Kadri Rexha: Isa Boletini flamurtari i kryengritjeve të Kosovës

Isa Boletini u lind në fshatin Boletin më 15 janar të vitit 1864. U edukua në një familje të përmendur brez pas brezi për burrëri, drejtësi e trimëri. U rrit në kullën e Boletinit, e cila u bë simbol i traditës patriotike dhe qëndresës shekullore në kufirin verior të atdheut, Shqipërisë. Çka nuk panë dhe çka nuk dëgjuan frëngjitë e saj?! Përmbi njëzet beteja u zhvilluan rreth atyre mureve. Gjashtë herë u dogj nga armiqtë e vendit tonë!.. Isa Boletini ishte një burrë i mrekullueshëm. Shtati i tij i gjatë, lis bjeshke, gjithmonë ishte i veshur me kostume të bukura kombëtare, që i jepnin një hijeshi të pashoqe. Në biseda fliste pak, por me vend.
Edhe shekulli i XX në Shqipëri po hynte me turbullira të mëdha. Në Mitrovicë, pandërprerë, bëheshin përleshje me armë ndërmjet ushtrisë turke dhe forcave shqiptare të udhëhequra nga Isa Boletini. Siç dihet, në vitin 1902, në Mitrovicë vjen konsulli rus. Me urdhër të Isa Boletinit ai bojkotohet dhe askush nuk e pranon në konak. Të nesërmen, ai me trenin e parë detyrohet të largohet nga qyteti. Pas kësaj ngjarjeje, dalëngadalë, dukej se po vendosej paqja. Asokohe Sulltan Hamiti e fton Isanë në Stamboll. Në fillim Isai nuk pranon, por i shtyrë prej miqve dhe me shpresë se ndoshta atje mund t’i rregullonte disa çështje që po i sillnin kokëçarje në vendlindje, u nis kah mbarimi i muajit nëntor të atij viti. Për tri vjet e gjysmë, aq sa qëndroi në Stamboll, Isa Boletini u ndihmoi shqiptarëve që shkonin atje për nevoja të ndryshme. Në Stamboll ai u njohtë edhe me Plakun e Vlorës, Ismail Qemajlin, të cilit pastaj do t’i mbet besnik deri në vdekje.
Kur Isa Boletini u kthye në vendlindje, në vitin 1906, Shqipëria ishte bërë vatër e një vargu kryengritjesh. Ndërsa malet e Shqipërisë së Jugut ushtonin nga pushkët e çetave patriotike, në Ferizaj, më 2 korrik 1908, u mblodhën më së tridhjetë mijë kryengritës të udhëhequr nga Isa Boletini dhe Bajram Curri, të cilët protestonin kundër qeverisë turke dhe shfrytëzimit feudal dhe në të njëjtën kohë kërkonin edhe rivendosjen e Kushtetutës së vitit 1876. Pas zbatimit të Kushtetutës dhe ardhjes së turqve të rinj në pushtet në Kosovë u bë një ngjallje e madhe në zhvillimin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore. Më gjithë këtë, Isa Boletini nuk kishte besim në asnjë reformë dhe në asnjë qeveri otomane që do të merrte pushtetin. Për xhonturqit që erdhën në sundim Isa Boletini shprehej në mënyrë lakonike: “çka lind prej mace, han minj!” Prandaj, duke e parë një rrezik te madh tek ai për Perandorinë si dhe pas refuzimit të tij që të shkruhet anëtarë i xhemjetit, turqit ia rrethojnë kullën me taborre të shumta, të sjella nga Selaniku. Pas tri ditësh lufte të rreptë, në një kohë me mot shumë të ftohtë e me borë, Isa Boletini, i plagosur rëndë, shpërthen rrethimin. Ky ishte gjaku i parë që derdhi Kushtetuta, e që u zgjerua në tërë Shqipërinë e Rumelinë. Nga kjo kohë fillon veprimtaria e gjerë patriotike e Isa Boletinit kundër politikës asimiluese të xhonturqve. Vargu i kryengritjeve për liri e pavarësi, tashti e tutje, sa vjen e rritet deri në shpalljen e Luftës Ballkanike nga aleanca antishqiptare. Dhe, kudo në ballë të forcave trime shqiptare u dallua kryetrimi i Kosovës, Isa Boletini.
Pranvera e vitit 1910 popullin shqiptar e gjen në lëvizje masive. Kudo mbledhje e mitingje. Kudo propagandë dhe përgatitje për luftë. Në muajin mars të këtij viti, të Verrat e Llukës, lidhet besa për kryengritje të gjerë. Isa Boletini zgjidhet komandant i të gjitha forcave luftarake. Në mbyllje të këtij Kuvendi Isai iu drejtua burrave të dheut me këto fjalë:
“Vëllazën! Me konstitucion, që si e marrim vesh ne, domethënë bashkim e liri, shpresuem se turqit e ri kanë me punua për të mirë e përparim te të gjithë kombeve nën osmanlinjtë. Ne shqiptarët, kena shpresue se do të na çelin shkolla shqipe, se ndër gjykatare do të gjykohet shqiptari në gjuhë shqipe, kena shpresue se kanë me na goditë rrugë e kan me na çelë fabrika, që të mos mërgohen djemtë tanë në dhenat t’huaj mbas kafshatës. E në vend të këtyre mirësinave që na i garanton Konstitucia, sa pritëm?Pritëm ma fortë me na trashue prangat e robnisë, djemtë tanë me na i veshun asqerë, tuj i mërgue në Azi, të dhetat me na i dyfishue me disa bidate e pagesa të reja që kurrë nuk i kishim dhe mbi gjithë këto zullume edhe me na çarmatosë ne qi tash sa qinda vjetësh me pushkë kena mbrue nderën e trollin tonë… Kështu, na gja tjetër nuk na ka mbetun, veçse me pushkë në dorë me i mprue të drejtat tona. Tokën tonë qi e thau Osmanlia, lotët tanë nuk mujtën me e njomë, e tash na kena me e vaditë me gjak të shqiptarit… Ngrehuni o vllazën, të gjithë na të bashkohemi, ta derdhim edhe ma të maramën pikë të gjakut që na ka mbet, për të drejtat e nder të Atdheut. Rrnoft Vllaznimi. Rrnoft Bashkimi!…”
Me këtë fjalim të zjarrtë Isa Boletini ndezi zemrat e luftëtarëve, të cilët të papërmbajtur vetëm prisnin urdhërin e tij. Nuk vonoi shumë dhe kryengritja pëlciti. Betejat kryesore u bënë në Grykën e Kaçanikut dhe në atë të Caralevës, të udhëhequra nga Isa Boletini, Idriz Seferi dhe Hasan Budakova:
Çka kanë retë që po vetojnë
Dy drangoj po luftojnë
N’Kaçanik deri n’Caralevë
Isa Begu, Idriz Seferi
Dergut Pasha me njëqind mijë
Isa Begu me shqiptari
Kadal, Pashë se s’je n’Rumeli
Tash po sheh shqiptarë me sy
Djegin vetën të përvlojnë ty
Këto beteja qenë nga më të rreptat që ka bërë populli i Kosovës kundër ushtrive të rregullta të Turqisë. Çdo shkëmb i mbrojtur nga shqiptarët u kthye në një kështjellë të pamposhtur. Luftimet zgjatën më se tri javë, ku shqiptarët, me forca dhjetë herë më të vogla dhe në mungesë municioni, luftuan me bajoneta dhe gurë, që i lëshonin nga shkëmbinjtë:
Kaçanik, hej, shkëmb e gurë
Vritesh e pritesh për flamur…
Kaçanik, hej, të raftë pika
Nuk po di se çka është frika
Nëntë sahat tuj u therë me thika…
Mahmut Shefqet Pasha, që ishte nisur për ta zënë të gjallë Isa Boletinin, i la të vrarë dhjetëmijë ushtarë dhe nëntëdhjetë oficerë të lartë. Në këto beteja Isa Boletini ishte komandant kalorësie, këmbësorie dhe ushtar i thjeshtë midis ushtarëve, ku merr edhe dy plagë të rënda.
Pas kryengritjes së armatosur, në Kosovë gjendja bëhet tepër e rëndë. Në çdo anë vërshon flaka e tymi:
N’Kaçanik deri n’Boletin
Tanë Kosova asht mblu’ me tym
Mblue me tym e ka marrë flaka
E dogj me topa Dërgut Pasha
Prandaj, si shumë kryengritës, edhe Isa Boletini, i përcjellë prej bijve dhe prej nipave, u detyrua të arratiset në Mal të Zi, ku e kaloi dimrin. Edhe pse larg atdheut, ai nuk qëndroi duarkryq, por mendonte dhe punonte për një kryengritje tejpërtej atdheut.
Në muajin mars të vitit 1911 Isai kthehet në Boletin. Këtë vit e kalon duke vajtur nga fshati në fshat, duke këshilluar krerët kryengritës dhe miqtë e tij më besnikë që të bëhëshin gati për një kryengritje të madhe mbarëshqiptare.
Viti 1912. Kosova kryengritëse zien. Gjatë muajit mars Isa Boletini takohet me patriotin demokrat, Hasan Prishtinën, prej të cilit merr vesh se edhe Shqipëria jugore është përgatitur për fillimin e kryengritjes së madhe çlirimtare. Në këto kushte do të ndihet nevoja e një mbledhjeje të përgjithshme. Kuvendi u mbajt më 21-25 maj në Junik, ku morën pjesë mbarë paria e Kosovës. Në Kuvendin e Junikut u vendos që të luftohej deri sa të çlirohej edhe Shkupi, kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës. Hartues i planit të kryengritjes u emërua Isa Boletini. Lufta filloi e rreptë dhe dhëmbë për dhëmbë me armikun. Isa Boletini, në krye të trimave të kryengritjes, në fillim çliroi Tregun e ri (Novi Pazarin), pastaj, brenda pak ditëve, Mitrovicën e Vushtrrinë dhe, duke marshuar me shpejtësinë e stuhisë, ndezi luftën në kodrat e Llapit e të Gollakut. Në fund të korrikut, thuaja fare pa luftë, edhe Prishtina ra në duart e kryengritësve dhe, kështu, u hap rruga për marshimin triumfal drjet Shkupit. Në këtë luftë, për herë të parë, forcat ushtarake dhe politike shqiptare vepruan të bashkuara dhe në harmoni me njëra tjetrën, prandaj triumfuan me sukses. Më 14 gusht edhe kryeqendra e Vilajetit të Kosovës ra në duart e kryengritësve të udhëhequr nga Isa Boletini. Ngjarjet e asaj vere patën jehonë si brena ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Edhe pse nuk e sollën autonominë ato u interpretuan si një fitore e plotë e shqiptarëve drejt pavarësisë së Shqipërisë.
Më 30 tetor 1912, Isa Boletini mori rrugën për në Vlorë, kësaj radhe për të mos e parë më Kosovën e tij aq të dashur. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 Nëntor, Isa Boletin e gjen në krye të 400 trimave të Kosovës duke bërë rojën e nderit pranë Flamurit Kombëtar. Çast gëzimi dhe mallëngjimi qe për të ngritja e Flamurit! Pas nderimit që ia bëri Flamurit, me sy të përlotur iu drejtua Ismail Qemailit duke i shqiptuar këto fjalë: “Të lumtë dora”. Kur Ismail Qemaili i propozoi postin e ministrit të luftës, Isai nuk pranoi duke thënë: “për këtë post duhen njerëz me shkollë”.
Siç dihet, Konferenca e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, e mbajtur në Londër më 1913, duke e ndarë dhe duke e lënë gjysmën e Shqipërisë në robëri, ndaj popullit shqiptar bëri një padrejtësi të shëmtuar. Prandaj, kah fundi i muajit mars 1913, Isa Boletini, me një delegacion, shkon në Londër për t’i qarë hallet e Atdheut. Kur lordi Grej, mes tjerash, i thotë: “Mitrovica qenka larg për t’ia bashkuar Shqipërisë” Isai ia kthen: “Zotëri, nuk kam ardhë të ankohem për Mitrovicën time, por për gjysmën e Atdheut, që padrejtësisht e keni lënë në një robëri hala më të rëndë”.
Pranvera e vitit 1913 Isa Boletinin e zuri në viset moçalike të Shqipërisë Jugore. Në këto kushte u sëmurë dhe u shtri në shtrat nga malarja ai, të cilin nuk kishin mundur ta shtrojnë as ushtritë e egra të Sulltan Hamitit…
Në qershor të vitit 1915, konsulli francez, Bikok, me një telegram e fton Isanë në Cetinë, duke i premtuar se do ta përcjellë në cilin do vend neutral që të dëshirojë. Në çastin kur Isa Boletini po kthehej në Kosovë, ai e tradhtoi dhe ia dorëzoi qeverisë së Malit të Zi. Komploti i organizuar nga gjenerali Veshoviq u zbatua nga Sava Llazareviqi, i njohur për krime të kësaj natyre me nofkën Savë Batarja. Prita iu zu te Ura e Ribnicës nga dy batalione xhandarësh. Pas një lufte të rreptë dhe të pabarabartë, duke lënë tridhjetë armiq të vrarë, Isë Boletini bie në fushën e nderit, më 23 janar 1916. Me Isanë u vranë edhe dy bijtë, dy nipat, i kunati dhe dy shokë të tjerë të tij. Kështu mori fund jeta e Isa Boletinit, i cili në zemrën e Atdheut ishte btuar për jetë të jetëve: “Edhe njëqind vjet jetë në paqa, të tana ia kam falë atdheut. Edhe njëqind herë n’u rrëxofsha prap kam me u çue e kam me dalë ku është balli më i vështirë i luftës. Me dekë për atdhe më duket si me le për së dyti… Unë njëqind herë jetën e jap, po kurrë armën, nderin, Flamurin dhe Atdheun tim!…”

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …