Fadil Shyti: Heroizma madhështore që kanë lënë gjurmë të thella në historinë tonë të re I

Fadil Shyti: Heroizma madhështore që kanë lënë gjurmë të thella në historinë tonë të re I

Duke lexuar librin e luftëtarit të lirisë, Rexhep Ahmeti , “Kujtime nga lufta e UÇK-së I

Kreshniku i Zhabarit – Ajet Mahmut Uka”. Pjesa e parë.

“Motër, nëse i mbijetoj kësaj lufte, do t’i çliroj një nga një tokat shqiptare”.

Bekim Berisha, i kishte thënë motrës së tij, Zyrafete Berishës.

Motoja e librit të kujtimeve:

“Këto kujtime ia kam pasur borxh “Abesë” – Bekim Berishës. Atij i kemi shumë borxhe, jo vetëm unë, por tërë Kosova dhe Shqipëria. Bekim Berishë më nëna nuk lind!” – përfundon me lot në sy rrëfimin e tij pothuaj me shkrehje në vaj burri, ushtari besnik i “Abesë” kreshniku i kësaj ane, Ajet M. Uka.

Ose

“Qysh po munden disa me shkelë mbi gjithë atë gjak edhe me e çue veten kaq “nalt”?!…”

Gjatë vizitës sime në atdhe, pata nderin të takoja veternain e devotshëm të UÇK-së, Ajet Ukën. Me rastin e takimit, Baci Ajet më nderoi me dhurimin e këtij libri që, vërtet më la mbresa të pashlyera nga gjithë ato kujtime të atyre viteve epike, kur trimat dhe trimëreshat,

“E kishin fatin sa gryka e pushkës”. (Populli).

Për plakun e sinqertë të besës e të nderit, të punës dhe të luftës Ajet Ukën më kishte folur në telefon ca muaj më parë, autori i këtij libri, bile në kohën që e kishte filluar punën për këtë libër në formë interviste, e cila në fakt e tejkalon një intervistë mediatike, duke marrë përmasat e një kronologjie ngjarjesh bukur të zgjeruar duke bërë një libër udhëdrite duke nxjerë në dritë jetën dhe heroizmat jo vetëm të këtij burri, kreshnik Ajetit, por edhe të shumë luftëtarëve të UÇK-ës, komandantëve dhe ushtarëve të sakrificave të mëdha, si Bekim Berishës, “Abesë”, Bedri Shalës, Shaban Shalës, Rasim Kiçinës, Ilir Konushevcit, Hazir Kryeziut e të tjerë dëshmorë të atdheut.

Gjatë leximit të librit, lexuesi shpesh krijon përshtypjen që, heroi kryesor është Bekim Berisha, “Abeja” të cilin Ajeti e kishte komandant dhe të cilit i qëndroi besnik që nga fillimi i paraqitjes së tij vullnetar në radhët e UÇK-në SHP e UÇK-në Likoc të Drenicës Heroike, deri në ditën kur “Abeja” ra heriokisht në altarin e lirisë. Nga ky aspekt është për çdo lakmi modestia e këtij ushtari të devotshëm proletar që, ndonëse libri është shkruar për kujtimet e tij, ay herë-herë, sikur e harron rolin e tij në Luftën Çlirimtare, pra, më shumë evokon kujtime për “Abenë” dhe shokët tjerë të luftës dhe për pritjen vëllazërore në Shqipërinë tonë të andej Drinit, sesa për veten.

-Vlen të theksohet që, nga data 26 Korrik të vitit 1998, Bekim Berisha, Bedri Shala, Rasim Kiçina e luftëtarë të tjerë të shquar të UÇK-së, ndeshen me forcat serbe në afërsi të fshatit, Jasiq. Trimat e UÇK/së i thyejnë forcat serbe dhe më 28 korrik, Bekim Berisha, Bedri Shala e të tjerë vendosen në Junik, i cili asokohe ishte në kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vazhdim, deri më 10 gusht, Bekim Berisha, Bedri Shala, Përmet Vula, Elton Zherka, Ibrahim Krasniqi, Rexhë Morina, Hajdin Bala, Ramiz Bytyqi e të tjerë ndërmorën aksione të njëpasnjëshme kundër forcave armike, të cilat bënin përpjekje të pareshtura për t’i marrë nën kontroll dy pikat më strategjike ushtarake, Junikun dhe Smolicën.

Më 9 gusht të vitit 1998, në vijën e frontit në zonën e Junikut janë zhvilluar luftime të ashpra dhe të pandërprera të forcave të UÇK-së, kundër forcave policore dhe ushtarake serbe.

