Fjala e Kryetarit Latifi në akademinë përkujtimore për Skender Gashin në Eferding

Fjala e Kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl Latifi në akademinë përkujtimore për Skender Gashin në Eferding.

Të nderuar bashkatdhetarë, shokë e miq, të nderuar të pranishëm, jam i nderuar që organizatorët më kanë ftuar të them disa fjalë për shokun e bashkëluftarin tim, luftëtarin që për asnjë çast nuk u lëkund në rrugëtimin e tij atdhetar, dëshmorin e lirisë, Skender Gani Gashi nga Sopniqi i Rahovecit. Me Skenderin u njohëm në flakët e luftës. Vendosmëria dhe përkushtimi i tij atdhetar ishin tipare të dukshme të karakterit të tij. Që në ditët e para të prillit e majit të vitit 1998, kur nisi lufta çlirimtare edhe në Anadrini, Skenderi u bashkua me çlirimtarët dhe e kreu misionin e tij ndaj atdheut në mënyrë shembullore. Duke qenë se vinte nga një përvojë lufte në Bosnjë, Skenderi i pa nga afër mizoritë serbe mbi popullin e pambrojtur, prandaj vendosi që të bëhet një me fatin e popullit të tij. Lufta është akti më i padëshirueshëm për një shoqëri normale, por nëse rrezikohet mbijetesa e kombit, atëherë bëhet domsdoshmëri. Skenderi e kishte kuptuar këtë me kohë dhe me vendosmëri braktisi jetën e rehatshme e punën e sigurtë këtu në Austri dhe bashkë me shokun e tij Afrim Ajredini e me shokë të tjerë, u rreshtuan në formacionin e UÇK-së në Drenoc të Rahovecit. Na ndajnë edhe pak ditë nga manifestimi që do të shënojë Daljen publike të UÇK-së në rajonin e Anadrinisë, që më pas do të njihet si Zona Operative e Pashtrikut e UÇK-së. Me ta dëgjuar lajmin se më 26 prill 1998 doli në skenë UÇK, ai i ndërmori veprimet e nevojshme përgatititore dhe u kthye në vendlindje. Ardhja e tij në luftë i gëzoi komandantët e asaj kohe, pasi që Skenderi kishte përvojë lufte dhe mbi të gjitha vinte nga një familje e njerëzve punëtorë e të ndershëm dhe të tillët i duheshin organizimit tonë luftarak. Janë të shumta fushëbetejat ku Skenderi dha kontributin e tij dhe ajo që binte në sy lehtësisht ishte fakti se i njihte taktikat e luftës dhe se nuk i pëlqente të qëndronte pasiv, duke pritur kur armiku të sulmonte, por kërkonte angazhim e përballje direkte me armikun. E njihte strategjinë dhe taktikat e armikut, gjë që ishte përparësi e madhe në ato rrethana. Nuk u tërhoq nga frontet e luftës as atëherë kur u plagos në shtator të vitit 1998, por u riarmatos dhe së bashku me Xhelal Hajdën – Tonin, Seljadin Mullabazin – Micin dhe shokë të tjerë, u bashkua me shokët në zonën e Dukagjinit ku komandant ishte Ramush Haradinaj. U përball me luftime e rreziqe të njëpasnjëshme, por nuk u ligështua. Me ristrukturimin e njësiteve të UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, Skenderi u emërua komandant kompanie dhe këtë detyrë e kreu me shumë përkushtim. Kompania e tij u vendos pikërisht në afërsi të Hoçës së Madhe, pra aty ku ishte koncentruar arsenali më i madh i armikut dhe ku njësitet paramilitare hartonin plane për djegien e shkatërrimin pasurisë së shqiptarëve, si dhe vrasjen e dëbimin e popullsisë civile. Veprimet luftarake të Skenderit nuk kufizoheshin vetëm në zonën e tij të përgjegjësisë, por ndërmerrte aksione edhe në rajone të tjera, duke i krijuar pasiguri armikut edhe në prapavijë. Na kujtohet momenti kur Skenderi me shokë hynë triumfalisht në Rahovec dhe marshuan krenar nëpër rrugët e Rahovecit. Në ballë e kishin flamurin kombëtar, flamur me të cilin kishin marrë pjesë në shumë beteja dhe me të cilin i kishin varrosur shokët e rënë në fushë të nderit. Më pas ai u bë një nga eprorët e UÇK-së që e udhëhoqi togun e nderit, tog që organizoi ceremonitë e varrimit e të rivarrimit të shumë njerëzve tanë të vrarë e të masakruar nga hordhitë serbe dhe sanimin e pasojave të shkatërrimeve të shumta që serbët lanë pas vetes. Pra, Skenderi edhe në këtë rast dëshmoi vendosmëri e përkushtim në rindërtimin e jetës së njerëzve. Formimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, respektivisht transformimi i UÇK-së së luftës në një formacion të ri ushtarak, si fazë kalimtare drejt formimit të Forcës tonë të Sigurisë, e gjeti Skenderin të gatshëm dhe më të përgatitur për sfida të reja. U emërua komandant i Batalionit të Logjistikës në Sallagrazhdë të Therandës, detyrë që e mori shumë seriozisht dhe me përkushtim të madh i kryente detyrat që i ngarkoheshin. Besimi që kishte pasur në të komandanti i atëhershëm i Zonës së Dytë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Prizren Ramush Haradinaj, doli të ishte i qëlluar. Shokët flasin për angazhimin e madh të Skenderit për përgatitjen e ambienteve ushtarake, si dhe kujdesin e madh që ka pasur për ruajtjen e pasurisë e pajisjeve ushtarake të TMK-së. Gjithmonë kam pasur besim të madh në aftësitë e tij organizuese, sepse ai përherë ishte i përkushtuar dhe në rend të parë kujdesej për pasjisjet e tij personale, për uniformën dhe dukjen e tij të jashtme si epror i UÇK-së e më pas i TMK-së. Rrugëtimin e tij atdhetar e ndërpreu një dorë e padukshme më 18 shtator 2000, në një natë me shi e furtunë, pikërisht në kohën kur kishim menduar se tashmë rreziku kishte kaluar dhe se ishte koha të mendojmë për kapërcimin e rrethanave të luftës. Pavarësisht si vdiq Skenderi, ne kemi qenë dhe jemi të bindur se ai ishte në rrugën e drejtë dhe në anën e duhur të historisë. Luftëtari i përkushtuar i tillë mbetet deri në çastet e fundit të jetës dhe ai ishte luftëtar për çlirim, bashkim dhe ndërtimin e kapaciteteve shtetërore të Republikës së Kosovës. Edhe titulli i monografisë “Deri në frymën e fundit” i bashkëluftëtarit tonë Qemajl Krasniqi, është i qëlluar dhe e përshkruan më së miri personin që përherë ishte në shërbim të lirisë e të atdheut, – pra deri në frymën e fundit. Prandaj, ne e nderojmë dhe e kujtojmë me respekt, sepse Skender Gashi ishte figurë emblematike e luftës tonë çlirimtare. Nderimi dhe respekti për ata që dhanë gjithçka që patën për atdheun, është obligim moral e atdhetar, prandaj jam i lumtur të flas për një hero të luftës, siç ishte komandanti Skender Gani Gashi. I përgëzoj organizatorët dhe ju ftoj që të jeni më aktiv në organizime të ndryshme shoqërore e atdhetare, sepse e dimë sa e vështirë është të ruhet e kultivohet fryma atdhetare në mërgatë, mirëpo organizimi juaj më i mirë është dëshmi e cilësive tona morale, kulturore e atdhetare. Kjo do të ndikojë edhe në paraqitjen tonë dinjitoze para partnerëve tanë Perëndimorë. Lavdi e nderim dëshmorëve të atdheut, lavdi luftëtarit të orëve të para të luftës Skender Gashi!

Mund të jetë një imazh i 2 persona, persona duke studiuar dhe turmë

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …