Ndahen dekorata për Dëshmorët e Kombit dhe Shoqata e Dala nga Lufta e UÇK-së

Me rastin e Ditës së Çlirimit, dhe me rastin e 150 vjetorit të themelimit të qytetit të Ferizajt, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka nderuar me dekorata të gjithë  Dëshmorët e Kombit, heronjtë, martirët, luftëtarët e lirisë, të burgosurit politikë, familjarët e të zhdukurve me dhunë, me titullin “Nderi i Qytetit”. Me një fjalë rasti të gjithë të pranishmëve ju është drejtuar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i cili ka thënë se Ferizaj sot, shënon 24 vjetorin e Çlirimit dhe këtë vit shënon 150 vjetorin e themelimit. “Kudo, festë e përkujtim. Festa e Çlirimit, erdhi me luftën për liri. Erdhi me lumin e gjakut të dëshmorëve, erdhi me heroizmat e sakrificat e panumërta të më të dashurve tanë, erdhi me sakrificat e martirizimin e brezave të shumtë të etërve tanë. Erdhi e lindi Kosovën e lirë, Kosovën martire, të plagosur rëndë por të padorëzuar asnjëherë. Erdhi dhe solli trajektoren e lirisë – drejt shtetit, pavarësisë. Ishin Dëshmorët e Kombit, që panë përtej zezonës së robërisë. Ata ndjenin në gjoks flladin e lirisë, kur trupi i gjakosur i Kosovës përflakej nën robërinë shekullore. Ata dhe luftëtarët e lirisë panë më larg, ata guxuan të ëndërrojnë, ata i falën atdheut njomësinë e tyre. Çdo pikë gjaku i Dëshmorëve, njomi tokën e Kosovës. Ishin të gjata radhët e luftëtarëve të lirisë, ishte e pakthyeshme, rruga e lirisë. Nën pushkën e Adem Jasharit, me emblemën e lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kapur pazgjidhshëm në zemrën e çdo luftëtari, besatuar në fjalën e Hasan Prishtinës, bijtë e bijat e Kosovës, i dolën zot atdheut”, ka thënë Kryetari Aliu. , ndërsa ka shtuar historia u shkrua 24 vite më parë. “Kosova ngriti krenare flamurin e lirisë. Ishin bijtë tuaj, nënë-loke e baballarë të dëshmorëve, ishin prindërit tuaj, fëmijë të lirisë, pavarësisë së Kosovës, ata që ngritën këtë flamur. Ata përbuzën vdekjen, ata nuk duruan lotin e robërisë, ata nuk përkulën asnjëherë kurrizin. Ngadhënjyen të lirë përqark qiellit të lirisë, për të mbetur përjetësisht yje të pashuara të lirisë. Sot, malli na përvëlon të gjithëve. Damarët e zemrës të gjithsecilit rrahin pashkëputshmërisht, me çdo familjarë të dëshmorëve, heronjve, martirëve. Jemi bashkë, gëzojmë bashkë, frytin e idealit të tyre, frytin e sakrificës së tyre, dritën sublime mbi fytyrat e gjithsecilit prej tyre”, u shpreh Aliu. Kryetari i Komunës së Ferizajt në fund të fjalës së tij, ka thënë se është nder dhe krenari që sot të shpërndajë dekoratën  me titullin “Nderi i Qytetit”. “Sot, jam krenar, që bashkë me ju, në vitlindjen e qytetit tonë, të ndajmë këtë festë e përkujtim bashkë. Festë për Çlirimin e 150 vjetorin e themelimit të Ferizajt, gjersa sa të jetë jeta, të ndajmë përkujtimin e nderimin, për të rënët që me rënien e tyre sublime, i sollën lirinë Kosovës. Sot, është nder i jashtëzakonshëm, i papërsëritshëm, që duke qenë Kryetar i Komunës së Ferizajt, të ndajë titullin e nderit, lavdisë, për më të shtrenjtit tuaj e më të ndriturit e kombit, Dëshmorët e Kombit, heronjtë, martirët, luftëtarët e lirisë, të burgosurit politikë, familjarët e të zhdukurve me dhunë, titullin “Nderi i Qytetit” – ngaqë të tillë janë ata, nderi e krenaria jonë, nderi e krenaria e kombit”, ka përfunduar Aliu. Ndërsa Gafurr Bytyqi, nga shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka falënderuar Kryetarin Aliu, por edhe familjet e dëshmorëve,  heronjtë, martirët, luftëtarët e lirisë, të burgosurit politikë, familjarët e të zhdukurve me dhunë, për sakrificën e dhënë ndër vite.

May be an image of 4 people and text

May be an image of 2 people

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …