Me një Akademi përkujtimore u shënua 15 vjetori i rënies së dëshmorëve të kombit: Labinot Krasniqi, Elmi Hoti dhe Visar Krasniqi. Ata kanë rënë trimërisht në Betejën e Mateçit të Kumanovës, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001.
Kryetari i shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit, Xhavit Jashari ka deklaruar me këtë rast se kufijtë politikë nuk janë kufij kombëtarë të një kombi. Duke folur në këtë Akademi, veprimtari Mehmet Hajrizi përmendi shkaqet që kishin shtyrë deri në fillimin e luftës së viti 2001 në Maqedoni. Lufta e UÇK-së në fund të shekullit të kaluar dhe solidariteti ndërkombëtar dëbuan forcat e pushtuesit serb nga Kosova, por çështja e shqiptarëve në Maqedoni e Serbi padrejtësisht po injorohej nga bashkësia ndërkombëtare”, tha mes tjerash ai. Veprimtari dhe analisti i mirënjohur Gjokë Dabaj, ka folur për krimet dhe masakrat që kanë kryer serbët kundër shqiptarëve, me theks të veçantë në tri luftërat e fundit.
Në fjalën e tij koloneli i Ushtrisë Shqiptare dhe epror i lartë i UÇK-së, Divaler Goxhai ka bërë një paraqitje historike e ushtarake të tri luftërave tona çlirimtare, duke u ndalur veçmas te Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e cila po ashtu nuk arrit ta realizojë aspiratën kombëtare, edhe pse u dordh gjak dëshmorësh. “Lufta në Maqedoni ishte në të njëjtat pozita si dhe ajo në Kosovë, një luftë e pabarabartë, krejt e ndryshme nga lufta e serbëve me sllovenët, si dhe me kroatët e boshnjakët, të cilat ishin luftra mes shtetesh sovrane; ndërsa lufta e Kosovës, ajo në Preshevë dhe e shqiptarëve në Maqedoni ishte shumë më e vështirë për shqiptarët, sepse në të dy rastet, si Serbia dhe Maqedoni bënin luftë me ushtri të rregullta kundër një populli të robëruar, luftë kundër një populli të një kombësie tjetër e të çarmatosur”. Veprimtari, Haxhi Maliqi, në fjalën e tij të mbajtur në këtë Akademi tha se derisa shqiptarët tani janë në pozicion më të mirë se në të kaluarën, atyre nuk u duhen disa shtete, por vetëm një shtet. Në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmit i ka përshëndetur motra e deshmorit, Hilmi Hoti znj.Saranda Hoti.