Nëntë qershorin e vitit 1999 shumëkush e kujton si ditën kur në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake midis Forcave Ndërkombëtare të Sigurisë së Kosovës (KFOR), dhe përfaqësuesve të të ashtuqajturës RFJ e të Republikës së Serbisë, sipas të cilës të gjitha forcat ushtarake, policore e paramilitare serbo-malazeze u detyruan ta lëshojnë territorin e Kosovës, e të largohen së paku 5 km jashtë kufirit me Kosovën forcat tokësore, dhe 25 km forcat ajrore.
Ishte gabimi i udhëheqjes së UÇK-së, që nuk ishte palë nënshkruese e asaj Marrëveshje, apo ishte hilja e ndërkombëtarëve, sepse kështu i mohohej UÇK-së statusi i palës ndërluftuese dhe fituese e luftës. Ky fakt meriton analizë të thellë, të cilën unë këtu nuk e kam për objekt as qëllim.
Unë këtu po e kujtoj 9 qershorin e vitit 1990, kur ndodhi acarimi i skajshëm institucional midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, dhe shkëputja definitive e raporteve zyrtare midis këtyre dy subjekteve të RSFJ-së. Po si ndodhi ai acarim dhe ajo shkëputje, për ata që nuk e dijnë, lexoni më poshtë.
Pas ndryshimeve (amandamenteve) në Kushtetutën e Serbisë, (23 mars 1989) që u bë në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, të cilën e kishte shpallur Kryesia e RSFJ-së më 27.02.1989), organet e Republikës së Serbisë filluan zbatimin e masave për reduktimin e elementeve të shtetësisë së Kosovës e të subjektit federal, duke i marrë kompetencat e duke vepruar në mënyrë arbitrare mbi organet e Kosovës.
Për të realizuar sa më lehtë qëllimet e tyre të shtrirjes së pushtetit të Serbisë në të gjitha segmentet e jetës publike në Kosovë, ato kërkonin njëfar bashkëpunimi me organet e Kosovës. Në rend të parë kërkonin bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës dhe resoret e saj të caktuar, para së gjithash me sektorin e punëve të brendshme dhe sigurisë. Për këtë qëllim, ishte caktuar një Mbledhje e Përbashkët e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Serbisë, me Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt në Klubin e Deputetëve, në Gërmi (ndërtesa e atij Klubi është shkatërruar nga bombardimet e NATO-s 1999, dhe aty shihen vetëm gërmadhat).
Në mbledhjen e përbashkët, të cilën unë e vlerësoj si historike për raportet Kosovë-Serbi, morën pjesë komplet të dy qeveritë: Qeveria e Kosovës (19 veta; po përse, e me çfarë cilësie mori pjesë e diskutoi Moma Trajkoviq, për këtë nuk ka shpjegim, v.j.), e kryesuar nga kryetari i saj Mr.Jusuf Zejnullahu, ndërsa ajo e Serbisë (26 veta, të gjithë ministrat e resoreve dhe ata pa portfel), e kryesuar nga dr.Stanko Radmilloviq. Dy kryeministrat ishin bashkëkryesues të mbledhjes. Në shqyrtim kishin vetëm një pikë: “Problemet kryesore në Kosovë dhe marrëveshja për punën e mëtejme”, çështje kjo e pafund, në të cilën do shqyrtoheshin të gjitha problemet politike, ekonomike e të sigurisë.
Në “Fjalën hyrëse” kryetari i Qeverisë së Kosovës, jo të shkruar si referat, por në bazë të tezave mbi shkaqet dhe problemet e krijuara në Kosovë, e që stenogrami e ka regjistruar në 16 faqe tekst, kishte përmendur të gjitha problemet që ishin krijuar në Kosovë, si pasojë e ndryshimeve kushtetuese, reduktimit të autonomisë, presionit që Serbia po bënte mbi organet, kuadrat dhe institucionet e Kosovës. Përgjithësisht, kryetari Zejnullahu nuk pajtohej me këto dhe me presionin që në Kosovë të zbatohet politika e Serbisë, që ishte në kundërshtim flagrant me parimet dhe normat e Kushtetutës në fuqi të RSFJ-së.
Kryetari i Qeverisë së Serbisë, Stanko Radmilloviq, menjëherë reagoi ashpër kundër vlerësimeve të Zejnullahut, duke thënë se fajin për gjendjen e krijuar në Kosovë e ka nacionalizmi e separatizmi shqiptar, i cili po kërkon që Kosova të bëhet republikë e të shkëputet nga Serbia, gjë që shteti i Serbisë nuk do ta lejojë në asnjë mënyrë. Ai paralajmëroi se Serbia do të miratojë ligje (speciale), me të cilat do të autorizohen organet republikane të ndëmarrin masa për funksionimin normal të sistemit (ju kujtojmë, se Ligji mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme, u miratua në Kuvendin e Serbisë më 26 qershor 1990, vetëm dy javë pas kësaj mbledhje të përbashkët të dy qeverive, v.j.).
Pas qëndrimeve diametralisht të kundërta e të papajtueshme të kryetarëve të qeverive, diskutimet e anëtarëve ishin edhe më disonante, të ashpra, emotive, fyese, kërcënuese, sidomos të atyre të Qeverisë së Serbisë. Atmosfera u acarua akoma më tepër, kur kryetari Zejnullahu nuk pranoi disa formulime në konkluzat që kishte përpiluar kryetari i Qeverisë së Serbisë, me të cilat kërkonte pëlqimin dhe bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës për veprim të përbashkët dhe të veçantë në zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë. Zejnullahu tërë kohën insistonte në statusin e subjektivitetit federal të Kosovës, zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve pozitive të Kosovës e të Federatës, të drejtat dhe autorizimet e përcaktuara në to.
Pasi Qeveria e Kosovës nuk u pajtua me konkluzat e propozuara nga kryetari i Qeverisë së Serbisë, në përmbyllje të mbledhjes Radmilloviqi kishte deklarua: “Pasi nuk po shoh pëlqimin e të dy qeverive rreth politikës së Serbisë në Kosovë, atëherë gjërat do shkojnë ashtu sikur kanë shkuar deri më tash, por shteti i Serbisë do të detyrohet të ndërmerr masa e të gjejë zgjidhje, i pëlqyen ato dikujt ose jo. Nëse Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme të pajtohet e të bashkëpunojë për zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë, ky është elemnti për ndarje, dhe nuk ka kuptim që unë e Jusufi në këtë ndarje të përshëndetemi (…). Ju lëmë dy ditë që të na lajmëroni se a e pranoni (zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë, v.j.), ose jo, që unë pastaj të them se mbledhja nuk pati sukses dhe se ne në Serbi duhet të veprojmë ashtu që shteti i Serbisë ta pengojë kolapsin e krijuar në Kosovë, ta pengojë rrënimin e sistemit, ta pengojë luftën qytetare”.
Natyrisht që Qeveria e Kosovës nuk u pajtua që as vet as në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë ta zbatojë politikën klerofashiste serbe në Kosovë. Por në Qeverinë e Kosovës u shkaktua përçarje edhe mes anëtarëve Shqiptarë dhe atyre Serbë të asaj Qeverie, sepse anëtarët Serbë përkrahnin qëndrimet dhe konkluzat e Qeverisë së Serbisë.
Pas dy javësh, pikërisht më 26 qershor 1990, Kuvendi i Serbisë miratoi Ligjin mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të posaçme, dhe Vendimin mbi vërtetimin se në KSA të Kosovës janë krijuar rrethana të posaçme. Kjo në praktikë ishte shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme, por me një emër tjetër. Sipas atij Ligji, organet e Serbisë ndërmerrnin masa represive ndaj organeve, institucioneve, ndërmarrjeve, udhëheqësve.
Në kushte të tilla, Kuvendi legal dhe legjitim i Kosovës, më 2 korrik 1990, miratoi dhe shpalli Deklaratën Kushtetuese, për pavarësinë e Kosovës nga Serbia, si republikë në kuadër të Federatës (ose konfederatës) jugosllave. Menjëherë reaguan organet e Serbisë dhe më 5 korrik miratun Ligjin mbi ndërprerjen e punës së Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës, uzurpuan objektet dhe mjetet e atyre organeve, futën masat e dhunshme në Radiotelevizionin e Kosovës dhe në Gazetën RILINDJA e në revistën “Zeri i Rinisë”, dhe në disa ndërmarrje tjera, për të vazhduar pastaj me pako ligjesh e vendimesh speciale e masa të dhunshme në të gjitha organet, institucionet, ndërmarrjet, pastrimin etnik dhe serbizimin e tyre të plotë.
Ndoshta dikush nga lexuesit e këtij shkrimi është i interesuar ta dijë përbërjen e asaj Qeverie të Kosovës e cila në mbledhjen e përbashkët, të dates 9 qershor 1990, që zgjati plot 17 orë, iu kundërvu haptas Qeverisë së Serbisë, me të gjitha rreziqet dhe pasojat që përjetuan më vonë. Qeveria e Kosovës asokohe kishte këtë përbërje: Jusuf Zejnullahu, kryetar, Gjorgje Aksiq e Mazllum Beqa, nënkryetarë, Rexhep Haxhimusa, sekretar, Sllobodan Bojiq, Jusuf Karakushi, Rifat Zylfija, Shefqet Cana, Radman Millosavleviq, Lekë Berisha, Selajdin Skeja, Muhamet Bicaj, Lekë Vuksani, Radovan Vujoviq, Isa Mustafa, Tomsillav Sekulliq, Bajram Maraj, Rashida Muhoviq e Jorgovanka Millojeviq, anëtarë të qeverisë, me portfele të ndryshme. Disa prej tyre pastaj u burgosen e të tjerët u arratisën jashtë Kosovës, pas miratimit të Deklaratës Kushtetuese.
Mospajtimi dhe kundërshtimi i hapur i Qeverisë së Kosovës, kundër qëndrimeve, konkluzave dhe kërkesave të Qeverisë së Serbisë për të bashkëpunuar në zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë, ishte rezistenca e parë institucionale kundër asaj politike dhe shkëputja e pare e raporteve zyrtare midis Kosovës e Serbisë. Në vazhdim Qeveria e Kosovës, edhe në ilegalitet, komunikonte e bashkëpunonte drejtpërdrejt me Qeverinë Federative, në kushtet kur edhe ajo po shthurej dhe Federata po shpërbëhej.