Enver Shefki Miftari (14.5.1974 – 8.6.1999)

Enver Shefki Miftari (14.5.1974 – 8.6.1999)

Enver Miftari u lind më 14.5.1974 në Verbicë të Zhegocit. Ishte fëmija i dytë i Shefkiut dhe Shahës. Si fëmijë ishte i dalluar për urtësi, si nxënës ishte i dalluar në mësime dhe ishte shok i mirë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e vazhdoi në Prishtinë në shkollën teknike “28 Nëntori”. Kushtet e jetës e detyruan të marrë rolin e mbikëqyrësit të familjes meqenëse prindërit ishin të shtyrë në moshë. Për këtë arsye ai nuk pati mundësi që ta vazhdojë shkollimin e mëtutjeshëm dhe po ashtu kushtet e rënda ekonomike në familje e detyruan të punojë për mbajtjen e familjes.
Enveri ishte shumë i angazhuar. Këtë e dëshmoi me veprën e tij. Fillimin e luftës në Kosovë e priti me krenari, duke ditur se me luftë fitohet liria. Pa u hamendur aspak u inkuadrua në radhët e UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut ku nën flamurin e luftës jep betimin para Eprorëve dhe shokëve të vet, ku edhe merr emrin e ri të luftës “Bardhi”. Me të dëgjuar se në fshatin Zllash të Marecit kishte filluar edhe stërvitjet për ata që donin t’i bashkoheshin luftës kundër forcave okupatore serbe ai në janar të vitrit 1998 shkoi atje dhe qysh nga ajo ditë iu bashkohet radhëve të UÇK-së.
Për herë të parë është vendosur në Zllash pas stërvitjeve ai u vendos në fshatin e tij në Verbicë. Ishte ushtar i lirisë në Zonën e Karadakut.
Bashkëluftëtarët e tij të ngushtë ishin: Milazim Miftari, Naser Miftari (Kurta), Bejtullah Osmani-Dajku, Besim Syla-Liraku, Bekim Sadiku-Liridoni, Nevzat Asllani, Rrustem Avdiu.
Më 15 prill të vitit 1999 ishte pjesëmarrës i betejës së Zhegocit, ndërkohë më 17 prill 1999 ishte pjesëmarrës në betejën e Marecit. Pas këtyre betejave Enverit i shtohet morali dhe nga komanda emërohet në detyrë speciale në vijën Marefc, Verbicë, Zhegoc (ish-Kishnapole).
Enveri-Bardhi ishte njeri që nuk fliste dhe mbante një heshtje burrërore. Ishte i ri por lufta dhe morali i luftës e kishte bërë si burrë me pjekuri para kohe.
Në atë mëngjes të hershëm të 8 qershorit 1999 forcat serbe ia mësyn vendit ku ishin të vendosura njësit e UÇK-së, në mesin e tyre edhe Enveri. Pasi i vëren forcat serbe, Enveri hapi zjarr në drejtim të tyre, duke u shkaktuar humbje dhe njëkohësisht alarmoi bashkëluftëtarët për rrezikun dhe me një mençuri krijoi korridorin për tërheqje.
Në luftim e sipër Enveri plagoset në këmbë dhe pasi i jep vetes ndihmën e parë e lidh plagën dhe ashtu vazhdon betejën kundër forcave serbe duke shkrepur rafalët një pas një dhe nga një kënd tjetër, ku pas një lufte të madhe nga një distancë Enveri goditet edhe një herë nga snajperistët serbë, me ç’rast edhe bie heroikisht në altarin e lirisë.
Ra në krye të detyrës në Verbicë në Lagjen “Avdiu” ku edhe ishin të vendosura njësit e UÇK-së për një kohë të pacaktuar. Qëndresa e Enverit-Bardhit për të rezistuar dhe përgjigjur ballë për ballë me forcat armike i pengoi që ato t’u afrohen pozicioneve të UÇK-së. Sulmet e armikut ishin të ashpra në drejtim të pozicionit dhe pikës mbrojtëse që mbronte Bardhi. Falë rezistencës dhe heroizmit të tij, për ta mbrojtur një mjeke dhe bashkëluftëtarët e tij ai u qëllua nga një dorë vrastare me snajper dhe u plagos në këmbë. Sipas kushëririt të tij që kishte treguar ai ishte plagosur në këmbë dhe bardhi ishte munduar ta lidhte këmbën, kishte lidhur këmbën të mos kishte gjakderdhje. Ndërkohë një snajperit tjetër e kishte qëlluar në kokë. Kushëriri i Bardhit, një djalë i mitur kishte shkuar duke qarë te bashkëluftëtarët e Bardhit dhe i kishte njoftuar se Bardhin e vranë forcat serbe, duke shtuar se i kishte parë të shtrirë në fushë.
Bardhi ra heroikisht në mbrojtje të vendit ashtu siç bien trimat e lirisë dhe heronjtë e luftës, me plumb në ballë e jo në shpinë duke ikur dhe duke i mbrojtur pozicionet.
Më 8 qershor 1999 u bë varrimi i Enverit me nderime të larta të ushtarëve dhe të afërmve që ishin në fshatin Verbicë.
Rënia heroike e Enverit-Bardhit ishte një dhimbje e madhe për familjen për bashkëluftëtarët por ishte një rënie e lavdishme, meqë e nderoi Verbicën Gjilanin me rrethinë Karadakun si dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Komanda e ZOK-ut më 17 shtator 1999 organizoi rivarrimin e Enverit dhe të gjithë Dëshmorëve në varrezat e dëshmorëve në Gjilan. Në vendin e rënies, në Lagjen e “Avdiu” në Verbicë është ngritur përmendorja. Pllaka në përkujtim të këtij dëshmori është ngritur dhe të varrezat e Lagjes “Ismaili” ku ka qenë i varrosur. Për Enverin ka shkruar shtypi ditor, javor dhe janë shkruar edhe libra, si dhe janë mbajtur akademi përkujtimore. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …