leoni

Mehmet Bislimi: VASO PASHA (1825 – 1892)

Vaso Pasha, ishte ndër figurat ndritshme të moteve të hershme, i mirënjohur mes shumë personaliteteve tona kombëtare të asaj kohe, të cilët lanë gjurmë të lavdishme në historinë tonë, gjurmë të pakalueshme edhe në krijimtarinë letrare. Ai u shqua si atdhetar i denjë si krijues, por pa dyshim edhe si diplomat i asaj kohe. Vaso Pasha ( i njohur edhe si Pashko Vasa) rreth viteve 1870- 90-të, ishte si të thuash në kulmin e veprimtarisë së tij për realizimin e aspiratave tona kombëtare.
U lind në Shkodër me 17 shtator 1825, me interesimin e tij për kulturë e dituri, arriti të jetë njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja si: italisht, frëngjisht, anglisht, turqisht, arabisht dhe kroatisht. Një kohë ishte nëpunës i konsullatës Angleze në Shkodër, pastaj nëpunës në krye të një komisioni reformash, pë të cilat Turqia e kishte dërguar në Hercegovinë. Më pas si këshilltar i Vilajetit të Edrenës dhe së fundi si guvernator i shtetit të Libanit deri në fund të jetës së tij, ku edhe vdiq, në Bejrut në vitin 1892.
Vaso Pasha, i frymëzuar nga ide të reja për liri kombëtare, i shtyrë nga ndjenja e atdhedashurisë dhe përkushtimi për drejtësi, sikur shprehej vetë, iu përvesh punës, studimit dhe krijimtarisë në shërbim të popullit tonë me punë dhe sakrifica për liri, drejtësi e barazi shoqërore.
Veprimtaria e tij shtrihet në dimensione të gjëra në hapësirat gjithëkombëtare. Ai u njoh dhe veproi përkrah figurave më të ndritura të kombit tonë, si: Kristoforidhi, Hoxha Tahsinin, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, Vretoja, Isamil Qemali, etj. Vaso Pasha, së bashku me këta burra të shquar e mendjendritur të Rilindjes sonë Kombëtare bënë përpjekjet e para për nxjerrjen e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe, madje krijuan edhe shoqërinë kulturore, ku më vonë do të botonin libra shqipe për përhapjen e diturisë dhe arsimit në gjuhën tonë të bukur shqipe. Me këtë synohej edhe ngritja e vetëdijes te popullin ynë si dhe krijimi i një uniteti të brendshëm kombëtar, shumë i nevojshëm për a kohën, me qëllim për të krijuar forca të reja, që do t’i shërbenin çështjes madhore kombëtare. Kjo punë dhe dëshirë e Rilindësve mendjendritur u kurorëzua me 1879, kur Vaso Pasha së bashku me atdhetarët dhe intelektualet e kohës krijuan “Shoqërinë e shkronjave shqipe” ndërkohë që nxorën edhe fletushkën e parë me emrin “Alfabetarja”.

Vaso Pasha, ishte njëri ndër frymëzuesit me rëndësi për themelimin e Lidhjes së Prizrenit. Ai përkrah Abdyl Frashrit u shqua si njeri prej personaliteteve të çmuara të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e tokave shqiptare, i cili ndërhyri shumë herë pranë Qeverisë turke dhe pranë fuqive të mëdha. Një kapitull të veçantë zënë edhe shkrimet e tija publicistike të shkruara në gjuhën shqipe, por edhe në disa gjuhë të huaja, shkrime këto që u botuan në shtypin e kohës dhe që kishin për qëllim ta bënin të njohur qëndrimin e shqiptarëve. Vaso Pasha për këtë qëllim ka të botuara dy libra në gjuhën Frënge, njëra prej të cilave mbanë titullin:” E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarë”, e cila më pas u përkthye edhe në gjuhët: gjermane, italiane, greke dhe në gjuhën turke. Ai në këtë vepër denoncoi propagandën e huaj, në veçanti atë greke dhe serbe, e cila ushtrohej intenzivisht kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke shkruar kundër kësaj propagande dhe me qëllim pë ta nxitur krenarinë e ligjshme kombëtare ai shkruante: “A mos është krim që ta duash vendin tënd? Ajo që është një cilësi dhe një virtyt për të tjerët, s’ka se si të jetë gjë tjetër për ne. Dëshira jonë e madhe për të parë vendin tonë të lirë e bënë vullnetin tonë edhe më të fuqishëm, edhe më të shenjtë dhe të pandalshëm”…
Vaso Pasha është autor i një varg veprash me karakter politik, historik, letrar e publicistik, në të cilat denjësisht e me përkushtim mbrojti çështjen shqiptare. Ai shkroi edhe një gramatikë “Për të zënë të huajt shqipen”. . Shkroi romanin “Bardhat e Temalit”,- “Barda de Temal” me 1980 Paris, që është një nga romanet e para shqiptare. Botoi edhe përmbledhje poezish në gjuhën Italiane me titull:” Pose e spine”- “Trëndafila e gjemba”, madje shkroi edhe disa poezi shqipe të cilat nuk u botuan, si dhe një libër historik për Skënderbeun, i cili me sa duket nuk gjeti publicitetin e duhur. Ndër monumentet e tij shkrimore, kurdoherë mbeti aktule, e pastër dhe e shëndoshë, sidomos për mesazhet e saj poezia e mirënjohur: ” O moj Shqipni”, e cila edhe pas kaq vitesh, nuk e ka humbur porosinë dhe vlerën e saj kombëtare! Kjo vjershë është njëra ndër krijimet më të mira të letërsisë sonë, që i përket Rilindjes Kombëtare. Ajo duke qarkulluar dorë me dorë u bë si të thuash kushtrim i asaj kohe, u bë himni kombëtar, ku bëhej thirrje për bashkim kombëtar dhe rezistencë të fuqishme kundër lakmive pushtuese të fqinjëve tanë hegjemonistë. Mesazhi i vjershës kulmon me kërkesën për dënimin e ndasive fetare e krahinore, ku ngriti zërin e dha kushtrimin për kryengritje të armatosur kundër pushtueseve të tokave tona…
… Kujt i ban zemra me e lan me dek,
Kët farë trimneshe qi sot asht mek?
Kët nanë të dashtun a do ta lamë,
Që njeri i huej ta shklas me kambë?
Çonju shqyptar prej gjumit çonju!
Të gjith si vllazën ne nji besë shtrëngoju
E mos shikoni kisha e xhamia,
Fe e shqyptarit ashtë shqiptaria!
Qysh prej Tivarit deri në Prevezë
Gjithkund lëshon dielli vap` edhe rreze
Ashtë toka jonë të parët na e kanë lan’
Kush mos na e prek se desim t’tanë…

Vaso Pasha ishte dhe mbeti ndër figurat më komplekse në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare, i mirënjohur si intelektual, historian, publicist, romansier, diplomat dhe atdhetari i shquar, i cili tërë jetën e vet e vuri në shërbim të atdheut. Kombi ynë për herë do të mburrët për fatin e mirë, meqë në gjirin e vet mbanë me xhelozi figurat e shkëlqyera si Vaso Pashë Shkodranin. Jeta dhe vepra e Pashkos, janë bërë pjesë e pandashme e historisë dhe e letërsisë së popullit shqiptar.

 

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …