Përfundoi Festivali Folklorik “ I këndojmë Lirisë”

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, në Klinë është mbajtur Festivali Folklorik “ I këndojmë Lirisë”, i cili i kushtohet ditëlindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi- Kapuçi nga fshati Çabiq i Klinës.

Në hapje të Festivalit, Kryetari Bashota, tha se Festivali ynë numëron me ritmin e artit, vitet e luftës, të lirisë dhe të pavarësisë. “Festivali i Klinës tashmë ka kaluar kufijtë lokalë, sepse prurjet artistike kanë siguruar që festivali ynë të radhitet si njëri ndër festivalet më të rëndësishëm të hapësirës kulturore të shqiptarëve”, tha Kryetari i Klinës, Sokol Bashota. Sërish Klina, edhe sivjet, si në çdo qershor që gjashtëmbëdhjetë vjet, ishte vend tubim dhe vend takim i artdashësve të folklorit burimor shqiptar të të gjitha trojeve etnike. Morën pjesë, instrumentistë, valltarë, grupe, rapsodë e këngëtarë, si dhe qytetarë, jo vetëm të lokaliteteve të Komunës së Klinës, por edhe nga e gjithë Kosova, Shqipëria, Tetova, Presheva, Medvexha, Malësia, Ulqini, po edhe nga Kalabria e viset tjera ku ka shqiptarë, po ashtu edhe nga diaspora. Për tri ditë me radhë, më 6, 7 e 8 qershor, iu këndua, lirisë, pavarësisë, trimërisë heroike të luftëtarëve të UÇK-së e Komandantit të shquar të saj, Mujë Krasniqit- Kapuçit. Për të gjashtëmbëdhjetën herë, Klina dhe Çabiqi, veshin petkun festiv të Festivalit. Shënojnë ditëlindjen e Mujë Krasniqit. Tashmë Festivali Folklorik “I këndojmë Lirisë” dhe “SOFRA E ÇABIQIT”, me dëshmorët e saj dhe me këngët për ta, janë bërë kartë identiteti për ne, janë bërë letërnjoftim i ynë në Kosovën e pasluftës. Këtu, që 16 vite këndohet, vallëzohet, njerëzit takohen dhe vijnë nga të gjitha trojet etnike, si në një pelegrinazh të shenjtë dhe i thonë fjalët më të zgjedhura e më të hirshme. Këta tre dëshmorë që i keni të skalitur këtu në lapidar, i keni të skalitur edhe në kujtesën e brezave shqiptarë, e sidomos, të skalitur në këngë. Në këngët e festivaleve. Kryetari i Komunës së Klinës, z Sokol Bashota, në përmbyllje të këtij festivali, tha se në vitin e kaluar kur e kemi mbyllë festivalin kemi thënë se do të vijmë edhe me të fuqishëm herën tjetër dhe besoj se këta artistë që kanë përformuar në këtë skenë e kanë vërtetuar se edhe në këtë vit jemi, edhe më të fuqishëm se viteve tjera, dhe se kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Përkundër faktit se ka të atillë që këtë festival janë munduar që ta zbehin, ta pengojnë, kanë pasur tentativa jo ta bëjnë një ditë, jo ta heqin fare dhe, kanë shkuar edhe më larg, por jeni ju, publik i nderuar, ju qytetarë të nderuar, janë këta artistë, të cilët nuk kanë ardhur me pretendimin për të marrë ndonjë çmim, por thjesht për t’i dhënë folklorit, këngës e valles shqipe dhe qytetarëve tanë një eveniment kaq të rëndësishëm kulturor, prandaj, ne, edhe viteve tjera ju garantojmë se do të vijmë edhe më fuqishëm, ngase kam një besim të madh në Këshillin Organizativ të këtij Festivali. Ministria e Kulturës ka filluar më shumë për t’i dhënë prioritet individëve se sa një evenimenti të tilla”, tha Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili bëri të ditur edhe fituesin e këtij Festivali të shpallur nga juria, Ansamblin folklorik autokton “ Rugova”.

Bashota falënderoi Këshillin Organizativ të Festivalit, jurinë në përbërje Zymer Neziri, Sejmen Gjokoli dhe Burim Krasniqi si dhe gjithë ata që kontribuuan për mbarëvajtje të festivalit.

Festivali nisi në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit, nga Kulla – Muze. Aty nis kënga dhe vallja për të vazhduar në mbrëmje në skenën e hapur në qytetin e Klinës. Për tre net, në skenën u ngjiten festivalistë nga trojet shqiptare të cilët përformuan folklorin tonë burimor. U paraqitën 43 ansamble, shoqëri kulturo-artistike e grupe rapsodësh. Janë zhvilluar edhe aktivitete tjera përcjellëse, si gara sportive, ekspozite dhe orë letrare. Kryetari i Jurisë, Zymer Neziri, vlerësoi lart organizimin e këtij festivali dhe përformimet e paraqitura në tre netët garuese nga grupe të ndryshme.

Çmimet e Festivalit “ I këndojmë lirisë” – Klinë 2016

Çmimi “Mujë Krasniqi”: Ansambli “ Rugova” – Pejë

Vendi dytë: SHKA “Bajram Curri” – Prishtinë

Vendi tretë: Grupi i këngëve dhe valleve – Elbasan

Çmimi i publikut: SHKA “ Shqiponja” – Shkup

Veterani i Festivalit: Rapsodi Ali Krasniqi- Malishevë

Instrumentisti më i mire: Pëllumb Gashi – SHKA “ Shote Galica” – Drenas

Interpretuesi më i mirë: Besim Avdyli- Gjakovë

Valltari më i mirë: Ramë Isufi i SHKA “ Gurra” – Gjilan

Grupi më i mirë i rapsodëve: SHKA “ Drenica” – Skenderaj

Dueti më i mire: Vëllezërit Murati nga Lipjani

Zëri më i mirë i Festivalit: Emin Xhaferi- Gostivar

Veshja më autentike: SHKA “ Bajram Shabani” Kumanovë

Orkestra më e mire: SHKA “ Selman Kadria” – Istog

Ansambli më i kompletuar: SHKA “ Malësori” – Gjonaj – Has

Vallja më e mirë koreografike: Fehmi Shaqiri nga SHKA “ Dëshmorët e Kombit”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …