Enver Hoxha

A. Qeriqi: Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha, dy personalitetet ndër më të fuqishmit të kombit dhe më të sulmuarit, veçmas nga bashkatdhetarët e tyre II

Ahmet Qeriqi
Ahmet Qeriqi

Cilat ishin idealet e Ali  Pashë Tepelenës e cilat ato të Enver Hoxhës?

Duke qenë se kanë jetuar në dy botë të ndryshme idealesh, qytetërimesh e preokupimesh të ndryshme të dy kanë pasur idealet e kohës së vet, Aliu ato të Lindjes, Enveri ato të Revolucionit francez  dhe Evropës qytetare.

Ali Pashë Tepelena ishte ngritur dhe ishte dalluar si luftëtar, duke u kacafytur me jetën në kohën e mbretërimit të një vrazhdësie mizore, kur për të mos qenë i poshtëruar nga armiku, duhej të  poshtëroje, duke qenë i sulmuar, nga frika se do ta vrisnin, ai vriste. Andaj rruga në jetë e farkoi për të qenë i paepur, trim, mizor, vrasës, me qëllim për të përfituar dhe për të mbijetuar. Akti barbar i dhunimit të nënës dhe motrës, e kishte bërë hakmarrës të pa ndreqshëm dhe të përjetshëm…

Enver Hoxha, preokupim kishte arsimimin, diturinë, tregtinë, shkollimin, kulturën, vetëdijen kombëtare e revolucionare, më vonë edhe fuqinë e pushtetin.

Emërues i përbashkët i preokupimeve themelore të të dyve ishte pushteti, të cilin e morën dhe qeverisën nga afër 40 vjet dhe lanë gjurmët më të thella të mundshme, secili në kohën e tij.

Ali Pashë Tepelena, pranoi pa rezervë postin e qeveritarit vasal, sa për fillim, për të vazhduar pastaj, në radhë të parë për interesat e veta, me dredhi e dhelpëri, me shpatë e ushtë, me forcë e guxim, me dinakëri e zgjuarsi, të pashembullt në historinë e kohës.

Enver Hoxha, në kohën e tij të rinisë e burrërisë ishte pajisur me kulturë evropiane, e njohur si  Allafrënga,   ndërsa ajo e Ali Pashë Tepelenës kishte qenë,  Allaturka. Dy botë të ndryshme nga orientimet ideologjike, por dy botë kundërshtare dhe të dyja mizore,  karshi njëra tjetrës. Nuk kishte si mund të ndodhte ndryshe, në kushte dhe rrethana të tilla.

Ali Pashë Tepelena, në saje të aftësisë së tij të lindur e të trashëguar në nënë Hanka, rrugën e vet e hapi me shpatë në dorë, duke mos kursyer as kë për të arritur qëllimet, në fillin duke respektuar me besnikëri urdhrat e Sulltanit, e duke fituar  favore nga ai. Me kohë kishte mësuar e përsosur  po ato dredhi që i bënte  vetë Sulltani, të afërmit e vasalët e tij.

Duke qenë i vetëdijshëm për guximin e lindur, trimërinë, strategjinë që e kishte fituar nga përvoja, kishte krijuar një klasë vasalësh të nënshtruar, duke i blerë me para e favore, duke i kthyer në robër të verbër, të bindshëm, pa pranuar as kundërshtimin më të vogël prej tyre, pavarësisht kishin apo nuk kishin të drejtë.  Madje kështu veproi edhe me   bijtë e të afërmit.

Ai kishte ndërtuar identitetin e vet arnaut-turk-ballkanik, tolerant ndaj skllevërve grekë aromunë, sllavë  dhe herë i dashur e herë mizor kundër shqiptarëve me fe islame, apo kundër bashkëkombësve suljotë e arvanitas, të cilët edhe i donte edhe i ndëshkonte, sipas kushteve  e rrethanave, sipas interesave dhe strategjisë së tij.

Ali Pashë Tepelena, me sundimin e tij fillimisht nën Perandorinë, me kohë kishte hetuar se më shumë po shfrytëzohej ai nga Stambolli, sesa arrinte t’i shfrytëzonte masat skllave për të qëllimet e veta, andaj kishte marrë pozicion strategjik, duke mos ia plotësuar të gjitha kërkesat Sulltanit, por duke fshehur thesaret për qëllimet e veta.

 

Enver Hoxha, në saje të shkollimit dhe edukimit, në Shqipëri dhe në Francë kishte hapur rrugët e diturisë dhe të idealeve çlirimtare e revolucionare të kohës, duke u përcaktuar në ideologjinë majtiste,  e cila kishte përfshirë jo vetëm Evropën, por dy të tretat e botës.

I entuziazmuar nga Revolucioni i Tetorit në krye me Leninin, ai kishte pranuar pa rezervë teorinë marksiste-leniniste si të vetmin vizion, si të vetmin opsion, si të vetmen rrugë për nxjerrjen në dritë të bashkëkombësve, por edhe të gjithë popujve të robëruar nga borgjezitë e tyre sunduese, kapitaliste.

Ai kishte identitet të fortë kombëtar, nacionalist, të cilin nuk ia zbehu as marksizmi e leninizmi, sepse me kohë e kishte kuptuar se në fillim duhet krijuar forca e madhe dhe e fuqishme, e brendshme, për t’ u mbështetur në radhë të parë në forcat e veta, pastaj për të hapur dyert e bashkëpunimit reciprok mbi interesa të ndërsjella, me të gjithë të tjerët.

Aliu pretendonte të bëhej Sulltani i Turqisë Evropiane, Enver Hoxha pretendonte se ishte  i vetmi mbrojtës  i marksizmit dhe  leninizmit burimor, në kohën e socializmit revizionist.

Ali Pasha kishte ndërtuar kala të bunkerizuara dhe me forcat e veta mbrohej nga Perandoria më e  fortë e botës.

Enver Hoxha bunkerizoi Shqipërinë, e cila rrethohej nga të gjitha anët me shtetet armike e grabitëse por i kufizuar nga të gjitha anët me popullatë shqiptare, nën sundimin e fqinjëve armiq.

Ishte frika nga bunkerët e Enver Hoxhës, ajo që dogji planet për pushtimin e Shqipërisë Greqisë e Jugosllavisë.

 

Nga lufta dhe armët e municionet e  Ali pashës, përfituan grekët e arvanitasit, të cilët e shpallën Greqinë shtet.

Nga armët që kishte blerë Enver Hoxha sidomos nga Kina  dhe i kishte vendosur nëpër bunkerë, ishte çliruar Kosova në krye me Ushtrinë e saj Çlirimtare.

 

Enver Hoxha me klasën e tij politike, ushtarake, ekonomike kishte ngritur Shqipërinë nga krejt  ai pak  zhvillim i kohës së Ahmet Zogut, që edhe ashtu ishte shkatërruar gjatë luftës së Dytë Botërore. Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ai e udhëhoqi më mirë se asnjë nga prej komunistëve të vendeve ballkanike, duke e çliruar vendin me forcat e veta, pa e qasur Armatën e Kuqe, sikur kishin bërë të gjitha shtetet sllave dhe jo vetëm ato, sepse ishte Stalini ai i cili e kishte thyer e përmbysur Rajhun e Tretë, i ndihmuar në fund edhe nga Amerika e kohës.

Ai Pashë Tepelena strategjinë e tij të zhvillimit ekonomik ia kishte përshtatur ushtrisë së tij në radhë të parë mbrojtëse, por edhe pushtuese, sa herë që i jepej rasti. Kishte ngritur flotën më të madhe të kohës, e cila kishte përballuar me sukses madje edhe sulmet e Ushtrisë së Napoleon Banapartës, por edhe forcat cariste  ruse që përpiqeshin të dilnin në Detin Egje. Kishte ndërtuar sidomos kështjella të mëdha e të fortifikuara me armatimin më modern të kohës, kishte ndërtuar edhe ura e spitale, shkolla e faltore, madje kishte ndihmuar  e kishte ngritur edhe sa e sa kisha e manastire ortodokse, por edhe xhami, hamame e teqe, pushimore në det e vendverime. Pashallëku i Janinës joshte diplomacinë dhe inteligjencën evropiane, e cila edhe e frekuentonte, por e tradhtonte sapo i jepej mundësia. As Aliu nuk i kursente kur binin ndesh me interesat e tij.

Të gjitha këto dëshmohen nga ata që  kanë studiuar jetën dhe veprat e tij, por që tekstet tona të historisë as i përmendin, as e mësojnë fare Ali Pashanë, sepse paska qenë mysliman, pasha i Turqisë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …