Haxhi Zeka, u lind më 20 dhjetor 1832, ndërsa vdiq më 21 shkurt të vitit 1902. Ka qenë udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve popullore antiosmane në Kosovë. Ishte djali i Mehmet Abedin Biberit nga Shoshani dhe Zelfije Doçit nga Deçani. Lindi fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës prej nga u shpërngul me familjen në Pejë. Ishte një nga organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga luftëtarët më të vendosur për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë së saj territoriale. Në Kuvendin e parë të Lidhjes, më 10 qershor 1878, u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të saj. Mori pjesë, si komandant ushtarak, në krye të forcave të Lidhjes në aksionin e Gjakovës, në shtator 1878 kundër Mehmet Ali Pashës. Krahas udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë të Lidhjes luftoi në fund të 1879-ës dhe në fillim të 1880-ës për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë kundër forcave të Malit të Zi. Në pranverën e vitit 1881 mori pjesë në betejat kundër ushtrisë së Dervish pashës.
Së bashku me Sulejman Vokshin, Kadri Bajrin dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë, Haxhi Zeka gjatë viteve 1884-1885 udhëhoqi kryengritjet antiosmane të shqiptarëve të Kosovës, që synonin të rimëkëmbnin Lidhjen dhe të vinin në jetë idetë e saj autonomiste. Më 1893. Haxhi Zeka me Bajram Currin organizuan kryengritjen që përfshiu Pejën, Gjakovën e vise të tjera të Kosovës kundër dhunës ekonomike e politike të sunduesve osmanë. Për veprimtarinë e tij atdhetare, më 1893 u thirr ne Stamboll ku u mbajt i arrestuar deri në vitin 1896.
Më 1896-1900 u vu në krye të luftës së popullit shqiptar për autonominë e Shqipërisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit. Udhëhoqi qëndresën e armatosur popuIlore që shpërtheu në Kosovë në vitin 1897 dhe themeloi “Besëlidhjen shqiptare”(1897). Në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Stambollit të kryesuar nga Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë brenda dhe jashtë atdheut, Haxhi Zeka organizoi më 23-29 janar 1899 Kuvendin e Pejës që themeloi Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe u zgjodh kryetar i Komitetit të saj. Në prill-maj 1899 mori masat për thirrjen e një Kuvendi tjetër të përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare mbajtja e të cilit u pengua nga Porta e Lartë. Pa marrë parasysh kundërshtimet e Stambollit dhe pengesat e Fuqive të Mëdha e të qarqeve shoviniste fqinje, Haxhi Zeka i vazhdoi përpjekjet për forcimin e Lidhjes gjatë gjithë vint 1900 derisa ushtria osmane e shtypi atë.
Më 21 shkurt 1902 Haxhi Zeka u vra në Pejë pabesisht nga Adem Zajmi, një agjent i vënë nga qarqet shoviniste serbe, që patën edhe përkrahjen e autoritete osmane.
Lidhja Shqiptare e Pejës
Në vitet e fundit të shek. XIX u shtuan lakmitë e shteteve fqinje ndaj Shqipërisë dhe ndërhyrjet e fuqive të mëdha në Ballkan. Fillimisht u acarua e ashtuquajtura çështje maqedonase, e cila, për nga emërtimi, dukej se kishte të bënte vetëm me Maqedoninë, por në të vërtetë ajo lidhej drejtëpërsëdrejti edhe me Shqipërinë dhe tërësinë e saj territoriale, më konkretisht me vilajetet e Manastirit e të Kosovës, që shpesh i konsideronin Maqedoni, ndonëse shumica dërmuese e popullsisë në to ishte shqiptare. Meqenëse Maqedonia në atë kohë nuk përbënte një njësi administrative – territoriale më vete, por ishte e ndarë në vilajete e sanxhaqe të ndryshme, monarkitë ballkanike (Serbia, Greqia dhe Bullgaria) përpiqeshin, secila për vete, të përfshinin sa më shumë toka shqiptare e maqedonase, që nuk u takonin atyre, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, që nga ,,argumentet historike’’ e të dhënat e falsifikuara etnike, e deri te bandat e armatosura. Një qëndrim i tillë jo vetëm që i kundërvuri ato me popullin shqiptar e maqedonas, por shkaktoi edhe fërkime e grindje ndërmjet vetë këtyre shteteve. Për të qetësuar lëvizjen antiosmane të popullit maqedonas dhe për të shmangur ndërhyrjet e shteteve të huaja në Maqedoni, sulltani shpalli, në prill 1896, dekretin ,,Mbi reformat në vilajetet e Rumelisë’’. Këto ,,reforma’’ do të zbatoheshin në vilajetet e Manastirit, të Kosovës dhe të Selanikut, të cilat edhe sulltani i përfshinte nën emërtimin Maqedoni. Masat e parashikuara nuk e ndryshuan gjendjen, sepse ato nuk plotësonin kërkesat e popullit maqedonas. Mirëpo përfshirja e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës në zonën e reformave do të thoshte se ato zyrtarisht njiheshin si toka maqedonase. Në këtë mënyrë po shfaqej përsëri rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare.
Kërkesat për autonominë e Shqipërisë (1896 – 1898)
Rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare i dha një nxitje të re luftës së popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe për të drejtat kombëtare. Shqiptarët kundërshtuan me vendosmëri si pretendimet territoriale të shteteve fqinje, ashtu edhe ,,reformat maqedonase’’ të shpallura nga sulltani. Në të vërtetë ata nuk ishin kundër reformave në vetvete dhe as kundër zbatimit të tyre për popullin maqedonas, por nuk mund të pranonin në asnjë mënyrë përfshirjen e tokave shqiptare në zonën e reformave maqedonase. Patriotët rilindas, ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, shtruan përsëri programin për autonomi dhe filluan përpjekjet për të formuar një lidhje të re shqiptare, që të vihej në krye të luftës për t’u mbrojtur nga copëtimi dhe për të realizuar autonominë.
Në memorandumet që iu parashtruan Portës së Lartë dhe fuqive të mëdha nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, në vija të përgjithshme kërkohej njohja e kombësisë shqiptare dhe bashkimi i katër vilajeteve: i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës në një vilajet të vetëm, në të cilin gjuha shqipe do të përdorej në administratë dhe në shkolla. Parashikoheshin gjithashtu disa reforma në fushën politike, arsimore e administrative. Kërkesat për reforma ndryshonin ndërmjet tyre. Disa ishin më të kufizuara dhe disa më të plota. Kërkesat më të përparuara u paraqitën nga shoqëria ,,Dëshira’’ e Sofjes, nga shoqëria ,,Dituria’’ e Bukureshtit dhe nga Komiteti Shqiptar i Stambollit. Këto kërkesa përshkoheshin nga idetë kombëtare e demokratike të Rilindjes dhe shprehnin aspiratat e popullit shqiptar për liri e përparim. Madje manifesti ,,Ç’duan shqiptarët’’, i lëshuar në pranverën e vitit 1897 nga Komiteti i Stambollit, i parashtronte Europës dy variante të mundshme për zgjidhjen e çështjes shqiptare: sigurimin e autonomisë, në qoftë se ruhej ende status quo-ja dhe formimin e një shteti të pavarur shqiptar në rast se ,,Europa do të dojë t’i japë fund kësaj Perandorie që po heq shpirt’’. Por kërkesat e viteve 1896 – 1898 për njohjen e kombit shqiptar dhe të të drejtave të tij të ligjshme nuk u morën parasysh as nga qeveria e Stambollit, as nga fuqitë e mëdha.
Formimi i Lidhjes së Pejës dhe programi i saj
Duke qenë se rreziku i copëtimit të tokave shqiptare po rritej dhe kërkesat për autonomi nuk po merreshin parasysh, rrethet patriotike shqiptare shtruan si detyrë krijimin e një organizate të re, si ajo e Lidhjes së Prizrenit, që të përfshinte të gjithë vendin dhe të vihej në krye të Lëvizjes Kombëtare. Përpjekjet e para filluan që në vjeshtën e vitit 1896. Në krye të kësaj të kësaj nisme u vu Haxhi Zeka, një nga udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Kombëtare në vilajetin e Kosovës dhe në mbarë Shqipërinë. Atdhetarët shqiptarë, të udhëhequr nga Haxhi Zeka, arritën që në shkurt – mars 1897 të hidhnin themelet e një lidhjeje të re ose, siç quhej në dokumentet e asaj kohe, Besëlidhjes Shqiptare (në një mbledhje që u organizua në Gjakovë). Në nëntor 1897 u organizua një mbledhje tjetër në Pejë, ku morën pjesë 500 përfaqësues të popullsisë së Kosovës. Mirëpo Porta e Lartë, e cila e kuptoi rrezikun që mund t’i vinte nga një lëvizje e organizuar shqiptare (e cila edhe kishte program kombëtar), mori masa të rrepta për shpërndarjen e Besëlidhjes.
Në fund të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899, acarimi i ri i ,,çështjes maqedonase’’ dhe ndërhyrja e shteteve fqinje në vilajetet shqiptare, i nxitën përpjekjet për krijimin e një lidhjeje shqiptare. Më 23 janar 1899 në Pejë u mblodh një kuvend i madh, ku morën pjesë rreth 500 veta të ardhur kryesisht nga vilajeti i Kosovës, si dhe disa përfaqësues të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Në këtë kuvend, që vazhdoi 6 ditë, u formua lidhja e re shqiptare që u quajt Lidhja e Pejës ose Besa-Besë. Kryetar i saj u zgjodh Haxhi Zeka, i cili edhe i drejtoi punimet e kuvendit. Në vendimet e Kuvendit të Pejës (Kararnameja prej 11 pikash), si detyrë kryesore shtrohej lufta kundër çdo orvatjeje të Serbisë, të Bullgarisë, të Greqisë dhe të Malit të Zi për copëtimin e tokave shqiptare. Rryma patriotike e kryesuar nga Haxhi Zeka shtroi edhe çështjen e autonomisë, por, për shkak të rrezikut të copëtimit dhe qëndrimit të elementëve konservatorë e turkomanë, ajo nuk u përfshi në vendimet e para. Në vendime kërkohej që Lidhja të formonte degët e saj dhe të shtrinte veprimtarinë në gjithë Shqipërinë. Kuvendi shpalli gjithashtu Besën për një vit, me qëllim që të ndërpriteshin hakmarrjet, grindjet etj.
Shtrirja e Lidhjes së Pejës dhe lufta e saj me forcat osmane
Pas formimit të Lidhjes, Haxhi Zeka dhe patriotët e tjerë, brenda dhe jashtë atdheut, bënë përpjekje për ta shtrirë atë edhe në krahinat e tjera. Si rrjedhojë, Lidhja e Pejës u shtri në Shqipërinë e veriut, në Shqipërinë e Mesme dhe pjesërisht në Shqipërinë e Jugut. Njëkohësisht u bënë përpjekje për të organizuar një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku do të miratohej programi kombëtar i Lidhjes. Me anë të shtypit shqiptar dhe të thirrjeve drejtuar popullit kërkohej bashkimi rreth Lidhjes së Pejës dhe programit për autonomi. Pikërisht në këtë kohë (mars 1899) Sami Frashëri botoi veprën ,,Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhetë ?’’ Në të Samiu jo vetëm që përshkruante gjendjen e vështirë të Shqipërisë dhe rreziqet që i kanoseshin nga armiqtë e jashtëm, por tregonte edhe rrugën që duhej të ndiqte populli shqiptar dhe lëvizja e tij kombëtare. Samiu shtronte nevojën e sigurimit, në fillim të autonomisë, e pastaj të pavarësisë së plotë. Shqiptarët duhej ta arrinin atë me hir ose me pahir. Samiu e vlerësonte shumë Lidhjen Shqiptare të Pejës dhe kërkonte që ajo të shndërrohej në një organ të përhershëm qeveritar. E shqetësuar nga formimi i Lidhjes së Pejës dhe nga zgjerimi i veprimtarisë së saj, qeveria e Stambollit nxori një numër urdhërash për të çarmatosur shqiptarët dhe për të shtypur Lidhjen. Për këtë qëllim sulltani përdori edhe disa bejlerë reaksionarë, me në krye Riza bej Kryeziun, të cilët qysh në fillim i ishin kundërvënë Lidhjes së Pejës. Qeveria osmane ndaloi mbledhjen e kuvendit të përgjithshëm, që do të mbahej në Prizren në maj 1899. Në fillim Lidhja e Pejës u qëndroi presioneve të Portës së Lartë, madje në vjeshtë 1899 ajo filloi luftën e armatosur kundër administratës osmane dhe për ta zëvendësuar atë me administratë shqiptare. Lëvizja antiosmane përfshiu kryesisht Kosovën e Dibrën, por nuk u shtri në gjithë Shqipërinë.
Veprimet e armatosura kundër autoriteteve osmane vazhduan deri në maj të vitit 1900. Atëherë Porta e Lartë dërgoi forca të mëdha ushtarake kundër Lidhjes së Pejës dhe e shtypi atë. Megjithatë ajo shënoi një ngritje të re në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
( Historia e popullit shqiptar)