Atë ditë bie në altarin e atdheut, Bashkim Leku, bashkëluftëtar dhe shok i ngushtë i Bedriut.

Më 10 gusht, forcat e UÇK-së, përballojnë me sukses sulmin e ushtrisë armike në Junik. Luftimet për mbrojtjen e Junikut i udhëhoqën komandandantët e mirënjohur, Bekim Berisha dhe Bedri Shala.

Në këtë betejë, pushtuesi serb u detyrua të tërhiqet nga vendluftimi, duke lënë ushtarët e tij të vrarë si dhe disa tanke e automjete të tjera ushtarake. Duke parë një tank të armikut i mbetur pa efektivin udhëheqës, Bedriu i afrohet tankut me qëllim që ta tërheq nga vija e luftimeve, ai kishte pasur dëshirë të madhe që ta çonte një tanks në Drenicë. Shokët ia kishin tërhequr vërejtjen, meqë luftimet ende nuk ishin ndërprerë, rreziku nga zjarri ishte evident.

-“Ja e çoj këtë tank në Drenicë, ja nuk kthehem i gjallë”,-ishte betuar ai, para bashkëluftëtarëve. Kështu, në momentin kritik, derisa ishte afruar për të hyrë në tank, një plumb snajperi e godet në kraharor. Komandant, Bekim Berisha, me disa luftëtarë me mortaja dore të tipit 150 dhe 500 i sulmon forcat armike dhe arrin te trupi i plagosur i Bedriut.

Me këtë rast zhvillohen luftime të ashpra. Në tërheqje e sipër, një predhë e armës armike godet për vdekje edhe Bekim Berishën.

Atë ditë në altarin e atdheut bien heroikisht edhe bashkëluftëtarët, Elton Zherka, e Përmet Vula. Bedriu, kishte jetuar deri në ora një pas mesnate. Plagët kishin qenë vdekjeprurëse, por ai kishte qëndruar me stoicizëm… Nga intervista e Ajet Ukës, fq. 83-84

-Dy fjalë për biografinë e Ajet M.Ukës dhe vendlindjen e tij.

Ajet Mahmut Uka u lind më 15 mars 1945, në Zhabar të Epërm. Është fëmiu i dytë i Mahmut dhe Fatime Ukës. Babai i Ajetit ishte bujk i mirë, ndërsa e ëma një grua punëtore e nikoqire e jashtëzakonshme. Ata rritën dhe edukuan pesë fëmijë, tre djem (Nexhmedinin, Ajetin, Brahimin) dhe dy vajza (Sadijen dhe Gjylen).

-Fshati Zhabar i Epërm shtrihet rreth tri kilometra në perëndim të qytetit të Mitrovicës. Besohet se paraardhësit e banorëve të tashëm e kanë rithemeluar fshatin.

Më të vjetrit tregojnë se të parët e tyre i përkisnin fisit Gash, kanë ardhur nga fshati Jezerc. Lagja e Gurgurëve janë muhaxhirë, të shpërngulur me dhunë nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-1878. Në pjesën që quhet “Katunishte” ( Selishtë ) dhe në pjesën e epërme të fshatit rrëzë malit ( Prroni i Kumbullave ) janë gjurmë të qeramikës, tullave, gypave, varreza të vjetra etj.

Në sallnamet ( defterët ) e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893, 1896 dhe të vitit 1900 është regjistruar si vendbanim me emrin Zabari – Bala. Në fund të shek. XIX ka pasur 20 shtëpi, të gjitha shqiptare. Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, fshati Zhabar në vitin 1913 ka pasur 169 banorë. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ky fshat ka pasur 41 shtëpi me 265 banorë; në vitin 1971, 78 shtëpi e 389 banorë, në vitin 1981, 100 shtëpi e 798 banorë, ndërsa para agresionit serb në pranverë të vitit 1999 ka pasur 130 shtëpi me 1049 banorë. Gjatë luftës, forcat ushtarake- policiore serbe kanë djegur 113 shtëpi si dhe objekte të tjera, madje kanë dëmtuar shumë edhe shkollën fillore të fshatit. Në fshatin Zhabar kriminelët serbë kanë ekzekutuar 21 banorë të fshatrave të ndryshme; Zhabari i Epërm -2 , Vinarci, Gushavci, Koshtova, Bistrica, etj. Para se të digjej fshati, këtu janë strehuar një numër i mash i banorëve nga Mitrovica, Shala, Drenica etj. Në muajin prill 1999, gati gjithë popullata është dëbuar në Shqipërinë e andej Drinit, në Mal të Zi, e gjetiu.

Lavdi dëshmorëve të atdheut!

Vazhdon

5 Maj, 2023

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …