Metush Mehmet Gashi u lind me 3 qershor të vitit 1927 në fshatin Nabërgjan të komunës së Pejës. Rrjedh nga një familje atdhetare e patriotike, cila asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen në të cilën gjendeshin shqiptarët. Aktiviteti patriotik i familjes së dëshmorit, Metush Gashi, bëri që autoritetet e ish-Mbretërisë Jugosllave ta kishin halë në sy veprimtarinë e kësaj familjeje, ku një pjesë e saj në vitin 1936 detyrohet të largohet, për në Fier të Shqipërisë.
Metush Gashi edhe pse i ri në moshë, si 16-vjeçar inkuadrohet në Brigadën e Tretë Shqiptare dhe merr pjesë aktive në mbrojtje të trojeve shqiptare në Sanxhak të Pazarit të Ri. Në shumë beteja të zhvilluara në Plavë, Guci e Rozhajë u dallua për trimëri e shkathtësi. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, Metushi u ballafaqua me sistemin e egër të Rankoviçit, me ç’ rast në Janarin e viti 1956 arrestohet dhe dërgohet në fshatin Ozdrim, ku maltretohet dhe detyrohet ta dorëzojë armën të cilën e posedonte nga koha kur ishte ushtar në mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare.
Por, Metush Gashi i kishte vënë synim vetes lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai asnjëherë nuk u lëkund nga qëndrimet e tij përkundër kërcënimeve, trysnisë e shantazheve nga autoritetet serbe. Në vitin 1995 Metushi përndiqet familjarisht nga ushtria dhe policia serbe, kurse të birin Ali Gashin e arrestojnë në Kliçinë të Pejës.
Inkuadrimi i Metushit në radhët e UÇK-së të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” ishte frymëzim për ushtarët dhe shokët e idealit e po ashtu krahë ju bënë edhe djemtë: Rexhepi, Alia e Selim Gashi. Shtëpia e Metushit ishte bërë çerdhe e UÇK-së në anën e Nabërgjanit duke pritur, strehuar, ushqyer e mbajtur shumë luftëtar të lirisë.
Mobilizimi i familjes së dëshmorit, u vërejt në çdo organizim që kryente Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Djemtë e tij: Rexhepi dhe Aliu ishin çdoherë në krye të detyrës, ata bartnin armë, të plagosur ishin në vijat e para të frontit, me shumë përkushtim Metushi me bijtë e tij kryen detyrat e tyre kombëtare.
Bashkëluftëtarët e Metushit ishin: Qerim Berisha (mixha), Kapllan Nikçi, Mehmet Gashi, Ekrem Berisha, Muharrem Morina, Emin Berisha, Tahir Shala, Ibish Dervishi e shumë të tjerë.
Në betejën e 8 majit të vitit 1999, në luftime të ashpra, të zhvilluara mes UÇK-së dhe ushtrisë paramilitare e çetnike serbe në fshatin Nabërgjan të Pejës, bie heroikisht në fushën e nderit dëshmori i kombit, Metush Gashi. Emri i tij është gdhendur e gravuar në shumë pllaka të ngritura për nder të dëshmorëve si në; Obeliskun e dëshmorëve të Pejës, në Pllakën e dëshmorëve të kombit në Marinë të Skenderajt, e në shtatoren e fshatit Nabërgjan. Po ashtu rrugë të emërtuara në emër të tij. Në shumë libra kushtuar dëshmorëve si te: Të pavdekshmit e Dukagjinit të Hasan Hasanit, Dëshmorë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Feniksët e Lirisë e po ashtu shumë poezi ju kushtuan Metushit nga autorë vendës.
Jeta dhe vepra e dëshmorit Metush Mehmet Gashi është frymëzim brezash se si duhet mbrojtur atdheu e kombi. Dëshmori la pas vetes shumë djem e vajza, nipa e mbesa që sot janë krenar e ballëlartë që patën një baba e gjysh si Metush Gashi. (Dren Sherif Brahimaj)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …