Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar që të shtyhet seanca e ditës së sotme në Gjykatë, shkaku i angazhimeve të tij. Gjykata e ka pranuar ta shtyjë në afat të pacaktuar gjykimi në rastin ku Glauk Konjufca akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar në vitin 2016 në Kuvendin e Kosovës. Lidhur me mungesën e Konjufcës, gjykatësja Edita Çanta konstatoi se i njëjti përmes parashtresës, ka kërkuar shtyrjen e seancës pasi që nuk mund të jetë prezent për shkak të angazhimit në funksionin që ushtron. Po ashtu, gjykatësja tha se gjykata ka njoftuar stacionet policore përkatëse lidhur me revokimin e urdhëresave për dëshmitarët, Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri, meqenëse nuk ka kushte për mbajtjen e seancës. Ky rast tregon më së miri se sa të pavarura janë organet e drejtësisë në Kosovë. Pavarësisht se sot është në postin e kryekuvendarit, Konjufca vazhdon të jetë i pandehur për vepër penale, të kryer pikërisht në Kuvendin të cilin e drejton. Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca akuzohet se më 10 gusht të vitit 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, Glauk Konjufca në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit.