Në Kosovë që nga fillim vitet 90-ta e deri në përfundim të luftës më 12 qershor 1999, nga okupatori serb kanë ndodhur krime të formave të ndryshme gjenocidale. Kanë ndodhur shuarja e autonomisë së Kosovës; largimi i punëtorëve nga vendet e punës; ndalimi i mediave në gjuhën shqipe; ndalimi i shkollimit për nxënës dhe student në gjuhën shqipe; shkatërrimi i institucioneve kulturore, arsimore, shkencore. Pastaj vrasje, plagosje, dhunime, tentim dhunimi, ndalim arbitrare, arrestim arbitrar, bisedë informative, torturë fizike, torturë psiqike, dënim për vepër penale, denim për kundërvajtje, denim nga gjyqi ushtarak, përjashtim nga puna, largim nga banesa, marrje pasaporte, i zhdukur, bastisje, kërcnime, marrje peng, tentim vrasje, për armë, fyerje, lëndime trupore, keqtrajtimi i gazetarëve, ish të burgosurit politik, kindapim, plaçkitje e pasurisë shoqërore, plaçkitje e pasurisë private, konfiskim i pasurisë së patundshme, uzurpime, ndalim veprimtarie politike, ndalim veprimtarie humanitare, ndalim veprimtarie ekonomike, ndalim veprimtarie religjioze, ndalim veprimtarie arsimore, ndalim veprimtarie shkencore, pengim i veprimtarisë sportive, pengim i veprimtarisë informative, ndërhyrje në institucione shkencore, ndërhyrje në institucione humanitare, ndërhyrje në institucione arsimore, ndërhyrje në institucione politike, ndërhyrje në institucione ekonomike, ndërhyrje në institucione religjioze, ndërhyrje në institucione kulturore, ndërhyrje në institucione speciale, dërgim me dhunë në armatë, ligje diskriminuese, diskriminim gjuhësor, pastrim etnik, ndalim kthimi për punëtorët nga bota e jashtme, përdhosje e simboleve kombëtare, pengim i festave kombëtare, pengim i festave private të shqiptarëve, etj.
Pastaj dëme nga më të ndryshmet në pasurinë e shqiptarëve si:
Dëmet në teknikë të bardhë, paisjet audiovizive dhe mjekësore; Dëmet në orendi shtëpiake dhe pajisje të kuzhinës; Dëmet në mjete të punës e paisje ndërtimore; Dëmet në makina bujqësore dhe mjete transportuese; Dëmet në ekonomitë familjare; Dëmet në produktet ushqimore të njerëzve dhe të kafshëve; Dëmet në blegtori, shpezëtari, pemtari e pylltari; Dëmet në industri, hidroekonomi dhe lokale afariste etj.
Në Kosovë kanë ndodhur vrasje të shumta të civilëve: pleqëve, plakave, grave, të rriturve, fëmijëve të moshave të ndryshme. Kanë ndodhur edhe një numër i madh i dhunimeve të femrave, si dhe deportimi i popullatës nga vatrat e tyre.
Kanë ndodhur një numër i madh i masakrave në fshatra të ndryshme, ku ka pasur vrasje masive.
Të gjitha këto krime serbe duhej evidentuar në hollësi, jo vetëm për historinë por edhe për gjykata.
Pas përfundimit të luftës, shumë institucione në Kosovë, nuk e kryen si duhet rolin e vet në shoqëri. Kështu në Ministri të Kulturës, rrallë pati Ministër të Kulturës dhe asnjëri nuk ishte i mishëruar për të nxitur dhe përkrahur botimin e librave të veçantë të cilët do ta dokumentonin në hollësi gjenocidin serb në Kosovë. Për tu realizuar të gjitha këto veprime, duhej një koordinim mes disa institucioneve si: Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë; Ministrisë së Drejtësisë etj., të cilat së bashku më institucione të tjera si: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Historisë etj. do të duhej që të finalizonin çështjen e botimit të librave të veçantë, me dëshmi konkrete për të gjitha masakrat që kanë ndodhur në Kosovë, e të cilat do të duhej që të paraqiteshin para botës edhe të përkthyera në disa gjuhë botërore. Të gjitha këto libra do të duhej të shkruheshin në gjuhë juridike, pa fyerje dhe urrejtje me terma të ndryshëm si: “Okupatori sllavo-ortodoks serb”, “paramilitarët serb” etj.
Nga ana e institucioneve gjithashtu do të duhej ndikuar në përgaditjen e lëndëve të veçanta për kallxime penale, duke ofruar dëshmitë dhe dëshmitarët e gjallë. Sa e sa dëshmi janë mbledhur pas lufte nga grupacione të ndryshme dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar shumica e tyre. Sa inqizimet janë bërë dhe nuk janë ruajtur duke mos bërë kopje të veçanta, e fati i të cilave nuk dihet. Sa humbja e gjurmëve dhe dëshmive të krimeve serbe është bërë në Kosovë, qoftë nga përfaqësues të UNMIK-ut qoftë edhe nga shërbëtor shqiptarë si vegla të tyre.
Që nga përfundimi i luftës e deri tani kanë kaluar mbi 20 vite dhe asgjë e organizuar nuk është bërë në të gjitha këto drejtime. Nëse është bërë diçka e mirë, kjo ka mundur të ndodh vetëm falë angazhimit të individëve të caktuar (si Bardhyl Mahmuti, Nusret Pllana e ndonjë tjeter) dhe jo falë organizimeve institucionale. Mund të thuhet vetëm që Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka bërë punën e vet me përgjegjësi sipas mundësive dhe përkrahjes që ka pasur. Formalisht edhe në kuadër të ndonjë ministrie është bërë ndonjë mekanizëm i quajtur për mbledhjen e të dhenave për krimet e luftës, por puna nuk i është parë gjëkundi. Ndërkaq dihet se disa dëshmi të krimeve të luftës që janë mbledhur, ashtu si janë mbledhur, janë ruajtur me papërgjegjësi totale duke ia dhënë dikujt për ti ruajtur në zyren e tij. Dihet fati i kësaj zyreje, ku pat ndodhur thyerja e atij lokali dhe vjedhja e dokumenteve me dëshmi të mbledhura. Ky është tregues i seriozitetit të organizmit tonë institucional. Është edhe tregues i papërgjegjësisë ku humbja e këtyre dëshmive nuk mund të quhet e rastit, sepse dihet kujt nuk i kanë konvenuar këto gjëra.
Dhe tash kemi ardhur në kohën kur Serbia vazhdimisht është munduar jo vetëm të mbledh dëshmitë në favor të saj; jo vetëm të zhdukë dëshmi që nuk janë në favor të saj, por edhe të krijoj dëshmi të paqena duke fabrikuar gënjeshtra, të cilat i ka përkthyer në gjuhë të huaja dhe i ka lansuar si të vërteta në opinionin ndërkombëtar. Pra Serbia, si nxitëse e katër luftërave në ish Jugosllavi, arriti të bëj shumëçka për të ndryshuar gjendjen e disafavorshme të saj, para opinionit ndërkombëtar. Thuhet se 27 mijë faqe materiale i ka mbledhur kundër Kosovës. Në fakt s’ka pasur se si ti mbledh, por i ka krijuar nga gënjeshtrat, i ka përkthyer dhe lansuar si të vërteta. Si rrjedhojë me këto mosveprime tona dhe me këto veprime të Serbisë, u krijua edhe Gjykata Speciale për Kosovën. Kosova nga viktima që e dinte tërë bota, u shëndrrua përmes propagandës në një “çerdhe krimi”, dhe Serbia nga xhelati të cilin e di tërë bota, u shëndrrua në viktimë. Tashmë kur nga politika u nis një proces juridik kundër Kosovës, duke e parë se kjo gjë tashmë nuk mund të pastrohet para historisë me rrugë politike, por me zhvillimin e procedurave juridike, tani institucioneve tona u ka ra ndërmend që u dashka mbledhur dëshmitë, e madje krijuar tribunal për krimet Serbe në Kosovë. Padyshim se kjo nismë është për tu përshëndetur, edhe pse është shumë e vonshme, por duhet potencuar se suksesi i kësaj nisme të tashme krahasuar me suksesin e kësaj pune që do të kishte sikur të ish zhvilluar menjëherë pas lufte ka shumë dallim. Arsyet janë të shumta, e ndër kryesoret janë se shumë dëshmitar: sidomos pleq, e të sëmurë, madje edhe nga ata që kanë pësuar nga dhuna serbe, më nuk janë në mesin e të gjallëve. P.sh shumë dëshmitar të gjallë të Masakrës së Krushës së Madhe kanë vdekur, kanë mbetur vetëm edhe dy të tillë.
Kjo punë që duam të bëjmë, padyshim se është me rëndësi, por urojmë që të mos përfundojë me dështim. Kur një krijues i dobët shkruan për një temë të madhe, jo vetëm që e bën librin e dobët por e dëmton vetë temën.
Urojmë që kjo të mos ndodhë. Urojmë që njerëzit pa dallime të ndasive partiake, krahinore, fetare që të japin kontributin maksimal për të ofruar dëshmitë që kanë.
Të gjallët janë ata që u dalin zot të vdekurve, e Kosova duhet të dëshmoj se ka akoma njerëz të gjallë që nuk i kanë harruar këto gjëra.