Xhezahir Bela u lind më 15 prill 1974 në fshatin Gjurgjedell, komuna e Kaçanikut. Për të mbetur i pavdekshëm në faqe të historisë kombëtare, ashtu si gjithë dëshmorët e tjerë të atdheut. Xhezahiri rrjedh prej një familjeje të ekonomikisht varfër. Fshati Gjurgjedell gjatë rrjedhave të historisë, si vend malor që ishte, në të gjetën strehim shumë veprimtarë të kombit edhe në periudhat e mëhershme. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen dega automekanik në Kaçanik. Për shkak të kushteve ekonomike, ai nuk pati mundësi t’i vazhdonte mësimet. Ishte korrekt dhe i afërt me të gjithë ata që e njihnin. Gjithnjë ka qenë i flaktë për atdhe. Jeta e vështirë ia mësoi Xhezairit shumë gjëra që ende nuk i dinte, kurse jeta nën okupim për të ishte bërë e padurueshme. Ishte aktiv në demonstratat e viteve ’90-ta. Guximi dhe heroizmi i atdhetarëve të mëhershëm kishte frymëzuar shumë Xhezairin që të qëndronin burrërisht dhe ta sfidonin armikun. Kur filloi lufta në Drenicë, e cila u përhap me shpejtësi edhe në komunën e Kaçanikut, ai ishte i përgatitur për luftë, ku me ardhjen e komandantit Agim Bajrami u formuan njësitet e para të UÇK-së në komunën e Kaçanikut. Në fillim të vitit 1999 ai u mundua në forma të ndryshme ta ndihmonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Kaçanik por më 10 mars 1999 Xhezair Bela iu bashkëngjit radhëve të UÇK-së, duke u sistemuar në Batalionin e Tretë të Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe u vendos në pikën e luftës në Gjurgjedell të Kaçanikut, ku nga ky moment asgjë nuk kurseu për idealin kombëtar. Ishte i afërt dhe vigjilent në kryerjen e detyrave ushtarake. Ditë e natë punonte, në borë e në shi, nuk kishte ditë pushimi për të, vetëm e vetëm që të arrinte qëllimin e idealit kombëtar. Bashkëluftëtarët e Xhezair Belës ishin: Menduh Elezi, Ahmet Selmani, Avdullah Idrizi, Sefer Bela, Kadri Bela, Isuf Idrizi, Nehat Idrizi, Naser Bela, Enver Bela, Xhelil Mani, Muhamet Bela, Naser Elezi, Sabri Bela, Irfan Bela, Shiqeri Bela, Ali Bela, Isni Bela, Vehbi Bela, Gani Bela, Avni Ismaili, Xhemil Mani, Nezir Luta, Mejreme Bela, Xhemil Bela, Emrush Bela, Mirvat Luta, Hamit Bela, Metush Bela, Ramadan Bela, Hebib Bela, Musa Spahiu, Nebih Bela, Milazim Axhami, Rizvan Bela etj. Gjatë muajit maj, në juglindje të Kaçanikut, zhvilloheshin aksione të shumta ushtarake ndërmjet njësiteve tona çlirimtare dhe forcave armike. Njësitë e brigadës 162 “Agim Bajrami” duke vëzhguar terrenin ndërmorën një aksion, duke i vrarë dy ushtarë serbë e duke i plagosur disa të tjerë dhe u shkatërroi tërësisht automjetin luftarak. Në vëzhgim të terrenit një grup çetnikësh kishin tentuar t’i afroheshin fshatit Gjurgjedell. Gjurgjedelli, një fshat i njohur malor ishte i njohur edhe më parë për qëndresë burrërore, ku njësitë e brigadës 162 “Agim Bajrami” ndërmorën disa aksione luftarake. Në shenjë të hakmarrjes, forcat serbe më 14 maj 1999 ndërmorën një sulm kundër njësiteve të UÇK-së në Gjurgjedell, ku prej afërsisë ballë për ballë bien në krye të detyrës dy ushtarët e lirisë: Xhezair Bela dhe Rizvan Bela, nga fshati Gjurgjedell, ndërsa nga forcat okupatore vriten katër policë, kurse disa të tjerë plagosen. Duke i sulmuar, forcat tona atyre ua morën një minahedhës 82 mm me 12 predha, disa bomba, thika dhe një hartë topografike me shënime të forcave të armikut. Po këtë ditë në udhëtim për në Gjurgjedell në krye të detyrës bie Komandanti i Brigadës Qamil Ilazi dhe bashkëluftëtari i tij Selim Shehu si dhe plagoset përcjellësi i komandantit Shefket Kuka, në fshatin Nikoc mëhalla e Veselëve. Xhezair Bela qëndroi heroikisht me pushkë në dorë ballë për ballë me armikun, luftoi deri në momentin e fundit të jetës ku më 14 maj 1999 ra dëshmor për Kosovën e lirë. Xhezair Bela pas vetes ka lënë prindërit: Zeqir Bela dhe Shukrie Bela, vëllezërit: Avdyl Bela, Izahir Bela, Xhemil Bela, Kadrush, Bela, Avni Bela dhe motra Gjyle Bela.
Vepra e tij është shembull i rrallë se si mbrohet atdheu kur ai gjendet në rrezik. Si një yll i pashuar u shkëput nga qielli dhe ra shkëndijë lirie në gjirin e Kosovës nënë, po këtë ditë krahë për krahë me Xhezairin ra edhe bashkëluftëtari tij Rizvan Bela.
Lajmi për rënien e dy Dëshmorëve Xhezair dhe Rizvan Belës u prit rëndë nga bashkëluftëtarët e tyre, por njëkohësisht u shtua edhe më shumë urrejtja ndaj pushtuesit serb. Edhe më i dhimbshëm ishte fakti se trupat e pajetë të Dëshmorëve kishin arritur që t’i marrin forcat serbe dhe i kishin varrosur në një varrezë. Pas lufte gjenden Varrezat e tyre dhe bëhet zhvarrimi i tyre, ku me organizim të Komandës së Brigadës 162 “Agim Bajrami” organizohet dhe bëhet rivarrimi i tyre me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik. Dëshmori i kombit Xhezair Bela ishte shembull i luftëtarit të devotshëm, që nuk dorëzohej para asnjë vështirësie. Ai ishte shembull i njeriut të sakrificës, i gatshëm për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Komanda e ZON-së, Komanda e Brigadës dhe Komanda e Zonës së 6-të TMK-së. (H. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …