Nënkryetari Kamberi ka takuar anëtarët e Këshillit Artistik të Ansamblit të Qytetit

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kambderi dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), Tafil Peci, kanë biseduar me anëtarët e Këshillit Artistik të Ansamblit të Qytetit,  për mundësinë e sigurimit të mjeteve për pjesëmarrje në Festivalin Ndërkombëtarë  te Folklorit në Turqi, që do të mbahet nga data 06 deri më 13 korrik të këtij viti dhe zgjidhjen e disa problemeve aktuale.

Kryetari i Këshillit Artistik të Ansamblit të Qytetit, Nexhat Haliti i njoftoj drejtuesit komunal lidhur me ftesën që ansambli ka marrë për të përfaqësuar Kosovën në Festivalin Ndërkombëtarë të Folklorit në Turqi.

Ai ka thënë se pjesëmarrja është në pikëpyetje pasi që DKRS ka bërë të ditur se nuk ka mjete, andaj edhe kërkojnë ndihmën e komunës për të gjetur mundësitë, në mënyrë që mos të humbet ky rast i mirë për afirmimin e vlerave folklorike të ansamblit, qytetit dhe vendit në tërësi.

Për mungesën e mjeteve, ka folur edhe drejtori i DKRS, Tafil Peci. Ai, pasi vlerësoi se pjesëmarrja e ansamblit në këtë festivale, do të ishte me rëndësi të shumëfish, tha se drejtoria e tij nuk ka  fond, për  t’i ndihmuar  ansamblit për pjesëmarrje në festival.

Edhe nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi i njoftoi  bashkëbiseduesit se komuna nuk ka mundësi që të përballoj shumën e mjeteve që duhen për mbulimin e shpenzimeve për pjesëmarrje në festival.

Mirëpo, shtoi se, do të kërkojmë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me shpresë se do të hasin në mirëkuptim, andaj edhe kërkoj nga përfaqësuesit e Këshillit Artistik që të dorëzojnë menjëherë në MKRS kërkesën për mbështetje.

Anëtarët e Këshillit Artistik, në këtë takim folën edhe për problemin e kompensimit material të anëtarëve të ansamblit, kompensim ky që nuk është duke u bërë rregullisht.

“Ndonëse kompensimi është simbolik, ai nuk është i rregullt. Jemi të organizuar mirë, punojmë shumë  dhe për këtë arsye anëtarët e ansamblit, falë përkushtimit dhe vullnetit të tyre, kanë arritur suksese të shkëlqyeshme, duke zënë vendet e para në katër festivale të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Mos kompensimi po  dekurajon e demotivon anëtarët e ansamblit, gjë që mund të reflektohet negativisht dhe të shkaktoj shkapërderdhjen e tyre”, tha Haliti.

Nënkryetari Kamberi tha se për këtë dhe problemet tjera, do të diskutohet në një takim tjetër, kur do të jetë i pranishëm  edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, në mënyrë që të kërkohen zgjidhje reale për tejkalimin e problemeve.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …