Rama ka akuzuar ashpër gjyqtarin, Arian Aliaj, që pezulloi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar ashpër gjyqtarin që pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, duke e cilësuar gjyqtar i zhytur në kënetën e sistemit të Drejtësisë, madje edhe vrasës me pagesë. Ndërsa Këshillin e Lartë të Drejtësisë Rama e quan Këshilli i Lartë i Kënetës. Kush është gjykatësi që vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Një personazh aq thellë i zhytur në kënetën e sistemit të drejtësisë sa vetë Këshilli i Lartë i Kënetës e ka shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës! Ky vrasës me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë… Po si mundi të kthehet në detyrë ky lloj personazhi që me vendimet e tij kriminale arriti të verë në pozitë të vështirë edhe vetë sistemin e korruptuar të drejtësisë?! Kujt i duhej rikthimi nga i ndëshkuar në gjykatës i këtij shkelësi profesionist të ligjit, që ka dhënë të paktën 7 prova se çekiçin e drejtësisë e përdor për t’i shtypur kokën drejtësisë? Thjeshtësisht e hidhur është përgjigja: Ky derdimen pa din e iman e rimori çekiçin në dorë sepse u duhej atyre që sot nuk e duan Reformën në Drejtësi, për të shtypur drejtësinë për hesap të interesave të tyre! (TCH)

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një deklaratë për shtyp ka akuzuar Gjykatën e Tiranës se është vënë në shërbim të politikës për të penguar reformën në drejtësi. Tahiri ka deklaruar se, duke i shërbyer segmenteve të politikës dhe duke shkelur hapur, sipas tij, ligjin dhe rregulloren, gjykata ka vendosur pezullimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Haki Çako.  Ministri ka treguar ato që i ka quajtur “faktet skandaloze” se si funksionon drejtësia në këtë vend, sesi preferencat politike kthehen në vendime dhe si tërhiqen gjyqtarët “me pinca” për të ndalur rrugën drejt miratimit të reformës në drejtësi.  “Gjyqtari Arian Aliaj, që pezulloi nga detyra drejtorin Haki Çako, nuk ishte gjyqtar i gatshëm, pra nuk duhet të merrte në shqyrtim çështjen. I gatshëm duhet të ishte Adriatik Botaj, i cili duhet të jepte vendimin. Shorti, për çudi, është mënjanuar dhe gjyqtari që ka marrë përsipër çështjen ishte Aliaj. Pyes KLD-në, Unionin e Gjyqtarëve, etj, për cilën arsye, jashtë ligjit, u përzgjodh Aliaj për të dhënë vendimin kundër Çakos? Pse nuk u respektua ligji, pse nuk u mbajt shorti?”, ka thënë Tahiri.  Sipas tij, kjo është “gjendja skandaloze” se si funksionon gjykata: “gjyqtari vihet në shërbim të politikës sepse e ka ndihmuar të kthehet në detyrë pasi kishte liruar vrasësit”.

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar

Albin Kurti,  në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …