Në Manzën e Poshtme të Vushtrrisë (ish Sfaraçaku i Poshtëm), jeton edhe familja Haxha, e cila ka origjinë nga Galica heroike. Krah për krah me kryetrimin Azem Galica ishte edhe Vesel Haxha- Galica, i cili u dallua edhe në Brigadën e tribunit të Drenicës e mbarë Kosovës, Shaban Palluzha.
Në gjirin e kësaj familjeje me traditë, u lind edhe Bahri Haxha. Prindërit e tij Rexhepi dhe Halimja nga Klina e Epërme e Skenderajt, patën bijat dhe bijtë: Fatmiren, Zahiren, Shyqyriun, Bakiun, Bahriun, Veselin, Hatixhen, Feriden, Mevlyden, Artanin dhe Adnanin.
Bahriu lindi më 3 shkurt të viti 1972. Ishte natyrë e zgjuar dhe dispononte inteligjencë që nuk përkonte me moshën e tij. Madje edhe fizikisht ishte mjaft i shkathët dhe i fuqishëm. Ka qenë nxënës i shkollës së mesme drejtimi Matematikë. Gjithmonë ka qenë shembullor, derisa, ka përfunduar shkollën fillore në shkollën “Ali Kelmendi” në Vushtrri, pastaj shkollën e mesme në ‘Muharrem Bekteshi’ drejtimi Matematiko-Natyror. Ishte inxhinier i diplomuar i Elektronikes. Kishte përfunduar fakultetin elektroteknik ne vitin 1998.
Bahriu qysh kur ishte nxënës në shkollën fillore klasa e gjashtë, kishte shkruar një parullë në klasë ‘Kosova Republikë’, për këtë parullë, babai Rexhepi ishte ftuar në shkollë dhe kishin kërkuar që të largojnë Bahriun nga Shkolla, por me insistimin e prindit se Bahriu është fëmijë dhe nuk kupton këto gjëra kishte arritur që mos të përjashton nga shkolla. Ne fakt Bahriu i kuptonte këto gjëra më mirë se shokët e gjeneratës së tij.
Me të mbaruar shkollimin e mesëm, Bahriut i vije ftesa për rekrutim në Ushtrinë Jugosllave.
-Jo, kurrë nuk i shërbej ushtrisë së një pushtuesi, kishte thënë duke e bërë ftesën copë- copë. Bahriu nuk iu përgjigj thirrjes ushtarake Jugosllave në vitin 1991, ai u arratis në Drenicë, në Kline të Epërme, te dajat e tij. Atje qëndroi 4 muaj. Gjatë kësaj kohe policia dhe ushtria Serbe kishin sulmuar Familjen Jashari, Bahriu bashkë me shokë dhe dajë të tij nga Klina e Epërme ishin bashkangjitur aksionit për t’ i dalur në mbrojtje familjes Jashari.
Më vonë, kur Bahriu iu bashkua studimeve Universitare ai ishte shumë aktiv dhe së bashku me vëllanë, Shyqyri Haxha, Mehë Uka, dhe me vonë Fisnik Cukajn organizuan shumë protesta studentore kundër represionit Serb. Pas largimit të Shyqyriut nga Kosova, Bahriu vazhdoi punën dhe ishte gjithashtu në ballë të protestave studentore në shtator 1997, 29 tetor të vitit 1997 dhe në muajin maj 1998.
Policia Serbe kishte bastisur mbi 12 herë familjen e Bahri Haxhes në fshatin Manaj, dhe në vitin 1998 në kërkim të Bahri Haxhes, arrestuan Babain e Bahriut, Rexhepin dhe burgosen pikërisht në kohen kur u sulmua familja Jashari në Prekaz. Në atë kohë baba i Bahriut Rexhepi ishte në Burgun e Smrekovnices.
Policia Serbe disa herë u përpoq ta arrestonte Barhiun por nuk arriti. Gjatë një bastisjeje policia i arrestoi edhe vëllanë e Bahriut, Veselin, i cili tani është Doktor shkence në Britani të Madhe. Pas disa ditësh policia serbe liroi Veselin duke e kërcënuar që Bahriu të lajmërohet sa më parë në Stacionin e Policisë, në Vushtrri.
Bahriu në vitin 1997 kishte filluar punën si mësimdhënës në shkollën e mesme “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, por në shkurt 1999 Bahriu iu bashkuar UCK-së, në Dumnicë. “I gjallë nuk do ta lëshoj Kosovën. Ky është vendi ku edhe dua të vdes!”- ngulte këmbë, kur ia përmendnin largimin nga atdheu. Me të formuar të celulave të para edhe në Shalë, ai ishte lajmëruar në Shtabin e Batalionit IV të UÇK-së, në Ceceli, te komandant Gani Ymeri. Edhe radhët e vullnetarëve për t’i rrokur armët çlirimtare, nuk kishin të sosur, madje as armë nuk kishte për të gjithë.
Në atë drejtim i ndihmonin edhe vëllezërit e tij nga mërgata, sidomos Shyqriu, i cili ishte i lidhur drejtpërsëdrejti me Fondin “Vendlindja thërret” dhe me organizatorët e udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bahriun më nuk mund ta kapnin dot. Ai ishte lart në male, atje ku shqipet e lirisë kishin hapur krahët dhe po i dilnin zot atdheut të sakatosur. “Bahriun e kishim përherë pranë vetes, në konsultime e në veprime. Sa e sa herë e rrezikoi veten për t’na sjellë ushqime, veshmbathje, barna, madje edhe municion të grumbulluar nga qytetarët,- përkujton sot me pietet të lartë komandanti i tij, Gani Imeri. Ai qëndroi deri me 2 maj, kur ushtria dhe forcat paramilitare serbe sulmuan pozicionet e UCK-së, në Sllakovcë, ata vërsulën mbi kolonën prej katërqind traktorësh e mijëra vetash midis dy Studimeve të Vushtrrisë. Aty një pjesë e ushtarëve iu bashkuan popullatës, në mesin e tyre ishte edhe Bahriu i cili u vra me 2 maj 1999 para syve të familjes se tij.
Trupi i Bahriut u varros nga pjesëtarë të UÇK-së. Ishte Gani Ymeri i cili kishte varrosur Bahriun me qenë se e gjithë familja e ngushtë e Bahriut tashme kishin kaluar në Shqipëri dhe pas disa javësh ajo arriti në Britani të Madhe. Familja e Bahriut nuk ishte kthye në Kosovë deri në vitin 2005.
Në vitin 2005, komandanti i Zonës së Shalës kishte pritur derisa të vinte familja e tij nga Britania e Madhe dhe ta ri varrosin në varrezat e dëshmoreve. Kështu që pasi që familja e Bahriut erdhi në Kosovë, Ganiu bashkë me bashkëluftëtar të tij kishte ri-varrosur Bahriun, në varrezat e dëshmoreve, në Stanovc të Vushtrrisë.
Shkolla e mesme e Vushtrrisë ishte ndarë në dy shkolla, dhe profesorët e shkollës se mesme morën iniciativë dhe me peticion vendosën që shkolla e mesme ku Bahriu kishte punuar si profesor mori emrin Bahri Haxha. Sot shkolla e mesme profesionale në Vushtrri mban emrin e dëshmorit “Bahri Haxha”. Bahriu ishte i vetmi profesor i kësaj shkolle që ra dëshmor në vitin 1999.
6 muaj para se të vritej ishte martuar, dhe gruaja e Bahriut kishte mbetur shtatzënë. Pas vrasjes së Bahriut gruaja e lindi një vajzën në Britani të Madhe. Ajo sot mban emrin e babait. Bahrije Haxha, e lindur në Londër, me krenari mban emrin e babait të saj. Pikërisht në vendin ku u vra Bahriu, forcat serbe i vranë mikun e Bahriut, Ruzhdiun, vjehrrin dhe vjehrrën e Bahriut. Të gjithë këta u ekzekutuan në të njëjtin vend, në Studime të Ulët me 2 Maj 1999. (Shyqeri Haxha)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …