Këshilli i Apelit i Mekanizmit Ndërkombëtar të Gjykatës Penale solli vendimin përfundimtar, me të cilin ish-shefi i Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të MPB-së së Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, ish- komandanti i Njësisë së Operacioneve Speciale të SDB-së, janë dënuar me nga 15 vjet burg, raporton Anadolu. Sipas vendimit, pas procesit të rigjykimit, janë anuluar dënimet e shkallës së parë prej 12 vjetësh, ndërsa Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan me nga 15 vjet burgim. Sipas aktakuzës së Tribunalit të Hagës nga viti 2008, Stanishiq dhe Simatoviq u akuzuan për pjesëmarrje në aktivitete të përbashkëta kriminale, të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, qëllimi i të cilit ishte dëbimi i boshnjakëve dhe kroatëve nga pjesë të territoreve të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacia me qëllim të krijimit të një shteti etnikisht të pastër serb. Në vendimin e tij përfundimtar, Kolegji i Apelit pranoi ankesën e Prokurorisë dhe erdhi në përfundimin se Stanishiq dhe Simatoviq ishin përgjegjës për pjesëmarrjen në aktivitete të përbashkëta kriminale qëllimi i së cilës ishte dëbimi i dhunshëm i popullsisë jo serbe gjatë gjithë kohës së luftës në Bosnje. Këshilli i Apelit i shpalli Stanishiqin dhe Simatoviqin fajtorë se kanë kryer dëbime, largim të detyruar, persekutim dhe vrasje.