Ramiz Sadik Brahimaj (25.7.1955- 19.4.1999)

Ramiz Sadik Brahimaj (25.7.1955- 19.4.1999)

Ramiz Sadik Brahimaj, u lind me 25 korrik 1955 në fshatin Novosellë të komunës së Pejës. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes kurse pas përfundimit të gjimnazit me sukses të lartë, vijoi edhe në shkollën Komerciale të Pejës. Ramizi rrjedh nga një familje kontributdhënëse e cila shquhet për atdhedashuri. I takon familjes së Fekë S. Brahimajt (1913) e Ali F. Brahimajt (1929) të cilët ranë në mbrojtje të kauzës kombëtare. Gjyshi i Ramizit, Tahir F. Brahimaj ishte i burgosur politik në vitet e 50-ta të shekullit XX. Ndërsa babai Sadik T. Brahimaj pati ndikim në fuqizimin dhe masivizimin e Organizatës për Bashkimin e Trojeve Shqiptare (BTSH) në anën e Podgurit të Pejës. Kjo brumosje do ndikonte thellë në karakterin dhe personalitetin e Ramizit i cili shquhej për trimëri, besnikëri, e vlera të larta morale e kombëtare.
Ramizi si i ri iu bashkua protestave dhe demonstratave që nga viti 1981 e deri në fillim të luftës për liri. Nga 1997 ka qenë aktiv në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës sepse nga ky vit merret me pritjen, përcjelljen, organizimin dhe në ndihmën e dhënë për ushtarët e lirisë. Viti 1997 ishte viti kur Ramizi hapi derën e shtëpisë për UÇK-në. Duke pasur shtëpinë në një vend strategjik vendoset aty shtabi i UÇK-së nga ku kanë kaluar shumë djem të pushkës të cilët janë ushqyer, kanë pushuar, kanë shëruar plagët e trupit e janë strehuar. E padyshim një kontribut të çmuar ka dhënë edhe nëna e dëshmorit, Nemke Brahimaj, e cila nga ushtarët e lirisë është quajtur një Heroinë dhe malësore e vërtet. Mikpritja në shtëpinë e saj e qindra ushtarëve, përgatitja e ushqimit, pastrimi i rrobave, çorapëve e këpucëve, bashkë edhe me ndihmën e bashkëshortes së Ramizit, tregonin për bujarinë dhe kontributin e kësaj familje dhënë për luftën çlirimtare të popullit shqiptar dhe për shëmbëlltyrën e lartë që bartën ndër breza.
Ramizi, bashkë me luftëtarët e tjerë të lirisë ishte aktiv në bartjen e armëve, të plagosurve e qytetarëve të cilët ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre. Me ndihmën e kushërinjve kanë kontribuar që luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare dhe popullata të jenë të sigurt në këtë pjesë të Podgurit të Pejës. Ramizi e Sherifi ishin flamurtarë në rrugën e gjatë nga lagjja Haxhiaj për në Rugovë e anasjelltas si prijës të shumë grupeve me ushtar të plagosur, të shumë ushtarëve që i përcollën për t‘iu bashkuar luftimeve në zonat e ndryshme të luftës, të cilët më pastaj shpërndaheshin te rajoni i Dukagjinit, Shalës së Bajgorës e Drenicës. Po ashtu i’ u prinin edhe grupeve të organizuara të UÇK-së, të cilat kishin detyra për bartjen dhe pajisjen me armë dhe municione.
Fillimisht Ramiz Brahimaj ishte inkuadruar në Brigadën 133 „Adrian Krasniqi“ e më pas në Brigadën 136 „Rugova“. Në brigadën 133 kishte pozitën e zëvendës komandatit të togut IV në batalionin III. Bashkëluftëtarët e Ramizit ishin: Sherif Brahimaj, Afrim Xhuraj, Tasim Elezaj, Metush Gashi, Shaqir Tahiraj, Salih Lajçi, Halil Brahimaj, Rizë Brahimaj, Xhemajl Brahimaj, Shefqet Brahimaj, Qerim Berisha (mixha), Ali Elezaj, Ramiz S. Brahimaj, Albert Selimaj, Xhevat Brahimaj, Nexhat Brahimi, Rexhep Gashi, Ali Gashi, Enver Podrimçaku, Halil Elezaj e shumë të t’jerë.
