Zyrtarja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Gjykatën Speciale, Angela Griep në konferencë për medie, ka bërë me dije se Paneli i Gjykatës së Apelit u ka refuzuar ankesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima në çështjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. ‘‘Të mërkurën, më 26 prill 2023 Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelet e 20 personave për të marrë pjesë në proces gjyqësor si viktima të cilët kishin apeluar vendimin e trupit gjykues ku u refuzua kërkesa e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerëve”, ka thënë Griep. Sipas saj, Paneli ka vendosur se personat mund të dorëzojnë sërish kërkesë në qoftë se i paraqesin informacione të reja trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”. Ajo ka theksuar se apelet janë dorëzuar nga dy mbrojtës që përfaqësojnë 20 personat të cilëve iu refuzuan kërkesat. Më tutje, ajo ka thënë se në të njëjtën çështje gjyqësore më 28 prill trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit për miratimin e një procedure për rastet kur mund të dal aspekti i vetë inkriminimit nga vet dëshmitari në bazë të rregullës 151.