Isuf Ismaili: Një punë e shkëlqyer në shërbim të gjuhës dhe kulturës shqiptare, në Zvicër

Si gjithmonë edhe para dy ditësh, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë të Zvicrës, i mirëpriti me mirënjohje e respekt të madh, mësimdhënësit dhe anëtarët e  vatrës sonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër, të prirë nga profesor dr. Vaxhid Sejdiu.

Tani është, pikërisht, koha në prag të përfundimit të Vitit Shkollor 2022 – 2023, ndaj fare natyrshëm bëhen takime e bëhen organizime për sukseset e shkollës sonë, e cila ka pasur e ka arritje të lakmueshme e të vazhdueshme, të cilat kanë lënë e po lënë shijen e mirë arsimore e kulturore në gjuhën shqipe.

Siç është thënë e shkruar edhe më parë, gjuha shqipe na bashkon e do të na bashkojë dhe i mban të gjalla lidhjet me atdheun, prandaj mësimdhënësit shqiptarë, nga të gjitha trevat shqiptare, kanë organizuar bashkërisht mbajtjen e mësimit në gjuhën shqipe, të vetëdijshëm, veç të tjerave, se kështu forcohet edhe dashuria për atdheun. Padyshim, puna dhe veprimtaria e profesor Vaxhidit, shquhet në të gjitha organizimet si koordinator në tërë fushën administrative, në të gjitha lidhjet në mes autoriteteve arsimore zvicerane, shkollave në Zvicër, institucioneve shqiptare, ambasadave etj. Ai edhe si mësimdhënës, si koordinator, por edhe si mik e dashamirës i të gjithë neve, na ka krijuar rrethana të përshtatshme, të favorshme e të kënaqshme, me qëllimin e vetëm që gjuhën shqipe fëmijët shqiptarë jo vetëm ta mësojnë, por ajo të jetë edhe këngë në zemrat e tyre.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe pikërisht, ambasadori Ilir Gjoni, si një nga dashamirët dhe mbështetësit për të gjithë ne, i mirëpriti me shumë mirënjohje mësimdhënësit: profesor dr. Vaxhid Sejdiun, mësuese Lumnije Klinakun, mësuese Anita Duriçin, mësuse Leonora Zoton dhe arkëtare Iba Bulicën.

Në takim u fol dhe u evidencuan jo vetëm arritjet, por edhe vështirësitë e pengesat në organizimet arsimore. Po kështu u fol për planet e mbarëvajtjen e shkollës sonë dhe u tha se edhe  në vitin që vjen e në vazhdimësinë  pandërprerë, të ketë suksese e rregullsi të tillë.

Ambasadori Ilir Gjoni i përgëzoi mësimdhënësit shqiptarë, prindërit e njerëzit tanë që na kanë ndihmuar e përkrahur. Po, kështu u theksua se Ambasada e RP të Shqipërisë do të jetë përkrahëse dhe  mbështetëse e shkollës sonë dhe do t’i thërras e do t’i motivojë të gjithë shqiptarët që ta mbajnë gjallë shkollën e kulturën shqiptare, duke kultivuar e manifestuar vlerat më të mira edhe si shqiptarë me kulturë e dinjitet.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …