Lëvizje Vetëvendosje e ka pritur me kritika të ashpra shtyrjen e mandatit të EULEX-it në Kosovë. Ky mision kishte ardhur në Kosovë me premtimet për luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe forcimin e sistemit vendor të drejtësisë, por që sipas saj ka dështuar në misionin e marrë. Madje EULEX-i e do Kosovën pafundësisht me korrupsion e krim sepse kështu e justifikon jetëgjatësinë e vet. “Misioni i EULEX-it erdhi në Kosovë me premtimet për luftim të krimit dhe korrupsionit si dhe forcim të sistemit vendor të drejtësisë. Asnjëra nga këto dy premtime nuk u realizua ngase qëllimi i vërtetë i EULEX-it asnjëherë nuk ka qenë drejtësia në Kosovë. Kjo trupë që nga fillimi ka pasur për qëllim menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit, por ruajtja dhe stabilizimi i situatës për realitetin tonë, nënkupton stabilizim të krimit e korrupsionit që rrënjët i ka në majën e piramidës shtetërore. “Si rezultat i kësaj paradigme, EULEX-i u përfshi edhe vetë në menaxhimin e politikës ditore, duke ndërtuar raste sipas porosive dhe interesave të partive në pushtet. Kjo e bëri këtë mision pjesë të organizimit kriminal të pushtetit në Kosovë”, thuhet tutje.
Institucionet e Kosovës kanë nevojë për E ULEX-in sepse autoriteti ekzekutiv i tij u shërben atyre si alibi për mungesën e përgjegjësisë, kurse ai do Kosovën pafundësisht me krim e korrupsion sepse kështu ndërtohet justifikimi për t’ia zgjatur vetes jetën. “EULEX-it nuk duhet t’i zgjatet jeta sepse prania e tij nuk mund të jetë e dobishme në asnjë rrethanë. Kosova duhet të pushojë se trajtuari nga BE si çështje e sigurisë në kuadër të menaxhimit të krizave. Nga kjo paradigmë duhet kaluar tek nevoja për drejtësi, zhvillim e mirëqenie. E drejtësia nuk vjen asnjëherë nga jashtë dhe vetë EULEX-i është dëshmi për këtë”, thuhet në fund të reagimi të Vetëvendosjes.