Edhe gjatë fundjanarit 2007, sikurse për çdo janar të pasluftës, nëpër fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit; Trefis (ish-Ruhot), Ujz, Vraniq, Shqiponjë, Rashiq, Bajë të Pejës, Gjurgjevik të Madh, Sferkë, Burim, Trubuhoc, Ratish, Thanishtë, Buçan, Drinas, Smolicë, Lumnishtë të Llapushës e Kleçkë, u tubuan banorët për t’i shoqëruar familjarët e dëshmorëve që skuqën atë vit, më 1999 “Urën e Terzisë”, “Gurin e Godenit”, “Bregun e Drinit” dhe Rogovën e Hasit. Pas tubimeve përkujtimore, homazheve dhe vizitave më 27 e 28 janar, të gjithë si një, ngarendën në Rogovën e Hasit, dhe pikërisht në orën 12.00, pranë oborrit të shtëpisë ku u zhvillua beteja për jetë o vdekje, për vdekje a liri, popullata e Hasit, e Anadrinit, e Dushkajës, e Rekës së Keqe, e Lugut të Leshanit dhe e Lugut të Drinit kishte ardhur në këtë qendër të Rogovës së Hasit, rrëzë Pashtrikut Plak dhe “Kufirit të Mallkuar”. Dhe pikërisht në atë vend, eminenca shqiptare e Kosovës me në krye Agim Çekun, Kryeministër i Kosovës, vendosi gurthemelin e një lapidari sa të madh aq edhe madhërishëm që gjeneratave do t’ua ruajë e duke ua përkujtuar luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do t’ua thonë se në këtë lëndinë më 29 janar të vitit 1999, duke rrugëtuar prej Shqiponje, kah ideali i Komandantit Legjendar Adem Jashari, u përjetësuan: Agim Zeneli e Luan Smajlaj të Shqiponjës, Agron e Sejdi Rama të Smolicës, Agush Gjocaj i Rashiqit, Bahtjar Morina i Lumnishtës, Daut Zagragja i Bajës së Pejës, Emrush Çeta i Trubuhocit, Gaspër Karaçi i Ujzit, Gëzim Ademaj i Ratishës, Hamdi Berisha e Kasim Shala të Trefisit, Haxhi Kleçka i Lypjanit, Ilir Merturi i Gjurgjevikut të Madh, Memë e Pren Lleshi të Vraniqit, Naim Gashi i Sferkës, Naim Dreshaj i Prigodës së Burimit, Sahit Krasniqi i Drinasit, Vejsel Avdyli i Thanishtës dhe Valon Gashi i Buçanit, student i Fakultetit Ekonomik, luftëtar i lirisë, i biri i luftëtarit Muharrem Gashi dhe i të vëllait luftëtar Egzonit. Të gjithë këta do të shkëlqejnë me rreze lirie në këtë lapidar të Rogovës së Hasit, vend ky në të cilin duke i strehuar dhe mbrojtur luftëtarët e lodhur, të rraskapitur e të plagosur ranë edhe hasjanët: Rrustem Morina, me të bijtë Nysretin, Muhametin dhe Selmanin, Ibrahim Kryeziu, Ademi, Rafeti e Zyber Shala së bashku me Xhevdet Berishën e këtij fshati, ku lindi e u rrit edhe Haxhi Hoti – komandant Lleshi.
Dëshmori i kombit Valon Gashi, është i lindur më 10 korrik të vitit 1977 në fshatin Buçan, Lugu i Baranit, komuna e Pejës. Në prozhmet e bukura të këtij fshati të njohur për rezistencën kundër çdo pushtuesi, veçanërisht kundër bandave serboçetnike të Miliq Kërstës e të Savë Batares, nëna Kumri, bijë e Lumajve të Këpuzit, e ardhur nuse te Gashët e Buçanit, lindi e rriti: Jetonin, Gonxhen, Valonin, Egzonin, Mërgimen, Mimozën, Njomëzën dhe Rajmondën. Edhe pse në kushte modeste, Muharrem Gashi, jurist i diplomuar, ëndërronte për t’i shkolluar të gjithë, prandaj përpiqej që punët bujqësore dhe të ekonomisë familajre t’i mbaronte me bashkëshorten, vetëm e vetëm që vëllezërve dhe motrave të Valonit të mos ua rëndojë as fëmijërinë e as rininë. Valoni si fëmijë kishte një jetë dinamike; pas përfundimit të klasëve të ulëta të fillores në Buçan, vazhdoi në Baran. Në këtë qendër punonte paralelja e ndarë e Gjimnazit “Bedri Pejani”, prandaj Valon Gashi mbaron edhe gjimnazin dhe regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Si fëmijë pati rastin të dëgjojë për stoicizmin dhe trimërinë e babëgjyshit Salih Zenuni, i burgosur katër herë, e për aktivitetin e të et Muharremit, pjesëmarrës aktiv i demonstratave të vitit 1968, 1981, 1989, 1990 e 1997 dhe i çdo forme të manifestimit të rezistencës ndaj dhunës serbe, Muharremi ishte në ballin e demonstruesve së bashku me tërë familjen. Tradita familjare që kultivohej në gjirin e Gashëve dhe kontakti me veprimtarë të shquar organizativë gjatë qëndrimit në Prishtinë, ndikuan në forcimin e idealeve që flenin në zemrën djaloshare të intelektualëve të ardhshëm të cilët e kuptuan se liria do t’i sjellë rreze diturie Kosovës së lodhur me premtime, Kosovës së mekur e të molisur prej shumë zërave pa mundësi artikulimi me një zë të vetëm.
Me marrjen e lajmit se në fshatrat e Dushkajës, Agim Zeneli e Fadil Nimani kishin formuar grupet e para të armatosura, Valon Gashi braktis Prishtinën dhe mobilizohet në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo larg strehëve të Adrian Krasniqit. Këtu u bashkohet Lahi Brahimajt, Xhelal Hajdës, Myrtës, Agimit, Xhevdetit, Xhevatit e Shkëlzen Zenelajt.
Pas Betejës së Gllogjanit, më 24 mars të vitit 1998, përshpejtohet dinamika e shtrirjes së efektivave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rrafshin e Dukagjinit e në harmoni me kriteriumet e zgjerimit dhe të aktiviteteve luftarake, më 4 prill të vitit 1998, në fshatin Llugaxhi e Buçan vendosen pikat e para; “Gllavica” dhe “Drezga” bëhen istikame të pathyeshme.
Babai i Valonit, Muharremi, me tërë familjen angazhohet në zhvillimin e mëtejshëm të instrumentit të forcës; Mimoza i kyçet në operacionet “Shigjeta” kurse Egzoni vazhdon amanetin e Valonit duke luftuar deri në Brigjet e Radikës. Në pikën e Buçanit, dëshmori i kombit, Valon Gashi është së bashku me Erzen Bytyçin, Ardian Belegun, Jahir Kastratin, Nexhat Gashin e Zeqir Isuf Gashin, vëlla i vetëm i dy motrave, sot dëshmor i kombit dhe kështu filloi zhvillimi i Shtabit Operativ lokal për Buçan e Llugaxhi, filloi rrita e djelmoshave që mbi supe morën barrën e përgjegjësisë historike dhe bartën “zjarrin e lirisë” me të cilin u dogjën për të mbirë si feniksa, e Valoni i bashkohet të vëllait, Jetonit dhe komandantit Xhelal Hajda me të cilin shumë shpesh kalonte kufirin dhe kështu pajisej Brigada 132 “Myrtë Zeneli” e Shqiponjës, ndërsa Valoni e Egzoni kalojnë në Njësitin për Intervenime të Shpejta që vepronte nën emrin e dëshmorit “Adrian Krasniqi”.
Dhe më 29 maj forcat serbe tentojnë për të depërtuar kah Vranoci e pastaj ta vënë në rrethim të hekurt Buçanin e Llugaxhinë. Në këtë ditë shkëlqyen: vendosmëria, heroizmi dhe trimëria e Valon Gashit, studentit të Ekonomikut e luftëtar i vijave të zjarrta, madje në Njësitin për Intervenime të Shpejta. Fushëbeteja zgjerohet me shtrirje kah Këpuzi, Çeskova e Nepola. Gjendet në çdo hap pranë Agim Bardh Zenelit e bashkëluftëtar i Musa Gjakovës, Musa Dragës e Cufë Krasniqit. Valon Gashi afirmohet si specialist për murtajë dhe në çdo sulm u hap rrugë shokëve që të depërtojnë thellë kah armiku. Me shpërthimin e frontit kah Peja e veçanërisht në Loxhë, Valoni qëndron i pathyeshëm, krah i komandant Skënder Çekut, dëshmor i kombit. Tashmë Valoni, kishte avancuar ngase pati mbledhur përvojat e ushtarakëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës; Shkëlzen Haradinaj, Lulëzim Morina, Agim Zeneli, Agron Rama, Fadil Nimani, Enver Haradinaj e Skënder Çeku, prandaj me minahedhës mbante krahun kah Graboci. Në fushëbetejat e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, veçanërisht në Bokshiq, Çeskovë e Llugaxhi, Valoni del i palodhshëm, përherë syçelë, i patrembshëm prandaj edhe i pathyeshëm; sa në aksione guerile si në Qallapek, Baran e Paterq, ashtu edhe në të gjitha vijat frontale ku drejtonte një tog ndërlidhës në vijën Shqiponjë – Buçan.
Por, sulmet e njëpasnjëshme të bandave serboçetnike në të gjithë arealet e Rrafshit të Dukagjnit prej 24 marsit të vitit1998; në Rekë e Malësi, zbehën bazën logjistike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj komandant Agim Zeneli vendos që, edhe njëherë, t’i riarmatosë Dushkajën e Lugun e Drinit. Sipas nënës Kumri, Valoni kishte vullnet të çeliktë, shpresë se ky do të jetë kontigjenti i fundit dhe optimizëm se në pranverë do të rrezojë Dielli i lirisë.
Ashtu, i plagosur e i kuruar dosido nëpër spitalet ushtarake të improvizuara nëpër lugje e male, Agim Zeneli, më 21 janar, menjëherë pas luftimeve në vijën: Gllogjan – Ratishë – Dashinoc e Llukë, vendos t’i mbledhë luftëtarët e lirisë e t’i përgatisë edhe për një udhtëim për t’u riarmatosur. Nga Buçani, me komandant Agimin, sipas kujtimeve të nënës Kumri, niset edhe Valon Muharrem Gashi me njëzet pranvera. Trimat e lirisë nisen prej Shqiponje për ta thyer postbllokun e Rakovinës e pritat e shumta të kurdisura prej “Urës së Rakovinës” deri te “Ura e Terzisë”. Pikërisht te kjo urë, trimat e Agim Zenelit e të Agron Ramës të prirë nga vëllezrit Lleshi të Vraniqit. Në këto luftime te Ura përjetësohen dy trefisas të Dukagjinit, njëri Shalë e tjetri Berishë; Kasim Shala e Hamdi Berisha të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” por edhe me Gani Shalën e Nexhat Berishën e plagosur, por Agim Zeneli vazhdon marshin kah Godeni; në “Stuhinë e Godenit” i përjetësohen Preni e Memë Lleshi, riplagoset Agimi kurse i plagosen rëndë Sejdi Rama e Sahit Krasniqi në betejë për tërheqjen e të vrarëve dhe të plagosurve. Lleshët i mbetën në “Stuhinë e Godenit”, kurse me të plagosurit zbret kah Rogova e Hasit. Afër Ujzit përjetësohet prof. Gaspër Karaçi ndërsa në Rogovë, atë të premte, më 29 janar në një betejë pa distancë përjetësohet edhe Valon Muharrem Gashi i Buçanit, pranë: Agush Gjocajt, Daut Zagragjës, Ilir Merturit, Naim Dreshajt, Naim Gashit, Emrush Çetës, Gëzim Ademajt, Haxhi Kleçkës, Vejsel Avdylit, Bahtjar Morinës, Luan Smajlajt, Sahit Krasniqit, Agim Zenelit, Sejdi e Agron Ramës e pranë nëntë hasjanëve të ekzekutuar; pranë Rrustem Morinës me 3 djem; Muhametin, Nysretin e Selmanin, pranë Rafet, Adem e Zyber Shalës, Ibrahim Kryeziut e Xhevdet Berishës.
Përcjellja e Valon Gashit bëhet në Buçan kurse sot pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Shqiponjës, pranë Agim Zenelit. Shumë këngë për Valon Gashin, kënduar nga Shyhrete Behluli, Rifat Berisha e Vëllezërit Çeta, një ditar i botuar në fragmente dhe Valoni i ri, tashmë pesëvjeçar ruajnë nderin e Valon Gashit, prijëtar të çetave të Buçanit të Lugut të Baranit, emri i të cilit do të shkëlqejë edhe në Lapidarin – mobilesk të Rogovës së Hasit, me shpresë që të mos ketë më Has andej e Has këtej Pashtrikut mbi kurrizin e të cilit peshonte rëndë “Ai kufi i mallkuar”. (S. C.)