Më 19 maj të vitit 1999, eprorë dhe luftëtarë të lirisë të Brigadave 121 dhe 114, në krye me komandantin Besim Mala, kishin ndërmarrë një aksion spektakolar në rrëmbimin e armëve dhe minave antitank në kazermën e ushtrisë serbe afër Magures, Aksioni ka filluar në orët e mbrëmjes, pasi ishte errësuar. Duke qenë se roja serbe e bunkerit me të filluar terri largohej nga depoja për shkak të sulmeve të mundshme të aeroplanëve të NATO-s, depoja mbyllej por nuk ruhej. Ndërkohë, luftëtarët e lirisë afrohen te depoja bunker dhe fillojnë të ngarkojnë mbi supe mina antitank dhe sasi të konsiderueshme të municionit. Ishin tërhequr disa tonë municion. Pasi ishte larguar edhe ushtari i fundit komandanti, Besim Mala kishte dhënë urdhër të minohej e më pas të hidhej në erë bunkeri depo, ku kishin mbetur shumë raketa të tipit tokë-tokë, predha të kalibrave të ndryshëm dhe municion. Pas disa minutash, xhenierët kishin aktivizuar minat dhe bunkeri ishte hedhur në erë, ndërkohë kishte filluar edhe shpërthimi i qindra predhave. Herë pas herë nga shpërthimi i fuqishëm tërë vendi ndriçohej dhe shumëkush kishte menduar se ishte sulm nga ajri i aeroplanëve të NATO-s. Shpërthimi i municionit kishte zgjatur rreth 30 minuta. Luftëtarët dhe pjesëtarët nga radha e popullatës civile ishin kthyer të ngarkuar me municion në relacionin Shalë – Krojmir. Municioni ishte grumbulluar në “Grykën e Shpëtimit”, në Krojmir ku ndodheshin të strehuar rreth 30 mijë pjesëtarë të popullatës civile nga fshatrat e Drenicës dhe nga vende të tjera të përfshira në luftë. Minat pastaj ishin shpërndarë në zona të ndryshme të luftës. (Kalendari Kombëtar RKL-TV-Dielli)
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …