Ahmet Halim Shabani (10.1.1982 – 26.5.1999)

Ahmet Halim Shabani (10.1.1982 – 26.5.1999)

Në familjen e njohur të Demë Ahmetit në fshatin, Demë Ahmet (ish-Reçicë) të komunës së Besianës, më 10 janar 1982 u lind dëshmori i kombit, Ahmet Shabani.
Për shkak të kushteve të vështira për jetesë në fshatin e lindjes së dëshmorit familja e tij ishte shpërngulur në fshatin Bajqinë. Në shkollën e këtij fshati Ahmeti kreu arsimin fillor, ndërsa shkollimin e mesëm në SHE “Isa Boletini” në Besianë.
Meqë Ahmeti ishte nga një familje patriotike që gjithherë për ideal e kishte lirinë e vendit edhe ky qysh herët ishte i brumosur me këtë ideal.
Kjo familje jo vetëm në Llap por edhe më gjerë është e njohur që brez pas brezi ka treguar trimëri dhe heroizëm në luftërat kundër okupatorit serb dhe në të gjitha organizimet që janë bërë kundër serbëve për çlirimin e tokave shqiptare.
Vlen të ceket se kjo familje kishte miqësi edhe me familjen e trimit të njohur nga Shala e Bajgorës, Ahmet Selacit.
Babai i Ahmetit, Halim Shabani dhe gjyshi i tij Niman Shabani ishin patriot të shquar.
Halimi mençurinë, trimërinë dhe bujarinë i kishte trashëguar nga i ati Nimani dhe daja i tij Ahmet Selaci.
Serbët e asaj ane ia kishin frikën dhe sa herë takoheshin me të i përkuleshin. Edhe Halimi si i ri ia mësynë kurbetit. Shkoi në Shkup për të punuar . Atje ra në sy si djalë i zoti, prandaj policia e përcillte për ta gjet ndonjë shkas për ta burgosur.
Në vitin 1968 e burgosën në Shkup, e mbajtën në burg afër 6 muaj. Pas lirimit nga burgu kthehet në shtëpi dhe nuk pajtohet me regjimin e pushtetit.
Në vitin 1981 ishte aktiv në demonstrata dhe burgoset me 3 muaj burg të cilin e vuan në burgun e Smrekonicës së Vushtrrisë.
Në demonstratat e vitit 1989 ishte në ballë të kolonës ku tregoi trimëri dhe guxim. Për këtë u dënua me dy muaj burg ku i vuajti në Dubravë të Istogut.
Halimi kishte shumë shokë dhe miq dhe merrte pjesë në aktivitete të ndryshme.
Kështu me kohë bashkë me djalin Ahmetin u inkuadruan në radhët e UÇK – së në ZOLL. Halimi kur ishte në mesin e luftëtarëve u tregonte për dajën Ahmetin, luftërat që kishte bërë, trimëritë e tij me Ukshin Kovaçicën, etj, prandaj me prezencen e tij ushtarët e ndjenin veten më të fuqishëm. Në prill të vitit 1999 mori pjesë në luftën e Repës dhe Pollatës, ku tregoi trimëri të rrallë bashkë me eprorët Muhamet Latifin, Aziz Hysenin, Naser Hysenin etj.
Interesimi i dëshmorit Ahmet Shabani dhe angazhimi në aktivitete kundër okupatorit kishte filluar qysh herët me pjesëmarrjen e tij në protesta dhe demonstrate që atë kohë organizoheshin në Besianë, ku çdo herë ishte aty me shokët e tij. Me të dal në skenë UÇK-së interesimi i Ahmetit ishte i madh që sa më parë të gjendet në mesin e luftëtarëve të lirisë. Dhe si shumë të rinjve tjerë liridashës edhe ati iu plotësua kjo dëshirë dhe më 01. 11. 1998 u sistemua në njësinë “U-52” që bënte pjesë në kompaninë e Pollatës në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala” të ZOLL. Ahmeti gjatë kohës sa ishte pjesëtarë i UÇK-së deri në rënien e tij heroike mori pjesë në disa luftime kundër forcave armike si në fshatin Bajçinë, Dobratin, Repë, Pollatë, Tashefc etj.
Në prill të vitit 1999 u caktua rojë në kufirin Kosovë – Serbi, në fshatrat Kokorovicë dhe Tërnavicë.
Më 25 maj 1999, forcat serbe iu afruan kufirit, por Ahmeti me Hasan Jasharin gjatë vëzhgimit kthehen prapa për t’i lajmëruar popullatën për t’u larguar nga rreziku. Forcat serbe kishin planifikuar ofensivë të gjerë me qëllim që ta shtien në dorë popullatën që ishte përqendruar kryesisht në Zhiti dhe të depërtojnë deri tek pozicionet e UÇK –së.
Dëshmori bashkë me shokë zhvilluan luftë të drejtpërdrejtë në përpjekje për të mbajtur nën kontroll pikën strategjike “Maja e zezë” e cila majë ndodhet në kuotën në mes të fshatrave: Zhiti, Murgull e Brecë. Mbrojtja e kësaj pike strategjike falë heroizmit dhe qëndresës së tyre ka mundësuar tërheqjen e popullatës civile.
Ndonëse të rrethuar nga forcat e okupatorit ata zhvillojnë luftë deri në fishekun e fundit. Ahmeti së bashku me Hasan Jasharin e Abit Sinanin bien heroikisht më 26. 05. 1999 në fshatin Zhiti te vendi i quajtur “Përroi i qershisë”.
Pas dy dite janë varrosur në fshatin Zhiti dhe në shtator Ahmeti është rivarrosur në fshatin Bajçinë.
Familja Demë Ahmeti edhe në luftën e fundit i dha pesë dëshmorë .
Ahmeti pati bashkëluftëtar pothuajse të gjithë pjesëtarët e Kompanisë së Pollatës që morën pjesë në betejat e kësaj ane të ndarë në njësi nëpër fshatrat e brezit kufitar. Ndër ata që më së shumti ishte bashkë ishin edhe Isuf Latifi, Muhamet Latifi, Sabit Jashari, Hamit Fazliu, Muhamet Halimi, Ahmet Shabani, Abit Sinan (dëshmor), Hasan Jashari (dëshmor) etj.
Pas përfundimit të luftës familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHP i UÇK-së, SHP i UÇK-së të ZOLL-it, SHFD të Besianës etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …