Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua dhunshëm në Kuvendin e Kosovës në kushte të një shantazhi dhe kërcënimi ndaj deputetëve. Pozita e atëhershme e votoi këtë gjykatë që, për ata që nuk shohin më larg se hunda konsiderohet të jetë pjesë e sistemit juridik të Kosovës ndërsa, realisht nuk ka të bëjë asgjë me sistemin juridik të Kosovës përveç se të arrestuarit dhe të dënuarit janë shqiptarë, shtetas të Kosovës kurse të gjithë të tjerët janë të huaj, ndërkombëtarë dhe shtetas të Serbisë. Kjo gjykatë është jashtë çdo mbikëqyrjeje të ndonjë organizate për të drejtat e njeriut prandaj, vet prenë dhe vet qepë, pa i dhënë llogari askujt. Rolin “monitorues” i ka dhënë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nga Gjeneva si dhe Ombudspesonit të Holandës që ka të drejtë të vizitojë të privuarit nga liria, shtetas të Kosovës, të gjithë shqiptarë. Shkeljet e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të theksuara, që nga intervistimi kur nuk tregonin se në çfarë cilësie ftohen në intervistim e deri te detyrimi i të intervistuarve që me vete të sjellin prova vetëfajësuese që janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut. Përkthimi i materialeve ka qenë selektiv dhe i pjesshëm që ka ndikuar në përgatitjen e mbrojtjes efektive. Redaktimi i madh i aktakuzave dhe dëshmive e bënë tërë procesin jotransparent dhe thuaja se, edhe sot është e pamundur të bëhet monitorimi i procesit gjyqësor përmes mjeteve elektronike. Mbyllja e procesit të gjykimit, në emër të mbrojtjes së dëshmitarëve e humbë çdo kuptim kur të dy dëshmitarët e parë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve janë dëshmitarë rrethanorë, njëri prej të cilëve është figurë mediatike.
Realisht, asnjë dëshmitar, pavarësisht sa “mbrohet“ nuk është i panjohur për ata që po gjykohen, për ata që një kohë të gjatë janë marrë me çështje që po keq – trajtohen në këtë Gjykatë dhe për një pjesë të opinionit shqiptar. Trajtimi shëndetësor i të paraburgosurve lë shumë për të dëshiruar kurse vizitat “humanitare“, në raste të caktuara, ose nuk janë lejuar fare ose kanë qenë shumë nënçmuese. Gjykata Speciale ka bërë përpjekje maksimale t’i denigrojë të paraburgosurit para opinionit me deklarata të papërgjegjshme të ish prokurorit Smith sikur edhe me rastin e caktimit dhe të vazhdimit të paraburgimit me ç’rast del jashtë çdo logjike juridike dhe praktikave të gjykatave tjera të ngjashme duke refuzuar të gjitha kërkesat e avokatëve dhe duke futur në arsyetim edhe deklaratat në rrjete sociale të personave që nuk kanë të bëjnë fare me Gjykatën por që këto deklarata i bëjnë ekskluzivisht për përfitime materiale.
Doli që Gjykata Speciale i raporton rregullisht Kombeve të Bashkuara (mund të përkthehet UNMIK-ut) anipse nuk është themeluar nga OKB-ja ndërsa, në anën tjetër nuk i raporton institucioneve të Kosovës ndonëse inkuizitorët e kësaj Gjykate, kur duan ta arsyetojnë veten e sidomos pagat marramendëse thirren se janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe se janë pjesë e sistemit juridik të saj. Në rastin konkret, kjo Gjykatë po sillet si Pako e Ahtisarit brenda sistemit juridik të Kosovës, fjala e tyre është e fundit që nënkupton se është mbi vet shtetin e Kosovës. Qasje tipike kolonialiste dëshmohet kur urdhërohet bartja e një dosje gjyqësore të viti 2021 nga gjykatat e Kosovës.
Pastaj, për një kohë të gjatë fshihen provat shfajësuese për të akuzuarit kurse merren parasysh provat e sajuara nga shërbimi informativ dhe kundërinformativ i Serbisë si dhe dëshmitarët e trajnuar në Serbi , po nga këto shërbime.
Në mesin e këtyre dëshmitarëve ka edhe robër lufte nga Kosova që mbaheshin nga Serbia në burgje ku, në kushte frikësimi dhe dhune iu janë marrë “dëshmi“ inkriminuese për të akuzuarit. Në mesin e tyre ka edhe të tillë që sot bartin poste në institucionet kosovare.
Nëse një Gjykatë, si kjo në Hagë që ka pretendime aq të mëdha merr si prova të mirëqena deklaratat e përfituesve apo, siç thotë Umberto Eko, të idiotëve të rrjeteve sociale, lirisht mund të themi se aty nuk mund të ketë drejtësi, se drejtësia ka vdekur apo është vrarë pikërisht nga ta që duhet të ndajnë drejtësi, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtarisht.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mungesë vullneti, guximi dhe kredibiliteti, jo për të ndërhyrë në drejtësi por për të kërkuar që kjo Gjykatë të jetë më transparente dhe e vendosur të respektojë të drejtat e personave të privuar nga liria e që po shkelen në mënyrë të lakuriquar dhe të turpshme. Deputetët e opozitës së sotme kanë problem të reagojnë sepse një pjesë e madhe e tyre e kanë votuar këtë Gjykatë kurse pozita aktuale në kohën kur ishte votuar themelimi i kësaj Gjykate, si opozitë kishte votuar kundër kurse sot po ndjehet mjaft mirë me punën e kësaj Gjykate duke mos e ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtje të të drejtave që iu takon. Madje, me disa veprime dhe deklarate po bënë përpjekje t’ua vështirësojë gjendjen.
Hysni Gucati dhe Nasim Hardinaj, ndonëse kanë dënimin e plotfuqishëm ende janë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Askush nga institucionet e Kosovës nuk po kërkon që ata të transferohen në Kosovë sepse të tilla janë kushtëzimet, bënë të transferohen edhe në Serbi por jo në Kosovë. Po në të njëjtën kohë institucionet e Kosovës, Qendrën e Paraburgimit në Gjilan po e shndërrojnë në hotel për të dënuarit që janë në Danimarkë, asnjëri prej tyre nuk është danez por nga shtetet e treta dhe të cilët shteti i Mbretërisë së Danimarkës ia shet Kosovës për një afat, fillimisht 10 vjet e që, në fakt është një marrëveshje kriminale dhe raciste që deputetëve të Kuvendit të Kosovës po iu shitet si Marrëveshje ndërkombëtare fitimprurëse. Tash, bëjeni një krahasim midis shtetasve të Kosovës që janë në Hagë e që duhet të trajtohen si pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe shtetasve jodanezë që do të trajtohen në Kosovë në bazë të ligjeve të Danimarkës. Çfarë poshtërsie!