Mr. Kadri Rexha: Motoja jetësore e atdhetarit, Hasan Prishtina ishte lufta për liri e bashkim kombëtar deri në vdekje

Atdhetar, demokrat, revolucionar, luftëtar për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, luftëtar për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb dhe bashkimin e saj me Shqipërinë nënë, njëra ndër figurat më të shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare, veçanërisht të kryengritjeve të Kosovës, të cilat shpien deri në fitoren e pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit në Vlorë, Hasan Prishtina zë vendin qendror si ideolog, politikan, udhëheqës dhe si ushtar në mes të ushtarëve mu në momentet më të thirrura të kohës dhe në çastet më dramatike të Atdheut, kur popujt e Ballkanit dhe sidomos populli shqiptar po bënin përpjekjet e fundit për t’i përzënë forcat e perandorisë Osmane nga kjo pjesë e Evropës.

Hasan Prishtina u lind në Vushtrri në vitin 1873, në një familje të shquar për tradita luftarake dhe atdhetare me prejardhje nga fshati Palac i Drenicës. Mësimet e para i kreu në vendlindje, në turqishte, ku tregoi një zgjuarsi të madhe dhe një zell të pashoq për të zënë sa më shumë dituri në lëmenjtë e ndryshëm. Këto mësime për të ishin vetëm një plotësim dhe një zgjerim i njohurive të mëparshme sepse ai qysh si fëmijë i njomë ishte edukuar dhe e kishte ushqyer fantazinë fëmijërore me këngët e trimërisë dhe me bisedat burrërore në shkollën e madhe shqiptare të quajtur odë, ku më së shumti bëhej fjalë për punët dhe hallet e popullit dhe të atdheut. Shkollën e mesme e mbaroi në Selanik, ndërsa studimet e larta për shkencat politike dhe drejtësi në Stamboll.

Nga kjo kohë e më vonë, Hasan Prishtina, me mish e me shpirt, me mend e me grosh dhe me përpjekje mbinjerëzore deri në flijim do t’i kushtohet çështjes së lirisë, të pavarësisë dhe të demokratizimit të Atdheut si dhe të mbrojtjes së të drejtave kombëtare të popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Edhe pse rridhte nga një derë feudalësh të pasur, duke qenë i armatosur me idetë përparimtare të Revolucionit francez të vitit 1789 si dhe me idetë largpamëse të Rilindësve tanë, ai e fillon një luftë të vendosur dhe konsekuente jo vetëm për çlirimin dhe pavarësimin e Shqipërisë por edhe për përparimin ekonomik e shoqëror të shqiptarëve dhe asnjëherë nuk do të marrë anën e shtresës së cilës i përkiste. Mbi bazën e gjithë kësaj, Hasan Prishtina qe edhe dashamirë i flaktë i arsimit dhe i shkollave në gjuhën shqipe. I vetëdijshëm se pa arsimin e përgjithshëm të popullit nuk do të realizohen as synimet e emancipimit kombëtar, ai shprehej me bindje të plotë se “arsimi është shpirti i një kombi”. Nisur nga kjo bindje ai iu përvesh punës duke bërë agjitacion në tërë popullin e Kosovës dhe më në fund ia doli t’i tubonte më se 50 të rinj, të cilët i regjistroi në Shollën Normale të Elbasanit, të hapur në vitin 1910. Në llogari të këtij pohimi flet edhe fakti se kur, më një rast, Hasan Prishtina rrethohet prej xhandarëve të Zogut në Tiranë, ai, duke e parë jetën e vet në rrezik, tërë pasurinë me testament e la në emër të shkollave shqipe.

Pas Revolucionit xhonturk, pas shpalljes së Hyrietit, që në thelb nuk solli asgjë të re për popujt e robëruar dhe as për popullin shqiptar, në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1908 në parlamentin turk, Hasan Prishtina emërohet deputet i Prishtinës. Duke qenë i ngarkuar me një detyrë të këtillë shumë të rëndësishme Hasan Prishtina për dy vjet me radhë do ta ngrejë zërin në parlamentin turk në përkrahje të kërkesave të kryengritësve dhe në mbrojtje te të drejtave kombëtare të popullit shqiptar dhe në të njëjtën kohë do të marrë pjesë aktive në Grupin kombëtar shqiptar. Prandaj, nuk është e çuditshme se brenda një periudhe shumë të shkurtër, Hasan Prishtina u bë njëri ndër deputet më të dashur dhe më të nderuar në parlamentin turk jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga ana e popujve të tjerë të shkelur e të robëruar. Për emrin dhe veprimtarinë e Hasan Prishtinës zu të dëgjohej çdo kund. Gazeta “Shqypeja e Shqypenis” , që asokohe botohej në Sofje, ndër të tjera, shkruante: “Shumë i vlefshmi atdhetar i flakt, deputet i Prishtinës, zotni Hasan Prishtina po përpiqet për mbrojtjen e për të mirën e kombit shqiptar… Ky dashamir i bën një nder shumë të madh amës Shqipëri, për të cilën është gati të bëhet theror. Ky trim, biri i Shqipnis u është shembull me veprat e tia kaq shumë shqiptarëve…”

Duke e parë në personalitetin e Hasan Prishtinës një njeri të rrezikshëm për Perandorinë Osmane, Porta e Lartë u mundua ta bëjë atë për vete duke i premtuar edhe postin e ministrit. Këtë propozim Hasan Prishtina jo vetëm nuk e pranoi por edhe e përbuzi. Për këtë ofertë karrem, më vonë, në kujtimet e tij, Hasan Prishtina do të shkruaj: “Në vend të një kulltuku me turp në Stamboll, preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës”.

Pasi do të shkojnë kot të gjitha përpjekjet për ta përvetësuar dhe nënshtruar Hasan Prishtinën, qeveria turke fillon sulmet kundër personalitetit të tij duke e quajtur e akuzuar si kryengritës dhe kërcënues ndaj sulltanit… Por, në vend që këto fjalë t’ia ulin autoritetin, ato atij ia rritën namin edhe më tepër. Në këtë mënyrë, Hasan Prishtina, i cili për idealin atdhetar kishte bërë këtë betim:”Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të muj me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë armiqvet. Ka me më shtrue vetëm vdekja.” dhe që qeverinë turke e kishte kërcënuar me një kryengritje të re duke u zotuar se: “kam me kenë njeni, e ndoshta i pari i atyne, qi kam për ta ngrehë flamurin e kryengritjes…” nuk i la fjalët peng, por rroku pushkën dhe u bë ideologu dhe udhëheqësi kryesor i Kryengritjes së përgjithshme të armatosur në Shqipëri gjatë vitit 1912.

Hasan Prishtina me të drejtë konsiderohet si njëri ndër veprimtarët më të dalluar dhe më të palodhshëm me nismën e të cilit u mblodh Kuvendi i Junikut, maj 1912, ku morën pjesë luftëtarë dhe njerëz të dalluar nga mbarë Kosova dhe ku u arrtit që të bashkohen të gjitha forcat dhe të pranohen kërkesat e përbashkëta, të cilat iu paraqitën Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha. Po të kësaj kohe janë edhe kërkesat e Hasan Prishtinës të njohura si “Katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës.” Frytet e kësaj lufte të përgjithshme u kurorëzuan në nëntor të vitit 1912 me pavarësinë e Shqipërisë, ndonëse të përgjysmuar dhe të cunguar barbarisht nga vendimi i Fuqive të Mëdha në vitin 1913.

Shpallja e Pavarësisë në Vlorë dhe ngritja e Flamurit kuq e zi, pas pesëqind vjet robërie, Hasan Prishtinën e gjejnë në burgun e Beogradit, të arrestuar nga pushtuesi serb. As vitet që pasuan pas kësaj date të rëndësishme, Hasan Prishtinën nuk do ta lënë të qetë. Përkundrazi, ai për herë e më tepër do të gjendet në ballë të detyrave të rëndësishme në të mirë të Atdheut. Përpjekjet e tij do të shtohen sidomos gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj. Në vitin 1913 emërohet ministër në qeverinë kombëtare të Vlorës. Bashkë me Hoxhë Kadriun, Bajram Currin, Sali Nivicën etj. në vitin 1918 Hasan Prishtina themelon Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, roli i të cilit qe shumë i rëndësishëm në organizimin dhe drejtimin e rezistencës dhe të luftës së popullit shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera kundër pushtuesit serb, në demaskimin e terrorit, gjenocidit dhe përpjekjes për shfarosjen e shqiptarëve nga shteti serb.

Në dhjetor të vitit 1919, Hasan Prishtina, si kryetar i delegacionit të emëruar nga Komiteti, në Konferencën e Paqes në Paris, do të kërkojë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Po në këtë rol, në shtator të vitit 1924, Hasan Prishtina do të shkojë edhe në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku do të protestojë kundër gjenocidit dhe barbarizmave serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Mirëpo, gjendja politike, ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve nuk do të normalizohet as gjatë viteve që do të pasojnë. Pos rreziqeve të mëdha që vinin nga jashtë, sidomos nga fqinjët, filluan të ngritin kokë dhe të ashpërsohen edhe kundërthëniet dhe konfliktet e brendshme në mes të rretheve të ndryshme politike. Në këto rrethana Hasan Prishtina merr pjesë në organizimin e Kongresit kombëtar të Lushnjës, janar 1920,dhe pas më shumë se një viti, si përfaqësues i Dibrës, zgjedhet deputet në parlamentin shqiptar, ku me të madhe do të mbrojë fshatarësinë dhe do të demaskoje për vdekje çifligarët feudalë dhe tregtarët e pasur për rolin e tyre të dëmshëm ndaj atdheut.

Me rënien e qeverisë së Pandeli Evangjelit, në dhjetor të vitit 1921 formohet qeveria e re, kryeministër dhe ministër i jashtëm i së cilës emërohet Hasan Prishtina. Në këtë qeveri, e cila nuk zgjati më shumë se katër ditë, zunë poste me rëndësi elementët më progresiv të asaj kohe, si Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Fan Noli, etj. Në një situatë konfuze të krijuar asokohe, në një anë, dhe për të mos shkaktuar turbullira të brendshme dhe gjakderdhje vëllazërore, në anën tjetër, kjo qeveri u detyrua të japë dorëheqje. Në këtë kohë Hasan Prishtina braktisë Tiranën dhe bashkë me Bajram Currin dhe patriotë të tjerë vazhdon rezistencën nëpër Malësitë e Veriut, prej nga udhëheq lëvizjen nacionalçlirimtare dhe çetat kryengritëse në Kosovë kundër pushtuesit serb. Gjithashtu Hasan Prishtina njihet edhe si luftëtar i vendosur për mbrojtjen e “Zonës neutrale” të Junikut.

Në vitin 1924 shpërthen Revolucioni Demokratik i Qershorit. Për triumfin e këtij revolucioni, për formimin e qeverisë më përparimtare në shtetet ballkanike të asaj kohe si dhe për jetësimin e programit të saj një kontribut të çmueshëm e dha edhe Hasan Prishtina. Por, për shkaqe të njohura, Revolucioni dështoi. Si shumë atdhetarë të tjerë edhe Hasan Prishtina u detyrua ta braktisë atdheun. Edhe jashtë atdheut, si në Itali, Francë, Austri, Greqi e kudo që të gjendet Hasan Prishtina nuk e ndal veprimtarinë atdhetare. “Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit, do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet Kombi im” do të shprehet ai sa e sa herë. Gjatë tërë kësaj kohe ai do të gjendet në krahun e forcave më përparimtare shqiptare. Luftën antizogiste në Shqipëri si dhe luftën kundër robërisë serbe nuk do ta ndalë deri në frymën e fundit. Për këtë qëllim e themeloi edhe “Komitetin e Çlirimit të Kosovës”. Në mënyrë të veçantë janë të njohura përpjekjet dhe ankesat e tij në drejtim të Turqisë për mospranimin dhe ndalimin e shpërnguljes nga dhuna serbe të popullit shqiptar të Kosovës në krahinat e Anadollit.

Por, pushka e satrapit Zog që nuk u ndal dhe nuk u ngop me vrasjen e një vargu atdhetarësh shqiptarë, bij më të mirë të popullit, nuk përjashtoi as Hasan Prishtinën. Ai me dorën e Ibrahim Çelos dhe me të hollat e Karagjorgjeviqëve, e shtriu për tokë edhe atdhetarin demokrat, figurën më të ndritshme të kombit shqiptar, Hasan Prishtinën, më 13 gusht të vitit 1933, në Selanik.

Kështu, vertikalisht, i dha fund jetës Hasan Prishtina, i cili gjatë tërë jetës së tij të vrullshme politike dhe atdhetare u kishte shpëtuar katër atentateve të organizuara nga armiqtë e popullit tonë. Kështu i dha fund jetës Prometheu shqiptar që me stoicizëm u kishte bërë ballë dy burgosjeve të tij të rënda nga pushtuesit serbë dhe bullgarë. Kështu i dha fund jetës i Pavdekshmi i Kombit, gjashtë herë i dënuar me vdekje nga xhonturqit, nga tradhtari i shitur te serbët Esat Pasha, nga Serbia dhe tri herë nga qeveria e Ahmet Zogut. Kështu i dha fund jetës Tribuni i Kombit i paluhatshëm asnjëherë në betimin e vet: “Mue n’idenë teme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muj me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e tanë armiqëvet. Ka me më shtrue vetëm vdekja.”

Hasan Prishtina ka lënë të shkruara një seri artikujsh si dhe kujtimet personale me titull: “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912” të botuar në Shkodër në vitin 1921.

Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës nga Selaniku u sollën në Shqipëri. Dita e kthimit të eshtrave të Hasan Prishtinës në Shqipëri do të mbetet e paharruar në zemrën e Kombit tonë. Atë ditë, që nga kufiri me Greqinë, arkivoli i Hasan Prishtinës do të kalojë nga dora në dorë dhe, në pamundësi që të udhëtojë për në Kosovë, do të ndalet përjetshëm në Kukës, buzë kufirit që e ndanë përgjysmë kombin tonë. Atë ditë, me krenari dhe dhimbje të madhe, Shqipëria e qau Heroin e vet dhe Burrin e Kosovës. Atë ditë e tërë Kosova qau me lotë të valë dhe në heshtje u betua për jetësimin e amanetit të Hasan Prishtinës.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …