Kryetari Haliti priti në takim profesorin e shkrimtarin me renome botërore Skënder Sherifin

Skender Sherifi, një përkthyes, gazetar, shkrimtar, profesor dhe një intelektual i njohur jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në  hapësirat shqiptare, por anekënd botës, ka qëndruar sot në Viti, ku është pritur nga kryetari komunës Sokol Haliti së bashku me kabinetin qeveritar dhe kryesuesin e Kuvendit komunal. Në takimin mikpritës, kryetari Haliti u shpreh se është shumë i nderuar që të jetë  nikoqir për të mirëpritur një personalitet të njohur gazetarin e profesorin e respektuar Skënder Sherifin. “Kjo vizita e sotme është e rëndësisë së veçantë, për shumë arsye. Skënder Sherifi është këtu për ta vizituar Vitinë sepse ka lindur këtu. Konkretisht në fshatin Beguncë në vitin 1954 dhe familja e tij kanë jetuar për afër dy vite në komunën tonë, për shkak se kanë qenë të përndjekur nga regjimi i atëhershëm komunist në Shqipëri,  meqenëse babai i tij Shpend Sherifi ishte oficer i Mbretit Zog dhe ishte me origjinë nga Tropoja, ndërkohë që ka qenë i burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës para se të lindej Skënderi, diku në vitin 1946-1951”, tha Haliti. Më pas ai i bëri një përshkrim biografik të Skënder Sherifit, në veprimtarinë e tij jetësore dhe krijimtarisë letrare, në botimin e shumë veprave të përkthyera edhe në shumë gjuhë botërore. Ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse, shkrimtari e publicisti Skënder Sherifi, u shpreh falënderues për mikpritjen dhe organizimin e Institucioneve komunale, duke pohuar se  është i lidhur me Vitinë, për faktin se është vendlindja e tij. “Ne kemi jetuar në Beguncë, por nuk më kujtohet asgjë sepse kam qenë i vogël diku mbi 1 vjeçar kur familja ime ka emigruar në Belgjikë.  Por mbaj mend fjalët e nënës sime që më ka rrëfyer për Beguncën dhe Vitinë. Jam i lidhur shumë me Kosovën, me Shqipërinë, sepse ka qenë amanet i babit tim që ta ruaj shqiptarizmin. Gjithmonë e ku do që jam paraqitur, jam prezantuar si shqiptar, duke ruajtur bazamentin e kulturës sonë të pasur kombëtare shqiptare”, ka theksuar Sherifi, duke porositur gjithë krijuesit, artistët, sportistët, këngëtarët e personalitete të fushave të ndryshme që jetojnë nëpër botë, që ta ruajnë identitetin, kulturën e traditën shqiptare, të jenë origjinaliteti i origjinës së tyre prej nga vijnë. Ai gjithashtu përmendi faktin tjetër, siq e quajti, amanetin e dytë që i la ish presidenti historik Ibrahim Rugova, që veprat e tij të jenë thesar i letërsisë shqiptare në Shqipëri e Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Ai i dhuroi një numër të konsiderueshëm ekzemplarësh të veprave tij, Bibliotekës së Qytetit të Vitisë. Për krijimtarinë letrare e publicistike të Skënder Sherifit, foli edhe prof.dr. Isak Shema, i cili tha se krijimtaria e Skënderit, filloi në vitin 1970 dhe është zhvilluar në 3 etapa, si dhe karakteristikë e tij është poezia moderne. Me këtë rast, kryetari Haliti e nderoi me një mirënjohje Sherifin  për  angazhimin e tij krijues që  dha një kontribut të veçantë me përkthimet e tija nga gjuha frënge ne shqipe dhe anasjelltas, në njohjen dhe afirmimin e krijimtarisë së shqiptarëve të Kosovës në qarqet frankofone. Gjithashtu, Haliti premtoi se vitin e ardhshëm, në kuadër të 70 vjetorit të lindjes së Skënder Sherifit, të mbahet një promovim i veprave dhe krijimtarisë jetësore, organizim ky që do të bëhet së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve “Ramadan Musliu” në Viti.

May be an image of 14 people, office and text

Kontrolloni gjithashtu

Finalizohet draft-ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka njoftuar përmes faqes së tij në …