Albert Z. ZHOLI: Sot në mbarë vendin përkujtohet Dita e Dëshmorëve! Por çfarë ndodh në Shqipëri në këtë ditë?

Sot në mbarë vendin përkujtohet Dita e Dëshmorëve! Por çfarë ndodh në Shqipëri në këtë ditë?

Flasin veteranët dhe pasardhësit e tyre: Hulusi Hako, Servet Agalliu, Veli Myftari dhe Aleksandër Dragoti

 

Çdo vit, më 5 Maj nderojmë dëshmorët e kombit, që kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj, ose në mbrojtje të pasurisë së popullit dhe jetës së njerëzve ndaj fatkeqësive të ndryshme. E cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar të përkujtohet si e tillë në nderim të 5 Majit 1942, ditës kur nga fashistët u vra Qemal Stafa, i riu komunist, aktivist i Luftës Nacional Çlirimtare. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe i mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike dhe trashëgimisë së historisë të tyre, kaluar nga brezi në brez. Dhe deri në vitin 1945, shteti shqiptar nuk kishte një status ligjor për dëshmorët e atdheut. Vetëm pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist-Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr. 109, “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve, që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para luftës. Kurse në vitet ´60-statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës dhe të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”. Ndërkaq, pas viteve ’90, statusi i Dëshmorit të Atdheut pësoi ndryshime. Po si përkujtohet në Shqipëri sot dita e 5 Majit dhe në tërësi, Lufta Antifashiste-Nacionalçlirimtare me të rënët e saj? Japin mendimin e tyre rreth kësaj çështje veteranë dhe pasardhës të tyre… Drejtojnë apelin publik që të rinjtë e sotëm ta duan Shqipërinë, siç e deshën dëshmorët. Duke pohuar gjithashtu me keqardhje se “sot zor se gjen djem idealistë, djem të sakrificës, si dëshmorët që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe respekti”…

 

 Hulusi Hako, Kryetar i Komitetit Kombëtar i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi Kombit”.

5 Maji është një ditë e shënuar për gjithë popullin shqiptar, është sinteza e përpjekjeve për liri dhe pavarësi. Është sinteza e një lufte heroike të popullit tone, që simbolizohet në figurën e Heroit të Popullit, Qemal Stafa. Ai u bë frymëzimi i brezave për atdhetarizëm, dhe i tillë do të mbetet. Akti i tij heroik frymëzon të gjithë brezat dhe ne duke bërë homazhe në këtë ditë nderojmë dhe frymëzohemi nga vepra e lartë sublime e këtyre njerëzve të rrallë, që ringritën Shqipërinë. Ne e kujtojmë dhe e nderojmë këtë ditë me përkshtim, me dashuri, dhe me mirënjohje për atë brez që u përkushtua me vetmohim dhe sakrifica për lirinë e atdheut, popullit. E gjithë Organizata jonë kombëtare në qendër dhe në rrethe është e angazhuar totalisht për festimin me madhështi të kësaj dite. Kjo ditë lidhet ngushtë me idealet e mëdha të të rënëve me të cilat organizata jonë udhëhiqet dhe merr frymëzim. Kjo ditë është e lidhur ngushtë me traditat e vendit tonë për të qenë gjithmonë vigjilent dhe krenar për historinë tonë. Kjo ditë na bën krenar dhe unë do ta quaja pasuri të madhe kombëtare. Sot shohim me keqardhje se dashuria për atdheun po venitet. Sot s’ka më idealistë si dëshmorët.

Servet Agalliu, veteran i luftës, “Debatikas”: “5 Maji, sa më shumë që ecën koha, aq më shumë lartësohet”

 

Në fillimet e mia në luftë përkojnë në 15 maj 1942 kur isha “Debatikas”, pastaj në nëntor 1943 kam qenë korrier i Qarkut të Beratit në pjesën jugore të reparteve të LNÇ. Dita e 5 Majit është një ditë historike, një ditë që sa më shumë ecën koha, aq më shumë lartësohet. Në këtë ditë ne kujtojmë gjakun e të rinjve dhe të gjithë atyre që ranë për atdhe. Në këtë luftë kanë marrë pjesë mbi 70 mijë partizanë nga të gjitha moshat nga veriu në jug. Nga të gjithë këta 6 mijë ishin shoqe partizane pasi dhe ato luftuan posi burrat në këtë luftë. Por kryesorja e kësaj lufte është se kanë rënë për lirinë e vendit plot 28 mijë dëshmorë në lule të rinisë. Prandaj Komiteti i Veteranëve dhe pasardhësve të luftës do ta kujtojë gjithmonë me nderim këtë ditë të shënuar. Është dhe mbetet dita më e bukur e Shqipërisë. 5 Maji do mbetet një ditë e rrallë, një ditë që të frymëzon. Unë si bir dëshmori e kam amanet këtë ditë nga familja ime. Ne të gjithë që jetojmë në vendin e shqiponjave kujtojmë se pa heroizmin në luftë të këtyre trimave nuk do kishim lirinë. Gjaku i tyre është në çdo pemë, në çdo lule, në çdo objekt të rrallë në themel në rrënjë është gjaku i dëshmorëve. Lavdi!

 

Veli Myftari, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi Kombit”.

Në këtë ditë të bukur të të gjithë popullit shqiptar ne vijmë më të organizuar dhe më të bashkuar për të përcjellë brez pas brezi amanetin e të rënëve. Në këtë ditë kujtojmë Qemal Stafën, i cili dha jetën në lulen e rinisë për lirinë e atdheut. E gjithë Kryesia e Kryetarit Kombëtar është e moblizuar nga qendra dhe në të gjitha degët duke dhënë porosi të veçanta për ta festuar denjësisht këtë ditë. Kemi dhënë udhëzimet përkatëse në degët tona nga Vermoshi në Konispol për ta përkujtuar me ceremoni solemne këtë ditë. Vetë kryesia e ka detyrimin e saj dhe do shkoj si çdo vit në varrezat e Dëshmorëve të Kombit duke vendosur pranë “Nënë Shqiëpri” kurorat me lule në shenjë nderimi dhe respekti. Ne do jemi pjesë e Protokollit qeveritar për të përkujtuar këtë ditë ku pjesë e Protokollit janë Qeveria, Presidenti, Kuvendi, Parlamenti, Organizata jonë etj… Ne kemi marrë masa që kudo në Shqipëri ku janë lapidare, ku janë simbole të luftës, memoriale të vendosen kurora me lule dhe të mbahen ceremonitë e rastit. Kljo është një ditë e madhe e gjithë kombit që kujton heronjtë dhe ne kështu do ta festojmë gjithmonë. Pa heronj dhe dëshmorë nuk do të kishte liri nuk do të kishte komb. Ata janë simboli dhe krenaria jonë. Të rënët, simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë, por edhe për brezat që vijnë.

 

ALEKSANDËR DRAGOTI: Djali i Asaf Dragotit, ish-Komandant i Brigadës së VIII Sulmuese: “Lufta nuk mund të mohohet, në gjithë botën dëshmorët nderohen”.

 “Kur vjen 5 Maji, edhe emri i babait tim, Asaf Dragoti bëhet më i madh, më i bukur, më i nderuar, pasi e nderon gjithë pjesa patriotike e popullit tonë. Dita e dëshmorëve është në ditën më të bukur të luleve. Vetë natyra ka dashur t’i mbulojë me lule këta djem dhe vajza që ranë për lirinë e atdheut. Lule ishin ata, lule është vetë natyra në këtë ditë.

Kontrolloni gjithashtu

Nasri Bajçinca, bëri të ditur se PDK ka mbështetjen dhe përkushtimin e diasporës për Kosovën

Në një takim të organizuar nga Partia Demokratike e Kosovës në Mynih, të Gjermanisë, veprimtari …