Pas zbatimit të dy projekteve, atë të ndërmarrjes së masave të efiçiencës së energjisë dhe projektit të riparimeve të brendshme, investime këto të komunës së Rahovecit, sot nxënësit dhe mësimdhënësit e SHFMU “Bekim Sylka” u rikthyen në objektin e tyre. Me këtë rast, kryetari Latifi i shoqëruar nga nënkryetari i komunës, drejtori i arsimit, zyrtarët e arsimit dhe në prani të drejtoreshës së shkollës, mësimdhënësve dhe nxënësve, përuruan realizimin e këtyre dy projekteve. Gjatë kohës sa zhvilloheshin punimet, nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë mbajtur mësim në objektin e shkollës profesionale. Duke uruar rikthimin në objektin e tyre shkollor, kryetari Latifi kërkoi nga nxënësit, mësimdhënësit, punëtorët mirëmbajtës dhe nga organet drejtuese të shkollës, që të kujdesen maksimalisht dhe ta mirëmbajnë siç duhet objektin shkollor dhe hapësirat e tij.