Lidhja Demokratike e Kosovës konstaton se, përkundër premtimeve, Albin Kurti nuk ka ndryshuar sa i përket çështjes së pagesës së energjisë për qytetarët e komunave veriore me shumicë serbe. Në këtë parti thonë se në dy vitet e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje janë paguar rreth 100 milionë euro për faturat e energjisë së shpenzuar në veri, mjete këto të cilat iu kanë marrë qytetarëve të Kosovës. Kohë më parë, Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kundër gjykimit të Gjykatës së Apelit sa i përket faturimit të energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës. Më 2017, Apeli mori vendim se është e jashtëligjshme që qytetarët e komunave të tjera të paguajnë energjinë për qytetarët e 4 komunave veriore. Nga periudha 2012-2017 qytetarët e komunave të tjera kanë paguar rrymën për konsumatorët në veri. Nga viti 2017, përgjegjësia e pagesës për rrymën e shpenzuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i ka kaluar Qeverisë së Kosovës. Gjithashtu në vendimin e Supremes theksohet se qytetarët kanë të drejtë që të kërkojnë t’ju kthehet shuma e paguar gjatë atyre pesë viteve. Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur më 2021 që Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) duhet të kompensojë qytetarët që paguan energjinë për veriun në vlerë mbi 40 milionë euro. Koordinatori i Departamentit për Energji në LDK, Visar Azemi, deklaroi se Kurti është duke vijuar avazin e vjetër dhe duke paguar energjinë, dhe duke iu marrë qytetarëve mjetet në një formë ose tjetër.
Kontrolloni gjithashtu
Pabarazia, injorimi i shqipes, mos përdorimi i simboleve kombëtare, kanë nxitur luftë të armatosur në Maqedoni, në vitin 2001
Pabarazia, injorimi i gjuhës shqipe, mos përdorimi i simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimi në Parlament dhe në …