shkollës “Fjalët dhe sendet”, e themeluar në fillim të shekullit të njëzetë nga R.Meringer  dhe H. Shuhard. Sipas kësaj shkolle gjuhësore, duhen pasur parasysh lidhjet e ndërsjellta midis sendeve dhe fjalëve përkatëse, që ishte zbatuar edhe nga mësuesi i tij i shquar N. Jokli. Zbatimi i kësaj metode shkencore në mënyrë krijuese i dha mundësi profesor Çabejt që të mënjanojë disa nga gabimet, ku kishin rënë ca studiues të mëparshëm të gjuhës shqipe.

       Interesat  e profesor Çabejt në fushën e historisë së gjuhës shqipe  kanë qënë të shumanshme, por ndihmesa më të rëndësishme ai ka dhënë sidomos në fushën e etimilogjisë, të fonetikës historike, të gramatikës historike e të dialektologjisë si dhe për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe. Atij i takon merita qe iu përvesh një pune të madhe shumëvjeçare për vjeljen sistematike të fjalëve dhe shprehjeve të gjuhës shqipe jo vetëm nga fjalorët e kësaj gjuhe por dhe nga burime të drejtpërdrejta, siç janë ndër të tjera veprat e autorëve të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, botimet me materiale dialektore nga arbëreshët e Greqisë, të Italisë dhe të ngulimmeve të vjetra shqiptare jashtë Atdheut, si dhe nga krahina të ndryshme të Shqipërisë.

       Një tjetër temë që ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e ketij studiuesi gjenial ka qënë ajo e prejardhjes së gjuhës shqipe, së cilës i është kthyer disa herë me plotësime argumentesh. Për dijetarët e mëparshëm prejardhja e shqipes nga ilirishtja ishte një gjë e vetëkuptueshme, mirëpo qysh nga fundi i shekullit të kaluar e sidomos gjatë shekullit tonë disa gjuhëtarë e kanë kundërshtuar këtë mendim dhe kanë mbrojtur hipotezat, sipas të cilave shqipja është bijë e trakishtes, apo e së ashtuquajturës dakomizishte etj. Profesor Çabej në artikujt dhe kumtesat e tij me argumente gjuhësore, historike- gjeografike etj. i ka kundërshtuar ato hipoteza dhe ka mbrojtur  tezën  e burimit ilir të shqipes. Kjo tezë ka gjetur tashmë përkrahje në një numër gjithnjë e më të madh studiuesish të huaj.

       Por duhet thënë se kryet e vendit  në prodhimtarinë shkencore të profesor Eqrem Çabejt  e zënë “ Studimet etimologjike në fushë të shqipes,  që Kadarea i ka cilësuar  kurora e veprës së tij  shkencore të cilave ai arriti  t’u jepte formën përfundimtare dhe t’i botonte në revistën : Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, seria shkencat shoqërore, nga nr. 4 – 1964, si dhe janë ribotuar në Prishtinë në vëllimin 1 dhe 2 në vitin 1967, në Studime Gjuhësore.

        Ndihmesë të rëndësishme ka dhënë ky studiues i shquar edhe në fushën e fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes. Nga fonetika historike ai në tekstin për shkollat e larta, (i ribotuar disa herë në Tiranë në formë dispense dhe i ribotuar si libër në Prishtinë më 1970)  dhe në studime  e artikuj të ndryshëm, të  botuar brenda dhe jashtë vendit, ka trajtuar çështje të rëndësishme të evolucionit të sistemit fonetik të gjuhës shqipe.

       Profesor Çabej është marrë edhe me disa çështje të rëndësishme nga fusha e gramatikës historike të shqipes, siç janë: shumësi i singularizuar  në gjuhën shqipe, Problemi i nyjave të shqipes, Çështja e gjinisë asnjanëse etj.  Vëmendje të posaçme ai i kushtoi hulumtimit dhe studimit të dialekteve të shqipes.

       Veprimtaria shkencore e tij ka  pasur jehonë të madhe në Kosovë, ku përveç  artikujve   të shumtë të ribotuar nëpër revista të ndryshme, është bërë një punë e mirë edhe me ribotimin e të gjitha shkrimeve të tij në disa vëllime. Deri sot janë botuar shtatë vëllime me titullin “Studime gjuhësore”.

       Veprat dhe artikujt shkencorë të Çabejt janë botuar në vende të ndryshme të botës, që  dëshmon për interesimin e madh, që ka ngjallur veprimtaria shkencore e këtij gjuhëtari të shquar  edhe jashtë Shqipërisë si në  Austri,Gjermani, Rumani, Itali, Francë, Poloni etj.

      Për interesimin e madh që ka ngjallur në botën e jashtme vepra shkencore e tij, dëshmon edhe letërkëmbimi shumë i gjerë që ka pasur ai me një numër të madh gjuhëtarësh të huaj, nga të cilët mjafton të përmendim disa nga më të shquarit si: H.Pedersen, Paul Kreçmer, Norbert Jokli, Karl Paç, Maksimiljan Lamberc, Aleksandër Graur, Aleksandër Roseti, Vladimir Georgev, Vaklav Cimohovski, Haralambie  Mihëjesku, eti.,etj.

Vitet e fëmijërisë që kaloi në Gjirokastër, lanë mbresa të pashlyeshme në vetëdijen e shkencëtarit të ardhshëm, i cili edhe në moshë të thyer, i kujtonte gjithnjë me mall ato vite. Në kujtimet e vitit 1967, të  nipit të tij Dragush Çabej, thuhet : “ Kishte shumë mall për Gjirokastrën. Shkonte me shumë dëshirë kur gjente kohë. Në prill të 1967-ës e prita sa erdhi. Zbriti te Sheshi i Çerçizit. Ishte vonë kur mbëriti. Qëndroi një copë herë duke parë monumentin e tij.Pastaj, si e brodhi me sy të gjithë qytetin, u kthye nga unë dhe më tha : “ Dua të rri pak vetëm, se kështu më duket sikur bisedoj me Gjirokastrën dhe çmallem me të. Ika këndej fëmijë fare, njëmbëdhjetë vjeç pa bërë”.Pas një çopë here  morëm Qafën e Pazarit. Ai, i heshtur gjithmonë, duke kaluar nëpër kalldrëmet,tani zuri të fliste e të fliste për bukuritë e Gjirokastrës. Qëndroi para shtëpisë së tij  “ Këtu u vra bimbashi turk.  Këtu përballë ka qënë fura e Kolës. Paskan ndërtuar një shtëpi të re në vend të furrës. Bahçeja jonë. Këtu me Fejziun, Tahsimin Feritin e të tjerë luanim me cingla, dollapet, top-gropën…Shtatë kronjet. Këtu, me vëllanë merrnim gjymat dhe mbushnim ujë. Hani i Stavros. Këtu vinin e bujtnin më shumë fshatarë nga Labëria. Hani i Zagories. Këtu bujtnin nga Zagoria, Sopiku…Ja libraria e Nimet Karagjozit.  Këtu nxënësit e shkollës blinin libra e broshura të Buzukut, Matrangës, Samiut, Naimit,  letërsi  klasike frënge…” Desha t’i thosha ndonjë fjalë tjetër, po, kur  vura re se as po më shikonte fare, e kuptova  që donte të bisedonte me veten dhe nuk fola. Mos e nga,  Dragush, i thashë vetes, ka mall e nuk do trazuar”

        Studimet e larta filologjike, siç e thamë më lartë, i bëri në Austri, ku dhe u specializua për gjuhësi  krahasuese  indoeuropiane.  Për afër  një  gjysmë shekulli  punoi sistematikisht  për shkollën e studimet  shqiptare, duke  i dhënë ndihmesa të rëndësishme  veçanërisht arsimit të lartë dhe gjuhësisë shqiptare.Veprimtaria  e tij kërkimore  me kohën  mori përmasa të gjera  dhe u ngrit në një shkallë të lartë. Në vitin 1946 profesor Çabej  dha  mësim në Institutin e  Lartë Pedagogjik,  më pas  në  në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë  dhe në  Fakultetin e Histori-Filologjisë. Hartoi tekstet e disa lëndëve kryesore, ishte  bashkautor në një varg veprash kolektive. Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qënë historia e gjuhës e vështruar në aspektet e problemet më të ndryshme të saj. Vendin qendror  e zënë  studimet etimologjike dhe leksikologjike  historike, por mjaft peshë kanë  edhe fonetika e gramatika historike e shqipes, historia e përgjithshme e shqipes  me problemet e prejardhjes së saj, të marrëdhënieve me gjuhët motra indoevropiane, me gjuhët ballkanike  e me gjuhë të tjera, po ashtu edhe gjuha e autorëve të vjetër  e botimi filologjik i veprave të tyre. Ndihmesa me rëndësi ka dhënë profesor Çabej  edhe për dialektologjinë e onomastikën, si edhe për kodifikimin e gjuhës letrare. Ndër veprat më kryesore të tij janë : Studime  etimologjike  në fushë të shqipes : 1-2-3,  Hyrja në historinë e gjuhës shqipe (1947, 1958), Fonetika  historike e shqipes (1958), botimi kritik i veprës “ Meshari “  i Gjon  Buzukut,(1958), bashkë me Aleksandër Xhuvanin hartoi dy trajtesat “Parashtesat”  dhe “ Prapashtesat” e gjuhës shqipe” (1956, !962). Profesor Çabej është bashkautor i “Fjalorit të gjuhës shqipe” ( 1954), po ashtu ndër  hartuesit e udhëzuesve drejtshkrimorë,që u punuan pas Çlirimit deri në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe” (1973). Mori pjesë gjallërisht në përpunimin e terminologjive të shumë degëve të shkencës e teknikës. I ndrituri Çabej argumentoi në mënyrë bindëse prejardhjen ilire të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, autoktoninë e tij në trevat ku banon sot, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare.  Profesor Eqrem Çabej, si përfaqësues i shquar i gjuhësisë shqiptare, u njoh si autoritet shkencor edhe në rafshin ndërkombëtar dhe u çmua  lart për meritat e tij veçanërisht në gjuhësi dhe albanologji.

       Poeti dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare për Eqrem Çabejn shkruan si më poshtë : “ Jeta dhe vepra e Çabejt  është një ngjitje në ngrehinën e madhe të universit të gjuhëve, që është një lartësi e vështirë e shkencës dhe një bastion i vërtetë i  qytetërimit shqiptar. Kam patur fatin ta njoh e ta takoj shumë herë Eqrem Çabejn. Më shumë se i njëjti qytet ku kishim lindur, na bashkonte  mbarë gjuha shqipe, ajo që flitej nga jugu në veri, e përtej kufijve e përtej detit e përtej oqeanit Atlantik. Njohja me të më  erdhi  nëpërmjet një drejtimi të lumtur : poezisë. Ai u mor tërë jetën me një nga përmasat më të gjera, më madhështore e më misterioze të jetës sonë:  gjuhën. Ai punoi tërë jetën me mund prej titani për gjuhën tonë shqipe, atë gjuhë që e mbajti gjallë unitetin e kombit  e  u mbajt edhe vetë  gjallë prej tij. Të lidhura kështu me këtë materie të pavdekshme, emri dhe vdekja e Eqrem Çabejt e kanë të natyrshme, si një cilësi të racës, pavdekësinë.”

       Ky dijetar  i shquar  më 17 gusht 1980 u përcoll për në banesën e përjetshme,   në dheun mëmë që aq shumë e donte nga përfaqësuesit më të lartë të Partisë, të shtetit dhe të shkencës e kulturës shqiptare. Me vdekjen e tij shkenca dhe kultura shqiptare humbën një nga përfaqësuesit e tyre  më të talentuar dhe më prodhimtarë.  Në ceremoninë e varrimit të tij, Profesor Aleks Buda, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë tha: “Vepra e Eqrem Çabejt  nuk ka të vdekur, ajo do të mbetet kurdoherë si një shembull, si një thesar i vyer  në duart e studiuesve, të shkencëtarëve të sotëm e të ardhshëm të vendit tonë.”

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …