Sot 25 vite ka ndodhur një ndër ngjarjet më të rëndësishme për fuqizimin e luftës çlirimtare. Më 11 maj të vitit 1998 UÇK dhe LKÇK kanë arritur marrëveshjen që i tërë potenciali ushtarak i LKÇK-së të vendoset nën komandën e UÇK-së përderisa LKÇK ka mbajtur pavarësinë e saj politike. Për aq sa kjo ngjarje ka luajtur një rol të madh në ngritjen e luftës sonë në një shkallë tjetër, për aq sa ka ndikuar në rritjen e mobilizimit popullor dhe sidomos në dërgimin e mesazhit se përkundër dallimeve shqiptarët mund të bëhen bashkë në funksion të lirisë së Kosovës, për aq kjo ngjarje disi ka mbetur nën hije nga zallamahia që ka kapluar shoqërinë tonë pas luftës çlirimtare si dhe nga interesat ditore meskine politike që jo çdoherë kanë qenë të interesuara për ta vendosur këtë ngjarje në pediastalin që i takon. Për më tepër ky bashkim ka ndodhur në një hark kohor ku tri figura qendrore të organizimit të luftës sonë Bahri Fazliu – Gzimi (LKÇK), Ilir Konushevci – Mërgimi (UÇK) dhe Agron Rrahmani – Naseri (LKÇK) e që po ashtu kanë luajtur në rol të rëndësishëm e qenësor në këtë bashkim, kanë ra në fushën e nderit. Bahriu i rënë më 7 maj, Iliri më 9 maj dhe Agroni më 12 maj 1998 janë figurat që me tërë punën e rënien e tyre e simbolizojnë këtë bashkim. Për nder të këtyre tre figurave dhe në respekt të këtij bashkimi, guerilja e Prishtinës është emëruar “BIA” me tre shkronjat e para të dëshmorëve. Sigurisht sot kur kujtojmë këtë bashkim, e këto figura, ne kujtojmë edhe shokun tonë Sali Mustafën – Calin, bashkëveprimtarin e Bahriut, Agronit por edhe Ilirit, komandantin e kësaj guerileje i cili padrejtësisht është dënuar në shkallën e parë nga Dhomat e Specializuara dhe po mbahet i burgosur në Hagë.
Kontrolloni gjithashtu
BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme
Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …