leoni

Adil Fetahu

ADIL FETAHU: IDEJA DHE PROGRAMET E SERBISË SË MADHE

Tollovitë e bandave serbe në Veri të Kosovës janë në funksion të realizimit të ideve dhe programeve për Serbinë e Madhe

Ka afër dy shekuj që në kokat e krisura të akademikëve, popave, shkrimtarëve, të elitave politike, shtetërore, kishtare, letrare e kulturore të nacionalistëve serbë vërtitet ideja për krijimin e Serbisë së Madhe të pastër etnikisht, në të cilën do të jetonin të gjithë serbët, ndërsa popujt e tjerë të asaj hapësire do të shpërnguleshin e zhdukeshi, me dhunë shtetërore, me asimilim apo në forma tjera. Këto ide hegjemoniste, fashiste e naciste serbomëdha pretendonin pushtimin e Kosovës, Shqipërisë,  Bosnjes, Kroacisë, pjesë të Hungarisë, Rumanisë e Bullgarisë. Për Malin e Zi mendonin se do t’ia bashkonin Serbisë pa problem, për shkak të popullsisë serbe agresive të atij shteti, sikur e bënë në vitin 1918.

Kjo doktrine ideologjike, filozofike dhe teologjike, e bazuar në vetëdijen mitologjike “Amaneti i Kosovës”, “Svetosavle”,  e në mite tjera mesjetare, në dimensionin e vet teorik dhe praktik përfshinë edhe gjenocidin, si metodë për realizimin e shtetit të pastër etnik serb, në të cilin do të jetonin të lirë vetëm  serbët, e në të cilin nuk do kishte popuj joserbë!. Për realizimin e kësaj ideje, janë hartuar, miratuar e zbatuar projekte, plane e akte të ndryshme shtetërore, kishtare, kulturore e partiake, për luftëra, pushtime, gjenocid e pastrim etnik të territoreve, dhe është zbatuar në kontinuitet prej Krizës së Lindjes (1875-78), në luftërat ballkanike (1912/13), në Luftën e Parë Botërore (1914-1918), në Luftën e Dytë Botërore (1941-1945), në luftërat e dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1991 – 1999), dhe në forma të ndryshme vazhdon edhe sot. Sepse, elitat e përmendura kurrë nuk kanë hequr dorë nga ajo ide, sado që në periudha të ndryshme është fshehur “nën rogoz”, për shkak të rrethnave të papërshtatshme për veprim.  Për realizimin e këtij qëllimi janë formuar organizata, çeta e banda kriminale, për të kryer krime e frikësuar popullatën joserbe në territoret e pushtuara, në mënyrë që ajo të shpërngulej.

Kjo ide e këto programe, përveçse në mite të rrejshme,  mbështeten  edhe në gënjeshtrën e përhapur, për rrezikimin e popullit serb që jeton jashtë shtetit të Serbisë. Prandaj, lufta  e tyre, “si popull i rrezikuar është e drejtë”, sepse është luftë për mbrojtjen dhe bashkimin  e “popullit hyjnor” në një shtet homogjen, etnikisht të pasër serb.

Janë të njohura shumë projekte, plane, promemorje, deklarata, proklamata, urdhëresa në zbatim të kësaj ideje.  Fillojnë me projektin bazë serbomadh “Naçertanije” të ministrit të punëve të jashtme të Principatës së Serbisë, Ilija Garashanin (1844), program ky që është mbajtur i fshehtë deri në vitin 1906, për shkak se Serbia ishte nën pushtimin e Perandorisë Osmane. Programi i Garashaninit përcaktonte detyrat për çlirimin e serbëve dhe të sllavëve tjerë nga pushtimi Osman, dhe bashkimin në shtetin e Serbisë të territoreve të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë Veriore, Maqedonisë, me “të drejtën historike” për restaurimin e Perandorisë së Dushanit, të shekullit XIV. Parashihej gjithashtu edhe pushtimi i Sremit, Banatës dhe Baçkës, të cilat ishin territore të Austrohungarisë. Kishte pretendime edhe ndaj një pjese Rumanisë e të Bullgarisë.

Në frymën e atij programi hegjemonist, fashist e nazist, në kohën e Krizës së Lindjes (1875-78), Serbia e ndihmuar nga Rusia pushtoi tokat shqiptare të Sanxhakut të Nishit e Jabllanicës, masakroi, kreu gjenocid dhe shpërnguli popullsinë shqiptare, ndërsa Kongresi i Berlinit (1878) e njohu pavarësinë e shtetit të Serbisë me tërë territorin e pushtuar.

Është pak e ditur në opinion ekzistimi i njëfar “Kushtetute” apo “Rregulloreje” e një organizate terroriste serbe, e quajtur “Crna ruka” (“dora e zezë), e formuar në vitin 1903, nga një grup oficerësh serbë, e cila tubonte komitë, çetnikë e fallanga tjera kriminale, për të kryer krime në popujt përreth: në Kosovë, Bosnje, Maqedoni, me moton: “Bashkim ose vdekje”. Pjesëtarët e asaj organizate kanë krye krime monstruoze gjatë luftërave ballkanike,  ndërsa dega e saj e quajtur “Mllada Bosna” kreu  atenatin e trashëgimtarit e fronit mbretëror të Austorhungarisë në Bosnje, Franc Ferdinandit ( 28.06.1914), që ishte detonacion për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.

“ORJUNA” (Organizacija jugoslovenskih nacionalista; shq. Organizata e nacionlistëve jugosllavë), më vonë e quajtur “Obznana”, ishte organizatë ekstremiste, shoviniste e terrosite serbe,  dorë e zgjatur e  pushetit të Serbisë për të kryer krime kundër popujve joserbë në Jugosllavinë e pare (1918-1941).

“Promemorja për shpërnguljen e Shqiptarëve”, të cilën e kishte paraqitur e lexuar Vasa Çubrilloviqi në Klubin Kulturor Serb (1937), është dokument puro gjenocidal i ideologjisë ekstreme naciste serbomadhe,  për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ai kishte propozuar masat  më brutale të cilat duhet t’i ndërmerrte shteti: vrasje, përndjekje prej shtëpive, djegëjen e të lashtave, uzurpimin e pasurive, rritjen e tatimit, frikësimin, presionin përmes gjykatave dhe organeve tjera, dënimet, gjobitjet. Krahas këtyre masave, kishte propozuar që në Kosovë e Dukagjin të vendosen kolonistë çetnikë, të shumtën malazezë, për ta prishur qetësinë dhe homogjenitetin e popullates shqiptare. Parashihte kufizimin e lindjeve te Shqiptarët.  Në arsyetimin dhe konkluzat e Promemorjes së tij, Çubrilloviqi shkruan: “Arnautët është e pamundur të mposhten vetëm me procesin e kolonizimit. Ata janë i vetmi popull i cili ka arritur që  njëmijë vjetët e fundit jo vetëm të qëndrojë në zemrën e shtetit tonë, të Rashkës e Zetës, veçse edhe të shtyjë kuftijtë etnik në dëmin tone,  kah Veriu dhe kah Lindja. Derisa kufijtë tanë etnik kanë lëvizur kah veriu deri në Suboticë, e në veriperëndim deri në Krupë, Arnautët na kanë shtyrë nga Lugina e Shkodrës, kryeqytetit të dikurshëm të Bodinit, dhe nga Dukagjini e nga Kosova. E vetmja mënyrë dhe të vetmet mjete (për t’i shpërngulur ata, v.j.) është dhuna brutale dhe e organizuar e pushtetit shtetëror, forcë kjo që ne gjithnjë e kemi pasur më tepër se ata.”

Vasa Çubrilloviqi edhe më 3 nëntor 1944, i kishte paraqitur pushtetit të ri komunist  elaboratin e tij të quajtur “Manjinski problem u novoj Jugoslaviji” (Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re). Ndër të tjera, në Elaboratin e tij thotë: “Paqen dhe përparimin e Jugosllavisë Demokratike Fedrative mund ta sigurojë vetëm pastrimi etnik (…). Gjermanët, Hungarezët, Arnautët, Italjanët, Rumunët meritojnë humbjen e të drejtave qytetare. Kosovën e Metohinë duhet t’i pastrojmë etnikisht ashtu që të ndryshohet me themel përbërja etnike (…). Ndoshta kurrë më nuk do ta kemi rastin e volitshëm që ta bëjmë shtetin tonë etnikisht të pastër. Nëse referati im i kontribuon sadopak këtij qëllimi, konsideroj se e ka kryer detyrën”, përfundon elaboratin e tij ai racist e nacist, i cili për këso punësh e meritash u avancua në akademik të AShAS!

Lideri çetnik Stevan Moleviq, në programin e tij të quajtur “Homogena Srbija” (Serbia homogjene), 30 qershor 1941, kishte përpunuar në hollësi planin e krijimit të “Serbisë së Madhe”, në territorin e Mbretërisë së Jugosllavisë. Sipas tij, Serbia duhej të përfshinte të gjitha pjesë e asaj Jugosllavie, në të cilat jetonin serbët, të

përzejë të gjithë ata që nuk janë serbë dhe të krijohet shteti etnikisht i pastër serb. Në ambicjet e tij shkonte edhe më larg: Serbia duhet të pushtojë edhe ato vende ku nuk ka serbë, apo në të cilat nuk e ka “të drejtën historike”,  por që i konsideron me interes strategjik. Për realizimin e interesave serbe, gjithçka është e lejueshme dhe këtu nuk vlejnë kurrëfarë rregullash. Ai pretendonte që Serbia e Madhe, etnikisht e pastër, të siguronte daljen në det.

Drazha Mihajlloviq, udhëheqësi i aradhave çetnike, të quajtura “Jugoslovenska vojska u Otadzbini” (Ushtria Jugosllave në Atdhe), dhe popi famëkeq Momçillo Gjujiq, në një dokument të quajtur  “Instrukcije komandanta…” (20.XII.1941), iu kishin shpërndarë aradhave të tyre çetnike instruksione se si të vepronin në terren. Në ato instruksione kishin përcaktuar qëllimet: 1) Lufta për çlirimin e tërë popullit serb, që duhet të vëhet nën pushtetin e Krajl Petri II; 2) të formohet Jugosllavia e Madhe, e brenda saj Serbia e Madhe, etnikisht e pastër, duke përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Sremin, Banatën dhe Baçken; 3) Çlirimin (lexo: pushtimin) e Trieshtës, Goricës, Istrës e Korushkës, Bullgarisë dhe Shiqpërisë Veriore me Shkodrën; 4) Pastrimi etnik i territorit të Serbisë së tillë nga të gjitha pakicat kombëtare; 5) Të pastrohet Sanxhaku nga popullsia Muslimane dhe Bosnje-Hercegovina nga popullsia Muslimane dhe Kroate!

Në realizimin e atyre instruksioneve, aradhat çetnike kanë kryer krimet më monstruoze ndaj popullsisë Boshnjake në BH, por edhe ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

Nacional-shovinizmi e klerofashizmi serb kurrë nuk ka heqë dorë nga ato programe ogurzeza, vetëmse ua ka përshtatur kohës, kushteve e rrethanave, por qëllimet kanë mbetur të njëjta në tërë kontinuitetin e tyre, madje të mbështjellura me autoritetin institucional të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, të Kishës Ortodokse Serbe, të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, të Qeverisë dhe të Kuvendit të Serbisë e Jugosllavisë.

Nuk ka popull në botë që di të gënjejë e të ankohet gjoja se po rrezikohet nga të tjerët, sikur populli serb dhe elitat e tij. Në këtë frymë, Akademia e Shkencave e Serbisë e përhapi Memorandumin e saj, me moton se populli serb është i rrezikuar fizikisht, ekonomikisht, kulturalisht. Memorandumi u publikua, gjoja rastësisht, në gazetën “Vecernje Novosti” (24.09.1986). Mbi të gjitha absurdet e tjera të atij pamfleti të akademikëve senilë, qëndron absurdi që thotë se në “Kosovë e Metohi po zhvillohet gjenocid i hapur mbi Serbët e Malazezët”, ndërkohë që ato minoritete në Kosovë gëzonin privilegje të papara në botën demokratike. Në kapituj të veçantë Memorandumi “ankohet” se kriza në Jugosllavi është shkaktuar nga pozita më e favorshme e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat po e shfrytëzojnë Serbinë në aspektin ekonomik; se Serbia është e ndarë në tri pjesë, mbi të cilën sundojnë krahinat (Kosova e Vojvodina), gjë që këtë republikë e blokojnë, që s’mund të merr vendime vitale; serbët me dhunë kanë hyrë në Jugosllavi, në të cilën po iu bëhet padrejtësi, ndonëse më së tepërmi kanë derdhur gjak për këtë shtet; se vetëm Serbia nuk i ka të definuar kufijt e saj, e broçkulla  tjera si këto. Për t”ia “lidhë lmezët” daljes prej situateës në të cilën gjendet Serbia, akademikët propozojnë “integrimin e kombit serb në tërë hapësirën e RSFJ, gjë që është pretendim i haptë për Serbinë e Madhe. Shumëkush Memorandmin e AShAS (1985) e konsideron si akt fillestar i shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, krimeve e gjenocidit të kryer nga forcat serbe kundër Boshnjakëve, Kroatëve e Shqiptarëve, krime ato që i ka gjykuar mbarë opinion ndërkombëtar dhe Tribunali i Hagës, krime që e detyruan edhe NATO-n të luftojë forcat serbe e t’i përzejë nga Kosova.

Memorandumi 2 i AShAS

 Nacional-shovinistët serbë nuk mblodhën mend, nuk u penduan për krimet që kryen, as nuk hoqën dorë nga ideja e Serbisë së Madhe. Vetëm ia përshtatën aktet dhe aktivitetet kushteve e rrethanave të reja.

Me moton: “atë që kemi humbur në luftë, duhet ta kthejmë në paqe”, ide këtë që e ka formulua Dobrica Qosiq (1993), AShAS e ka hartuar Memorandumin 2, përshtatur kushteve të reja. Ai Memorandum është një akt intern, i pa publikuar zyrtarisht, por që ka rrjedhur në opinion përmes kanaleve të fshehta, nga vet Kabineti i ish-kryeministrit të Sebisë, Cvetkoviq, e të cilin e ka siguruar gazeta boshnjake “Slobodna Bosna”, në mars 2011. Me vazhdimin e ëndrrës për krijimin e Serbisë së Madh, Memorandumi 2 përmban programin, qëllimet strategjike dhe metodat e veprimit në kushte të reja. Kështu, Memorandumi 2 përcakton se duhet:

Të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera dhe shkatërrimet, ashtu që duke ngritur akuza e fletarreste dhe procese gjyqësore të montuara kundër qytetarëve të B-H, Kroacisë dhe Kosovës, të vihet në pozitë të barabart me shtetet përreth;

Të çvendoset vëmendja e mediave rajonale dhe atyre ndërkombëtare nga proceset e zhvilluara në Tribunalin e Hagës,

Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Kosova të detyrohen të heqin dorë nga paditë e tyre para gjykatav nërkombëtare;

Me aksione pendese ta vejmë Serbinë në pozitë të barabart me shtetet e tjera të rajonit;

Të insistohet në mbylljen e Tribunalit të Hagës dhe  që gjykimi i Mlladiqit të bëhet në gjykatat vendore;

Të destabilizohen qeveritë e shtetev fqinje, të provokohen trazira të brendshme dhe paknaqësi dhe të topitet tehu i akuzave kundër Serbisë

Të insistohet në shkëputjen e Republika Srpska;

Të insitohet për fitimin e statusit konstituiv të Serbëve në Kroaci, në Mal të Zi dhe në Kosovë dhe të bëhet transicioni i bashkësive të serbëve në shtetet e rajonit në Bashkësi Panserbe;

Të pengohet ndarja e Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i Serbisë dhe të pengohet veprimi i Bashkësisë Islame në Sanxhak.

Autorë të këtij pamlfeti janë Dobrica Qosiq, Lubomir Tadiq e Matija Beçkoviq. Memorandumi  u është dorëzuar anëtaraëve të Qeverisë së Serbisë, udhëheqësve tjerë shtetërorë, me siglën: “Të mos shpërndahet” (për opinion, v.j.). Për zbatimin e këtij Memorandumi kishin shpresë të madhe në Boris Tadiqin, atëherë kryetar i Serbisë, e që është djali I Luba Tadiqit, njenit nga autorët e Memorandumi.

Kush nuk e vërenë se politika dhe pushteti i Serbisë është kah i zbaton me përpikëri  qëllimet e përcaktuara në atë Memorandum, e për krijimin e Serbisë së Madhe,  është i verbër nga sytë dhe i shurdhër nga veshët!

 

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA; Grenelli është engjëll krahasuar me Donald trumpin

Grenelli është engjëll krahasuar me……: Në Amerikë përfunduan zgjedhjet ashtu si pata shkruar në gazetën “Epoka …