Heronjtë jetuan të lirë edhe kur ishin në robëri, ndërsa sot, disa jetojnë të robëruar edhe në liri.
Bahriu i këshilloi që moti robërit e lirisë me këto vargje që diti t’i qëndiste aq mirë:
…
Nëse dëshironi të dini si jetuan dëshmorët,
mos shkoni në shtëpitë e tyre,
shikoni robërinë tuaj.
…
Maji është muaj i krenarisë, sepse kujtojmë rrënjët e përfundimit të robërisë. Kujtojmë ditën e dëshmorëve të kombit, kujtojmë luftën e Qemal Stafës në Tiranë, Luanit në Qafë Prush, Bahriut në tre-kufi, Ilirit me Hazirin në Bajram Curr, e Agron Rrahmanit në Prishtinë.
Me luftën e tyre u thye robëria, u dha kushtrimi, dhe gurët e varreve të tyre gjithandej trojeve tona u bënë gurë-themel i lirisë dhe shtetit të bashkuar Shqiptar.
Nuk është e rastësishme goditja që fryma e lirisë merr në Maj, ashtu si u godit në 98’ me goditje të një-pas-njëshme duke u munduar ta ndalin bashkimin e dy formacioneve më të fuqishme të kohës, ashtu mundohen t’ia zbehin lavdinë sot me presione e me përfaqësues të lloj-lloj interesave – vetëm të Kosovës JO.
Ato goditje në 98’ u kthyen në forcë sepse dalëzotësit e amanetit të shokëve të tyre u dakorduan më 11 Maj për bashkimin e fuqive dhe bashkërisht e luftuan armikun. Po sot, a ka kush t’i dal zot amanetit të qytetarëve tanë? A kan guxim ta mbajnë kurrizin drejtë e të mos përkulen as para armiqëve e as para miqve të tyre që janë mbuluar me petkun e “emisarëve”?!
Lulet e majit, ashtu si shumë pranvera të lulëzuara nga gjaku i derdhur i brezave të tërë, nuk vyshken, dhe mbi themelet e ngrituara me gurë të lavdisë nuk mund të ndërtohen mure me llaq të robërisë.
Prandaj, kur të shkoni para lapidarëve të heronjëve tanë si për tu shfajësuar për bëmat apo për sehirin tuaj, kujtoni vargjet e tjera të Bahriut, ndoshta do të zgjoheni:
…
A bën t’i thuhet: fli i qetë
Derisa edhe ne flemë mbi dhe?
…