Doli nga shtypi libri me poezi i Martin Çunit, “Vargje të sprasme jete”

Doli nga shtypi libri me poezi i Martin Çunit, “Vargje të sprasme jete”

Përmbledhja poetike e Martin Çunit, “Vargje të sprasme jete”, ashtu sikur edhe përmbledhjet paraprake, i përket motiveve të ndryshme, nga jeta e tij, shoqëria, ambienti ku jeton e të tjera. Libri ka 155 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi, Shkrola.

Sadik KRASNIQI
PAK FJALË PËR LIBRIN

E lexova me vëmendje librin me poezi “Vargje të sprasme jete” që pret të botohet. Përgjithësisht është një libër përkushtimor me tema dhe motive të ndryshme të ngjarjeve, ndodhive, dhe të fenomeneve të ndërlidhura me njerëz të përditshëm në raport me autorin, por edhe me figura të shquara historike madje edhe mitologjike.
Vetë krijimet përkushtimore e në këtë rast poezitë e këtij libri kanë një natyrë të veçantë. Kjo veçanti e përkushtimores karakterizohet me një kufizim lirie shfrenuese, motivore dhe figurative. Kjo ndodhë nga se relacioni në mes autorit dhe njerëzve që u përkushtohet është tejet i ndjeshëm dhe emotiv. Kjo ndjeshmëri dhe emotivitet në këtë libër (kryesisht në ciklin e parë “Shqiptares”), është realizuar kujdesshëm dhe me një sinqeritet e përafërsi, dashamirësi e madje edhe adhurim. Subjekti lirik i këtij cikli arrihet përmes reflektimit emocional të autorit me nënën, fëmijët, gruan, miqtë, bashkëluftëtarët, duke vajtur më tutje deri në admirim për dëshmorët dhe heronjtë e luftës së fundit të Kosovës, në të cilin mori pjesë edhe vetë si gazetar lufte dhe bshkëthemelues i institucioneve informative të luftës.
Në këtë kapitull poezitë që duhet veçuar përnga niveli artistik që ngërthejnë figura poetike janë: “Vizita në Çana- Kala”, “Atë ditë kobi”, “Gurë jetimë jemi ne”, “Krimi”,” Mbi retë ilire”, dhe “Guri i djegur”.
Figuracioni i përgjithshëm në këtë cikël sikur është përqendruar tërësisht te këto poezi, sidomos i metaforës.
Dy ciklet vijuese, janë perceptimet dhe reflektimet e ngjarjeve dhe dukurive të përditshme në raport me njeriun dhe poetin. Qëndrimi i poetit ndaj këtyre rrethanave dhe bartësve të tyre është tejet kritik, shpotitës e ironik. Duhet lexuar poezitë: “Pa përulje”, “Çudi”, “Liria me bisht”,” Faqja e zezë”, “Zerzonat tona”, për ta ditur qëndrimin etik të poetit ndaj këtyre dukurive të përditshme, e që poeti mendon se janë zezona shëmtishë. Duke qenë se këto vese janë tradicionale, Martin Çuni në disa poezi shfrytëzon edhe mbindërtimet e poezisë gojore, siç është prolepsa “Faqja e zezë”, e cila në këtë rast jepet bukfalisht siç e shpreh gojorja, vetëm se poeti premisave orale ia bashkangjet silogjizmin në vargun e fundit me një sens të bukur ironik: ”Faqja e zezë, n’kali të bardhë”.
Cikli përfundimtar është, sikur thekson edhe vetë autori, “një falënderim i bardhë nga zemra” për miqtë e vetë krijues. Në këtë kaptinë përfshihen disa vjersha që i përkushtohen autorit nga poetët miq të tij. Në fund mund të themi libri “Vargje të sprasme jete”, mund të lexohet dhe kuptohet me një lehtësi nga çdo lexues, e sidomos nga ata që duan të mbeten në suaza të kënaqësisë estetike të semantikës, krejt kjo në sajë të poetikës, gjuhës dhe stilit të shfaqur qartas në këtë libër.
Martin Çunit, duke i uruar suksese për librin, njëherit e falënderoj dhe e konsideroj nder dhe respekt për mua, për besimin që më dha si recensent.

Mars 2022. Nidda e Hesenit, Gjermani

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …