Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Komunën e Malishevës, i cili drejtohet nga kryetari i komunës, z.Ekrem Kastrati dhe përbehet nga përfaqësues të institucioneve, organizatave dhe komunitetet, e ka mbajtur mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit, ku është shqyrtuar siguria e përgjithshme në Komunën e Malishevës. Bazuar në të dhënat e organeve përgjegjëse të sigurisë dhe të raporteve tjera të sigurisë, kryetari Kastrati, tha se jemi njëra prej komunave më të qeta, më të sigurta dhe pa tendencë të prishjes së kësaj situate. Edhe komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, duke u bazuar në raportet policore, ka thënë se “Malisheva është njëra prej komunave më të qeta në vend dhe pa tendencë të prishjes së sigurisë së përgjithshme”. Ndër temat që janë diskutuar në mbledhjen e KKSB-së, ishin edhe abuzimi me fëmijë, bullizmi në shkolla, dhuna dhe narkotikët, dhe sipas të dhënave nga QPS në Malishevë, Policisë dhe Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, u bë të ditur se në këtë vit nuk ka asnjë rast të regjistruar të abuzimit me fëmijë, bullizmi nuk është i shfaqur si dukuri në shkolla dhe as dhuna apo narkotikët, dhe kjo situatë është falë ligjëratave të vazhdueshme dhe bashkëpunimit në mes të DAE dhe policisë, si dhe organeve tjera kompetente për trajtimin e raste të tilla.