Zeki Xhevat Shulemaja (24.7.1974 - 16.4.1999)

Zeki Xhevat Shulemaja (24.7.1974 – 16.4.1999)

Zekiu u lind më 24 gusht të vitit 1974 në Prishtinë, në një familje atdhetare, e cila në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, qe detyruar ta lërë vendlindjen në Toplicë, (tani në Serbi), ku kishte jetuar me shekuj. Nën dhunën shfarosëse të bandave serbe, edhe kjo familje, ashtu sikurse qindra e mijëra të tjera, shpërngulet nga Toplica dhe vendoset në Prishtinë.
Mësimet fillestare, Zekiu i mori në Shkollën Fillore “Elena Gjika” të Prishtinës. Më pas, me sukses meritor, kryen Gjimnazin “Sami Frashëri”, po në Prishtinë.
Në vitin 1993, sapo kishte mbaruar shkollën e mesme, Zekiu, së bashku me babanë, Xhevatin, i cili ashtu sikurse edhe mijëra shqiptarë të tjerë qe përzënë nga puna, me nënën, Fetijen dhe vëllezërit: Myrenin e Dukagjinin, largohen nga Kosova dhe vendosen në qytezën Hyrt, në afërsi të Këlnit, në Gjermani. Presioni që kishte ushtruar regjimi okupator serb, sidomos kundër babait të Zekiut, Xhevatit, kishte bërë që tërë familja të largohet nga Kosova.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, babai i Zekiut, Xhevati, punoi si automekanik në një firmë gjermane. Zekiu, me qëllim për të ndihmuar ngritjen e familjes, punon në ndërtimtari dhe punë të tjera fizike.
Krahas punës, kurdoherë shfaqte interesim për gjendjen e rëndë në Kosovë. Tashmë ishte frymëzuar me ide përparimtare e çlirimtare, i ndikuar edhe nga babai, si dhe nga dajallarët me origjinë nga Kumanova, Zekiu, asokohe ishte bindur se e vetmja rrugë, e cila kishte mbetur për ta çliruar Kosovën, ishte rruga e kundërvënies, lufta e armatosur kundër okupatorit serb. Ai merr pjesë në tubime dhe organizime të shumta, në Këln, e në vende të tjera, të cilat i organizonin shoqatat dhe kryesitë e partive politike shqiptare në mergatë. Së bashku me të atin, i cili mbante kontakte me veprimtarët politikë, ndihmon me të holla edhe Fondin e luftës.
Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Drenicës, më 28 nëntor 1997, luftimet dhe masakrat që pasuan në Qirez dhe Likoshan, më 28 shkurt të vitit 1998, si dhe qëndresa titanike dhe rënia heroike e Legjendarit Adem Jashari në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars, reflektuan fuqishëm te shumica e liridashësve të Kosovës, të cilët vetëm pritnin momentin kur do të niseshin për t’iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zekiu ndihmonte fondet, por shpeshherë gjatë bisedave, që bënte me vëllezërit dhe me nënën, Fetijen, ai shfaqte preokupimin e tij për t’u futur edhe vetë në front. -“I ke tre djem, – i thoshte nënës, – njërin duhet t’ia falësh Kosovës”. Vëllezërit Myreni e Dukagjini, por edhe prindërit e kuptonin se Zekiu tashmë e kishte ndarë mendjen për t’u futur në luftë për çlirimin e Kosovës nga barbaria okupatore serbe.
Në mars të vitit 1999, Zeki Shylemaja, nga Këlni niset për në Dyseldorf dhe prej andej, në drejtim të Tiranës. Pa vonuar depërton në veri të Shqipërisë, ku asokohe po marshonin pa ndërprerë njësitet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 15 mars të vitit 1999, Zekiu ndodhet në bazat stërvitore afër kufirit me Kosovën.
Pas dy javë stërvitjeje, duke qenë se ishte shtathedhur dhe i zhvilluar mirë fizikisht, sistemohet në pikën luftarake të Padeshit, në kuadër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit.
Pikën strategjike të Padeshit asokohe e komandonte Skënder Hasangjekaj. Zekiu me bashkëluftëtarët Zekerja Dardhishta nga Shkupi, Fadil Maloku nga Gjocaj, Selvet Kryeziu nga Rogoçica e Dardanës (ish-Kamenicë), Xhevat Nitaj nga Bokshi e të tjerë, ishte përqendruar në vijën e Fronit të Padeshit, ku forcat serbe kishin marrë goditje të pandërprera. Luftëtarët e UÇK-së kishin avancuar. Luftimet kundër forcave të panumërta të armikut ishin të përditshme, të pandërprera. Forcat e UÇK-së, të cilat pas mobilizimit të përgjithshëm po shtoheshin me shpejtësi, bënin përpjekje që sa më parë të hapnin korridorin për bartjen e armatimit, nëpër zonat e luftës brenda Kosovës.
Më 16 prill të vitit 1999, kur ushtria dhe policia serbe kishte filluar ofensivën e përgjithshme kundër pikave ushtarake të UÇK-së, Zeki Shylemaja me bashkëluftëtarët ndodhej në pikat e sulmit në Koshare, gjatë luftimeve ballë për ballë me forcat armike, në vendin e quajtur “Te Pishat”, bie dëshmor. Atë ditë në përpjekje për të ndihmuar një njësit të UÇK-së, i cili qe rrethuar nga forcat serbe, bien edhe Zekerja Dardhishta nga Shkupi dhe Fadil Maloku nga fshati Gjocaj i Deçanit. Bashkëluftëtarët, nën breshërinë e predhave të armikut, arrijnë t’i marrin trupat e të rënëve dhe fillimisht i varrosin në Varrezat e Dëshmorëve, në Bajram Curr të Shqipërisë.
Më 23 gusht të vitit 1999, kur tashmë nga Kosova ishin dëbuar të gjitha njësitet vrasëtare të okupatorit serb, bashkëluftëtarët e Brigadës 138, trupat e dëshmorëve i nxjerrin nga varrezat në Bajram Curr dhe i rivarrosin në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kosharen heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Zekiu ndërroi jetë në moshën 24-vjeçare. Ra ashtu sikurse ranë edhe shumë dëshmorë të tjerë, të cilët jetët e tyre i dhuruan për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb”-thotë vëllai i dëshmorit, Myreni, i cili së bashku me nënën dhe vëllanë, Dukagjinin, jetojnë në Prishtinë.
Familja Shylemaja ka marrë “Mirënjohje” nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Një rrugë në Prishtinë, mban emrin e dëshmorit Zeki Shylemaja.
Për jetën dhe veprën e këtij dëshmori është shkruar në librin “Të pavdekshmit e Dukagjinit”. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …