Me nderime të larta institucionale nga udhëheqësit e Komunës së Skenderajt, në krye me kryetarin Fadil Nura, nënkryetarin Sami Lushtaku, gjeneralë e komandantë të Ushtrisë Çlirimtare, familjarë, deputetë të Parlamentit të Kosovës, bashkëluftëtarë, përfaqësues të Shoqatave të Luftës, qytetarë dhe pjesëmarrës tjerë, është përkujtuar heroizmi i komandantit Ilaz Kodra, në 24 vjetorin e rënies së tij për lirinë e Kosovës. Me këtë rast, homazhe janë bërë te busti i Ilaz Kodrës në Prekaz, në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë dhe në Vërbofc, ku janë të skalitur emrat e 40 dëshmorëve dhe 275 martirëve të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Po ashtu në fshatin Polac, është bërë zbulimi i pllakës Shtëpi-Shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e familjes Koca, që kishte shërbyer për organizimet dhe aksionet e trimave çlirimtare ndaj pushtuesit serb. Lavdi komandantit Ilaz Kodra, të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!