Korridori lidhës në mes Brigadës 133 „Adrian Krasniqi“ dhe asaj 136 „Rugova“ kalonte përmes lagjes Haxhiaj. Djemtë e kësaj lagjeje bashkë edhe me shumë luftëtar të tjerë morën rrugën shumë herë për në Rugovë gjatë viteve 1998-1999 duke sfiduar kushtet klimatike e rrezikun nga pritat e mundshme të ushtrisë paramilitare serbe. Numri i madh i armëve, granatave, municioneve, e mjeteve të tjera luftarake që bartën Ramizi me shokët e tij ishte tregues i çartë se rezistenca, vullneti e dëshira për liri dhe pavarësi ishin udhërrëfyesit e vetëm të tij dhe shokëve të idealit.
Gjatë 12-13 prillit të vitit 1999 lagjja Haxhiaj e cila ka kontribuar shumë për luftën çlirimtare u sulmua nga ushtria serbe me granata, me minahedhës, armë automatike dhe me ushtri këmbësore. Në këtë betejë nga ana e UÇK-së pati një të vrarë ku edhe bie në fushën e betejës, dëshmori Shaqir Tahiraj, por, kishte edhe shumë të plagosur. Po ashtu edhe në anën e ushtrisë paramilitare serbe pati të vrarë. Gjatë kësaj beteje Ramizi tregoi aftësi të larta luftarake, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pikat kyçe të UÇK-së dhe në mbrojtjen e qindra të strehuarve që gjendeshin në lagjen Haxhiaj. Gjatë këtyre ditëve të rënda sulmi e granatimi mbi shtëpinë e Ramizit do të plagosej rëndë në kraharor dhe në fytyrë edhe nëna e dëshmorit.
Meqë u bë e pa mundur që familjarët te rrinë në këtë lagje u detyruan që pleqtë, fëmijët dhe të plagosurit ti tërheqnin përmes bjeshkës së Rusolisë e Shtedimit për në Rozhajë. Në fshatin Husaj bien në pritën e ngritur nga Ushtria çetnike serbe. Aty edhe ndodhi sulmi makabër, ku pa paralajmërim u zbrazën breshëri plumbash me ç‘ rast mbetën të vrarë: nëna – Nemke Brahimaj, kushërinjtë: Rexhepi, Murseli e Sherifi, mësuesi, Milazim Pelaj dhe Labinot Kastrati vetëm 13 vjeç. Në këtë pritë u plagos edhe djali i axhës Halili, halla Hatmanja, dhëndri Haxhiu edhe një vajzë nga Peja.
Ramizi u kthye dhe iu bashkua frontit në Rugovë ku gjatë rrugës u godit nga snajperistë serbë me 19 prill të viti 1999 në Pas Hajlë.
Varrimi i dëshmorit u bë në varrezat e dëshmorëve në fshatin, Novosellë, me nderime të larta ushtarake. Në luftën e fundit familja Brahimaj dha dy dëshmor: Ramiz e Sherif Brahimaj dhe tre martirët e kombit: Nemke, Rexhep e Mursel Brahimaj. Emri i dëshmorit Ramiz S. Brahimaj është i gdhendur me shkronja të arta në shumë lapidare të ndërtuara për nderë të dëshmorëve si në atë të qytetit të Pejës, në pllakën përkujtimore kushtuar dëshmorëve në Novosellë, në pllakën e ngritur për nderë të dëshmorëve të kombit në Marinë të Skënderajt, në lapidarin përkujtimor të të rënëve të lagjes Haxhiaj e në shumë pllaka përkujtimore. E po ashtu, një rrugë në qytetin e Pejës është emërtuar për nder të veprimtarisë dhe jetës së dëshmorit.
Për të janë kushtuar një sërë poezi nga shkrimtarë vendas, këngë nga rapsodët popullorë, e në shumë libra e hasim biografinë e dëshmorit Ramiz S. Brahimaj si: te Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Feniksët e Lirisë, Të Pavdekshmit e Dukagjinit nga Hasan Hasani, Shtigjet e Përgjakura nga Ali Daci, e në shumë libra të tjera. Dëshmorit të kombit Ramiz Brahimaj dhe familjes së tij i’ u kanë ndarë shumë mirënjohje nga institucionet qendrore dhe lokale, nga shoqatat e dala nga lufta, e nga disa komandantë të UÇK-së. Së fundi Ramiz Brahimaj dekorohet me urdhrin e lartë „Hero i Kosovës“ nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ramizi la pas vetes, bashkëshorten, Hidajeten dhe vajzat: asokohe Fjollën (5 vjeçare), Flutrën (4 vjeçe) dhe vajzën e vogël, Arten (8 muajshe). (Dren Sh Brahimaj)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …