Kryetari Latifi në 25-vjetorin e përjetësimit kujton dëshmorin e kombit, Naser Veli Krasniqi

Në 25-vjetorin e përjetësimit të dëshmorit të kombit, Naser Veli Krasniqi, i cili ra në fushën e nderit dhe lavdisë me 4 qershor 1998, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, së bashku me familjarë të dëshmorëve, veteranë, invalidë të luftës dhe bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe në kujtim të veprës dhe sakrificës sublime për lirinë e atdheut. Në fjalën e tij kryetari Latifi tha: Përshëndetje dhe mirëdita familje e dëshmorit Naser Krasniqi, familje të dëshmorëve që jeni këtu, veteranë dhe invalidë të luftës, miq e bashkëpunëtorë. Të respektuar vëllezër e motra dhe ju pjesëmarrës, Naser Krasniqi është pasardhës i një familjeje patriotike që asnjëherë nuk e hëngri bukën e të huajit. Edhe si fëmijë, Naser Krasniqi ishte djalë i gjallë, i shkathët dhe energjik. Në kohën e vlimeve të shumta, kur ziente veprimtaria atdhetare dhe liridashëse, në vitet 1989-‘90, Naseri me shokë dhe brezi ynë, nuk qëndruan duarkryq, duke u dalluar në mesin e organizatorëve të protestave dhe demonstratave gjithpopullore që kishin shpërthyer gjithandej Kosovës, edhe në Ratkoc e Anadrini, edhe në këtë pjesë të pushtuar të Shqipërisë. Me plis të bardhë në kokë dhe i mbështjellur me flamurin tonë kombëtar, Kuq e Zi, u bë shembulli më i mirë i demostrimit të guximit, përkushtimit, djaloshi entuziast dhe zemërzjarr. Veprimtaria e tij e gjallë nuk u shpëtoi syve të armiqve, u vu në shënjestrën e organeve të sigurimit serb, nga të cilat kërkohej dhe ndiqej. U iku atyre nga duart, sepse Naser Krasniqi ishte betuar që të mos dorëzohej. Në rrethana të tilla, u detyrua të largohet nga vendlindja. Në Gjermani, përkatësisht në Mynhen, shkoi te babai Veliu. As në Gjermani, Naseri nuk rrinte i qetë. U lidh me njerëzit dhe formoi rrethin e shokëve për të vepruar, por ai dhe shokët mendjen e kishin në Kosovë. Në vitin 1996 kthehet në Kosovë, i mbushur plot urrejtje dhe i gatshëm për veprim. Do të riaktivizohet në kuadër të LKÇK-së. Shpërndante “ÇLIRIMI”-n në Prishtinë, u lidh ngushtë me shokë dhe me tërë qenien e tij iu përkushtua punës për ta përgatitur luftën e armatosur çlirimtare. Shokët e LKÇK-së i besuan detyra të rëndësishme dhe falë gatishmërisë, vullnetit, kondicionit, dëshirës dhe kërkesave të tij, Naser Krasniqi bëhet pjesë e Njësitit të LKÇK-së për pritjen dhe përcjelljen e veprimtarëve, luftëtarëve të lirisë, si dhe furnizimin e armatosjen e liridashësve në Anadrini, Dobërdelan, Çiçavicë, Llap, Gollak e gjetiu. Oda e Veli Hoxhës u bë bazë e sigurt për luftëtarët e armatosur që vinin ilegalisht si dhe depo e armatimeve dhe municioneve për luftën çlirimtare. Të nderuar pjesëmarrës! Ashtu si Naseri, edhe bashkëveprimtarët e tij, kishin mbështetje familjet e veta, prandaj shtëpitë tona ishin çerdhe ku gjenin strehim, mikpritje, bujari dhe siguri veprimtarët atdhetarë, që ishin të shumtë nga kjo anë dhe vise të ndryshme të atdheut, çerdhe për të gjithë ata që i bashkonte qëllimi dhe ideali i lartë i çlirimit dhe bashkimit. Në këtë periudhë, Naseri regjistrohet student i Fakultetit të Kulturës Fizike, ku do të krijonte shumë shokë në mesin e studentëve, por edhe dashuri e respekt te mësimdhënësit, bile edhe bashkëveprimtarë midis tyre, si profesorin Sadik Krasniqin. Me daljen publike të Njësitit të UÇK-së, me 26 prill 1998 në Drenoc, ndryshuan rrethanat. U pa tashmë se lufta po vjen, ishte e pa alternativë e ne që vepronim e dinim këtë, ndaj edhe kërkohej të rrisim angazhimin, gatishmërinë e të dëshmonim se puna e nisur që herët, veprimtaria e madhe e organizuar ndër vite, i tërë rrjeti i gjerë i veprimtarëve të organizuar, të gjitha armatimet dhe municionet e siguruara jo vetëm për vete, por edhe për t’i armatosur numër të konsiderueshëm të djemve të gatshëm dhe që kishin nevojë për to, po vinte koha për t’i përdorur kundër pushtuesit, për lirinë tonë. Ato ditë, Naseri me shokë të armatosur qëndroi për një periudhë të shkurtër në Drenoc, e në Betejën e lavdishme të 12 majit 1998, në ditën kur krisi fuqishëm pushka e parë çlirimtare në Anadrini (Ratkoc-Bërtatin, Malësi e Vogël) dhe ZOP, ku triumfuam ndaj forcave pushtuese serbe, Naseri si përherë dëshmoi trimërinë dhe dashurinë ndaj atdheut. Naseri do të tregojë zotësi edhe në Betejën e Gradishit, me 14 maj 1998, e në Njësitin e Gatishmërisë së Përhershme, njësitin që ishte zemra e UÇK-së te ne. Ai ka kryer detyra të vështira dhe kërkonte edhe të tjera, duke nderuar veten dhe të gjithë neve që e kishim shok besnik. Te Naser Krasniqi – Leka, kujtojmë afërsinë, sinqeritetin, shkathtësitë, gjallërinë, po ashtu buzëqeshjen dhe shpirtmadhësinë, ashtu sikur edhe vullnetin e madh dhe gatishmërinë e lartë që ai e demonstronte krejt natyrshëm. Me 4 qershor 1998, mbi fshatin Ratkoc, filluan granatimet nga artileria serbe. Jo rastësisht, cak i predhave të ushtrisë barbare serbe ishte rruga kryesore në Ratkoc. Ky sulm i papritur i forcave serbe nga largësia, krijoi një rrethanë të re, e pazakontë për popullsinë e paarmatosur. Naser Krasniqi – LEKA me shokët e vet, u hodh në ballë të aksionit për të mbrojtur e shpëtuar njerëzit e tmerruar, që nuk dinin si t’ia bënin, por që prisnin reagimin e djemve trima si Naseri me shokë. Se Naseri nuk rri duarkryq në këso situata, e dinim, porse ai do të merr plagët e lirisë për t’u ndarë nga ne, vështirë e kishim ta besonim. Çdo 4 qershor, kujtojmë 4 qershorin 1998, ku në mbrojtje të popullit dhe për kauzën për të cilën ai veproi vite të tëra, duke u edukuar, pjekur dhe burrëruar, Naser Krasniqi – LEKA, u plagos për vdekje nga predha e forcave armike, e rrugës për në Drenoc, afër Bërtatinit, ndahet fizikisht nga ne që e donim e na donte, nga lufta për të cilën ai bëri shumë, duke i falur jetën atdheut dhe lirisë për të cilin derdhi gjakun e tij. U ndamë nga Naseri, luftëtari që të bënte për vete me shikimin e tij, me dashurinë që e shprehte me plotë buzëqeshje. Te trupi i pajetë, shihnim Naserin që na dukej se është i gjallë. LEKA, si atë natë të 4 qershorit, edhe sot e gjithmonë është i gjallë, sepse rron në kujtimet e secilit nga ne, me veprën e bujshme për lirinë e popullit. I ri ashtu siç ishte, do të mbetet i pavdekshëm në kujtesën e brezave dhe një emër i ndritur në historinē e re të atdheut. Nga vepra e Naserit, Sahitit, Visarit, Safetit, Lulit, nga gjaku i dëshmorëve dhe heronjve të luftës çlirimtare, nga jetët dhe veprat e atyre që ranë në periudha të ndryshme, si Jah Hoti e Shkëlzen Krasniqi (1993) në Pashtrik, sot Kosova dhe populli ynë është duke ndërtuar jetën në kushte të lirisë. Na mbetet ne të gjallëve që çdo ditë ta ujisim me punën dhe djersën tonë, Pemën e Lirisë, rrënjët e së cilës dëshmorët i ujitën me gjak.

NDERIM DHE LAVDI PËR JETË E MOT!

May be an image of 1 person and standing

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …